Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka kritikuar ashpër kryeministrin Rama për reagimin e tij ndaj shqiptarëve të bllokuar në kufi të cilët nuk lejohen të hyjnë në atdheun e tyre.
Duka shkruan ‘Nëse përballjen me COVID 19 do të vijojmë ta quajmë luftë, atëherë kemi detyrimin që të mos lëmë asnjë nga pjestarët e familjes tonë, të pambrojtur dhe të paushqyer, mbrapa linjave ‘armike’.
‘Të dashur miq,
Pamjet shqetësuese të qytetarëve shqiptarë të bllokuar në zonën neutrale të Kapshticës, nuk lënë asnjë hapësirë për t’u trajtuar si një debat politik. Nuk mund të ketë dy qëndrime mbi këtë çështje, por vetëm një zgjidhje, pranimi i menjëhershëm në atdhe. Sado i vogël të jetë shteti ynë, ka struktura të mjaftueshme për të trajtuar karantinimin e këtij grupi shqiptarësh në një nga strukturat e përgatitura për këtë situatë, si për shembull Kavalishenca në qytetin e Durrësit.
Nëse përballjen me COVID 19 do të vijojmë ta quajmë luftë, atëherë kemi detyrimin që të mos lëmë asnjë nga pjestarët e familjes tonë, të pambrojtur dhe të paushqyer, mbrapa linjave ‘armike’. Një luftë nuk luftohet vetëm për mbijetesën fizike, por edhe për ruajtjen e vlerave që e dallojnë një komunitet. Prandaj, në frymën e asaj që na bashkon si shqiptarë, në frymën e normave morale që na lidhin, por edhe të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, kemi detyrimin ta ngremë atë tra që mban jashtë Shqipërisë vëllezërit tanë në nevojë.’