Masat ndaj Korona Virusit dhe rreziku ndaj Demokracisë…

0
93

“Nuk jetojmë në kohëra normale” do të shprehej Mahatma Gandhi.
Si qytetarë të këtij vendi, po përjetojmë me shqetësim të madh situatën shëndetësore në vend. Solidarizohemi me mjekët e angazhuar në linjën e parë të rrezikut dhe shprehim mirënjohjen tonë të thellë për punën e tyre pranë të sëmurëve dhe mirënjohjen për të gjithë punonjësit e administratës publike, që po u vijnë në ndihmë qytetarëve shqiptarë në këto ditë të zymta për jetën dhe shëndetin e tyre.
Nga ana tjetër, nuk mund të mos konstatojmë me shqetësim, tonet gjithmonë e më autoritare që ka ndërmarrë së fundmi Kryeministri Rama duke mbyllur në karantinë një popull të tërë me preteksin e emergjencës Korona Virus.
Shprehim indinjatën tonë ndaj arrogancës së pakufishme të Kryeminstrit shqiptar, të mbështetur nga propaganda e pafre, i cili po merr përmasat e një autokrati gjithnjë e më të rrezikshëm që përdor mashtrime pseudoligjore prej pelivani.
Kryeministri shkel Kushtetutën dhe kapërcen kompetencat e Këshillit të Ministrave.
Me urdhër kërkon që nga kufizimi i të drejtave, të kalojë në bllokim të plotë të shtetasve. Udhëzimet për masat shtrënguese janë marrë pa konsultuar askënd dhe konform asnjë procedure ligjore, ndërkohë që në Shtetin e ri të Kosovës, Gykata Kushtetuese hedh poshtë aktin normativ të qeverisë, duke gjykuar se shkel të drejtat themelore të njeriut.
Asnjë ligj, VKM, apo Urdhër nuk prevalon mbi Kushtetutën.
Leja që bëhet vetëm nga Kryefamiljari është dhunim i shtetasve.
Kushtetuta duhet të parashikonte Gjendjen e Jashtëzakonshme Epidemologjike, por një nen i tillë mungon.
E vetmja gjë që Qeveria duhet dhe ka të drejtë ta bëjë është evidentimi i personave me COVID-19 sipas rastit dhe të mbajta e tyre në mbikqyrje të vecantë si pasojë dhe detyrimi i qëndrimit 14 ditë në karantinë.
Por mbase Kryeminstri Rama e konsideron veten Parlament, Gjykatë Kushtetuesë, Shef të Shtabit të Përgjithshëm. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese që bën ndarjen e ligjshme me te paligjshmen, nuk shqetësohet nëse janë të drejta ligjet e tij personale thellësisht antikushtetuese, ku fjala nuk ka kuptim politik, e drejta nuk ka kuptim juridik, dhe ligji është thellësisht reflektim i politikës së tij që e ushtron përmes diktatit të tij personal.

Televizioni privat i Kryeministrit Rama ERTV dhe profili i tij në Facebook janë kthyer në të vetmin kanal ku përcillet informacioni.

Vendimet me efekt “sot për nesër” shpallen në faqen private të një individi që synon të identifikojë shtetin me figurën e tij.

Këto metoda nuk synojnë asgjë më pak se nxjerrjen jashtë loje të medias, duke iu shmangur rolit dhe misionit të saj që është verifikimi i informacionit që vjen nga zyrat e propagandës në Qeveri dhe përcjelljen e informacionit tek publiku.

Duke përdorur zhargonin e tij luftënxitës synon të terrorizojë qytetarët, për t’i përgatitur për kohë me të këqija, për traumën psikologjike sociale dhe ekonomike që pritet të vijë.
Jemi dëshmitarë të deklaratave që përdoren për të frikësuar qytetarët, në mënyrë që mos të kundërshtojnë masat shtrënguese financiare.
Kryeministri synon t’i përgatisë qytetarët për humnerën sociale dhe ekonomike, falë korrupsionit masiv dhe shpërdorimit marramendës të fondeve publike, në nivel pushteti qendror dhe lokal, të dokumentuara tashmë nga Kontrolli i Shtetit.
Protesta maratonë e Teatrit Kombëtar, padyshim nxorri në pah mungesën e vullnetit dhe të dialogut për të dëgjuar qytetarët dhe grupet e interest, si proçese fondamentale në ndërtimin e një demokracie funksionale.
Protesta për mbrojtjen e Teatrit nxorri pikërisht në pah këtë sjellje arrogante totalitare ku hapjen dhe dialogun e zëvëndësoi shurdhëria dhe dhuna fizike dhe verbale.
Kjo protestë, nxorri në pah qeverisjen e papërgjegjshme, mungesën e transparencës dhe llogaridhënies, duke deformuar thelbin dhe parimet e demokracitë funksionale, dhe duke goditur rëndë në zemër shtetin ligjor dhe të së drejtës.
Protesta e Teatrit, ndihmoi në ringjalljen e frymës dhe shpirtit të demokracisë dhe mbrojtjes së identitetit kulturor- kombëtar. Ndonëse vendi kalon një emergjencë shëndetësore të jashtëzakonshme, ne nuk do të reshtim së denoncuari shkeljen e Kushtetutës dhe të drejtave të njeriut, në mënyrë që të pengojmë kthimin e fantazmave të së shkuarës.
Ata që firmosën shembjen e Teatrit dhe përfitojnë nga kjo situatë kritike, duke shkelur e Kushtetutën, do të jenë përgjegjës para drejtësisë, shoqërisë dhe historisë.
U takon intelektualëve, medias së pavarur, shoqërisë civile dhe qytetarëve të guximshëm të këtij vendi, të denoncojnë shkeljen e ligjeve dhe të Kushtetutës dhe politikat që po e çojnë vendin drejt një kolapsi social, ekonomik dhe politik.
Koha për një ndërgjegje të re dhe përgjegjësi individuale dhe njëkohësisht kolektive.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

No photo description available.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here