Nuk është luftë, por varfëri

0
112

Nga Enkel Demi

Unë nuk e kam frikë vdekjen, sepse besoj në atë që triumfoi mbi vdekjen. Por, unë nuk e ndjell vdekjen, nuk mallkoj, nuk vendos gishtin në qytetarë që u dyndën në tregjet e Shkodrës a Kombinatit. Shkuan në tregun e madh, sepse tashmë edhe një mëditës është i varfër dhe nuk blen dot më me aq lehtësi në dyqan.

Por, njeriu që ka mbirë në televizor nuk ka si ta dijë që shqiptarëve po ju cënove pagën qoftë dhe një grimë e çon menjëherë në varfëri. Sot, skamnorët nuk janë më ata që deri dje pastronin hedhurinat, të moshuarit me atë farë pensioni, të papunët, le t’i quajmë periferia e shoqërisë, por janë njerëzit që deri dje punonin në një manifakturë, fabrikë, zyra, mësuesi e kudo. Askujt nuk i del të vendosë para mënjanë, por të gjithë mbijetojnë. Nëse ti u pret të vetmin burim jetese që ata kanë, nuk duhet të presësh shumë, pasi të gjithë kthehen në të varfër dhe shumë shpejt do të jenë për bukën e gojës.

Ky është halli që nuk zgjidhet as me dalje në televizor, as me dy qese që t’i kanë mbushur vartësit e Propagandës me vaj e sheqer, në mënyrë që fajtori i vetëm i kësaj gjendje të dalë në foto me një “pabuks” që të quravitet për një kothere.

Por, ai nuk ngopet me kaq, nuk nginjet duke e parë tjetrin të thahet nga skamja, pasi perversiteti kënaqet veç prej shtypjes. Oraret e shtetrrethimit, urdhërat që lëshon, kërcënimet me ushtri, filmat me kufoma dhe arkivolë joshin oreksin, por nuk e plotësojnë, prandaj ai del dhe shan, mallkon, kërcënon në emër të vdekjes si dishepull i saj.

Thotë që është luftë, sepse vetëm në luftë njeriu vritet prej indoktrinimit, ideologjisë. Po synon pikërisht këtë; betejat e tij. Si shaman i së keqes po uron vdekje në Shkodër që të ngrohë duart në kurmin e ende të ngrohtë të kufomave. Kush nuk i ul kokën, tashmë ka vetëm një udhë; vdekjen.

Kush nuk e dëgjon vdes.

Kush nuk i bindet vdes.

Kush nuk e adhuron vdes.

Por, ka një gjë që njeriun e bën të sfidojë vdekjen; është uria e fëmijëve. Cilët janë ata dritëshkurtër që mendojnë se shqiptarët janë kaq të paditur, prandaj thyejnë karantinën? Jo more, duhet me dalë se nuk ushqehen dot me harasonin e mureve. Ju kujtohet zonja që mbante veten me ujë me sheqer, të cilës këta i bënë llogarinë e pllakave të shtëpisë? Ky është rasti tipik. Edhe mëditësi që e mban familjen me 50 mijë lekë në muaj, ato pllaka ka në shtëpi, por tani që erdhi fillimi i muajit dhe nuk ka marrë kryq leku nuk do hajë pllakat dhe do pijë një ditë, dy… ujë me sheqer e pastaj do të dalë.

Pse u dyndën në tregun e shumicës? Për ta marrë sheqerin pra me 10 lekë më lirë. Ja për kaq, se kanë fëmijë në shtëpi e halle plot, prandaj virusi u duket më i lehtë.

Ai mund t’i tregojë me gisht bashkë me shpurën e tij të bishtave, por varfëria ka halle të tjera, sepse të lë pa dinjitet, pa moral. Fundi nga virusi është ku e ku më i mirë, se uria.

Një motër e Nënë Terezës më rrëfente që gjen shtëpi, të cilat nuk kanë një çyrek buke e një kokërr kripë dhe kjo nuk është metaforë. Lista e njerëzve që po kërkojnë ndihma po shtohet e po bëhet çarçaf, mjafton t’i hedhësh një sy Elvis Naçit dhe e kupton. U çojnë ushqim themelor; oriz, fasule, vaj dhe kripë. Atë që duhet ta bënte ai që del në televizor, po mos të kishte kohë që të dilte.

Shqipëria nuk do të hyjë në luftë nga koronavirusi, sepse kjo nuk është luftë, lëre se ç’thotë ai marrok. Shqipëria hyn në kaos nga mjerimi që po pllakos në pak ditë. Le të raportojë tigri si të dojë dhe ai vetë le t’i gëlltisë rrenat që i thonë si hurma arabie, por armata e të varfërve shtohet përditë shumë më tepër se të prekurit e COVID-19.

Nga ana tjetër, ky nuk prek asnjë koncesion, asnjë tatim, asnjë faturë uji e dritash, asnjë kredi. Pagën e mirënjohur të luftës do e japë megjithë taksat e tij, pra nëse të jep 26 mijë lekë do të mbaj gati 40 për qind, kurse në vendet e tjera, të cilave u referohet vetëm për të vdekurit dhe arkëmortet, kompesimi bëhet 100 për qind, në mënyrë që mos të ndalojë ekonomia, mos të ndalojë qarkullimi.

Sot, është e Djela e Larit dhe çelet Java e Mundimeve, ku në fund Ai do të vdesë për ne, mëkatarët dhe do të triumfojë mbi vdekjen, prandaj unë nuk e kam frikë vdekjen. Do të vdesë edhe për mëkatarin tonë të televizorit, prandaj dhe ai nuk duhet ta ketë frikë vdekjen, por mëkatin duhet me pas frikë, sepse ai të kall datën.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here