Ministre virtuale+mësim online=dije fejsbukiane…

0
104
Nga Ndriçim Mehmeti 

Asaj që i druheshim të gjithë dhe kishim ankthin e madh se kur do të vinte, mbërriti edhe në Shqipëri.

Ndër masat e para të marra kur u shfaq rasti i parë me Covid-19, ishte mbyllja e menjëhershme e të gjithë institucioneve shkollore, nga arsimi parashkollor tek ai universitar, pa paralajmërim, në mes të ditës dhe në një kaos që kaploi mësues, nxënës e prindër.

Po le të marrim në konsideratë se kjo ishte një masë e mirë, e marrë në kohë, ju vinte në ndihmë nxënësve, prindërve, mësuesve, etj, etj. A ishte kjo një masë në panik e sipër apo e mirë menduar?

Qeverinë më shumë e kapi paniku, që ndërmori një hap të tillë, sesa ishte një masë e marrë në kuadrin e një plani të mirë menduar.

Komandanti, Besa dhe një pjesë e madhe e të emëruarve vendor, e dinë shumë mirë, se shumë shkolla duhet të ishin mbyllur me kohë, për shkak të kushteve tejet të këqija higjienike që ato ofrojnë.

Më shumë rëndohet situata po të kemi në konsideratë faktin se shkollat nuk janë dezifektuar prej kohësh e muajsh dhe se një pjesë e tyre në qytetet e mëdha, punojnë mbi kapacitete normale të numrit të nxënësve për klasë.

Konviktet e shkollës së mesme dhe ato të universiteteve, përtej premtimeve janë përsëri aty ku ishin, pa ujë të rrjedhshëm 24 orë, pa ujë të ngrohtë, pa detergjent, pa dezifektantë , pa larës duarsh, pa letër higjenike.

Duke e ditur fare mirë që higjiena në të gjitha nivelet e arsimit nga ai parashkollor e deri tek ai i lartë është më keq se në mesjetën e hershme, mbyllja e institucioneve shkollore, ishte një masë në frikë e sipër dhe nuk kishte të bënte të bënte fare me corana virusin sikundër na u shit.

Në rast se do të ishte kështu, Besa mund të tërhiqte, fare mirë urdhrin e saj për mbylljen e një shkolle private, vetëm se e mori një masë të tillë me kokën e saj, pak javë më parë.

Sigurisht që vendimi i shkollës ha diskutim ligjor, porse nga ana tjetër të njëjtin vendim mori edhe qeveria, pa pritur dhe pa bërë asnjë analizë të situatës.

Thjesht Komandanti e ka fare të qartë se Besa dhe ata që e rrethojnë atë, prej Ministrisë së Arsimit e deri tek institucionet vartëse, nuk kanë as aftësinë, as profesionalizmin e as qetësinë e duhur për të menaxhuar situata shumë më të thjeshta nga këto, e jo më rastin e një virusi kaq të rrezikshëm.

Rastet e Fierit, Dibrës, Bulqizës e të tjera e kanë vërtetuar tashmë, faktin se sistemi i menaxhimit të arsimit parauniversitar është në ditën më të keqe. Po a mjafton vetëm kjo masë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të ishin të mbikëqyrur në banesat e tyre? Sigurisht që jo. Pas dy ditësh Komandanti nxori një urdhër që një nga prindërit do të shoqëroj fëmijët në shtëpi dhe do ti jepte paga. Që në momentin që u mbyll shkolla, kryetari i opozitës, z. Basha, e ftoi kryeministrin të merret një masë të tillë, por si gjithnjë ai e injoroi. Dy ditë më pas me shpresën se ky propozim ishte harruar e doli vetë të bënte heroin. Por gjithsesi harroi të na thoshte se çfarë do të bëhej me ata prindër që punojnë që të dy në sipërmarrje private? A do t’u detyronte pronarët e tyre, t’u japin pagën për dy javë njërit prej prindërve? Këtë nuk e sqaroi askush.

Përse? Sepse përmbi propagandën nuk kanë rëndësi detajet. Mjaft që Komandanti e tha një fjalë, sesi zbatohet punë e madhe fort. Ai zgjodhi të shpall këtë vendim dy ditë, më pas kur njerëzit e kishin gjetur një zgjidhje emergjente vetë:

Dikush i çoi në fshat tek prindërit, të tjetër pajtuan një grua nga lagjja për dy javë, disa i lanë tek vjehrra, teze dhe halla dhe Komandanti i mbeti letra e firmosur prej tij, që nuk pi ujë gjëkundi.

Nxënësit do të humbasin dy javë shkollë, po për këtë si do të bëhet? Zgjidhjen më origjinale si gjithnjë e kishte Shqipëria. Besa doli e na bëri me dije se i gjithë arsenali i mjeteve të teknologjisë së komunikimit dhe informacionit do të përdorej për këtë qëllim.

Na foli për mësim virtual, mësim online, për të cilin do të përdoreshin watsuap, viber, facebook, platforma online, etj. Pra nxënësit do të mësonin, duke çetuar në këto aplikacione dhe do të vijon rregullisht mësimin. Sigurisht Besa e ka në konsideratë faktin se tek ne, prej Konispolit e deri në Tropojë kemi një rrjet të fuqishëm interneti dhe një mundësi të banorëve për ta përdorur internetin apo wi-fi, në masën mbi 92 %.

Madje drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, nxiti dhe i vuri në sedër mësuesit që të bënin video selfie dhe ti dërgonin në institucionin e tij dhe ky i fundit do përzgjidhte më të mirën dhe do t’i postonte për nxënësit.

Por Ministria e Arsimit nuk u ndal me kaq.

Ajo i kërkoi mësuesve që të mbajnë kontakte me nxënësit dhe prindërit sesi po mësojnë këta në kushtet e shtëpisë?

A i kanë kryer detyrat e shtëpisë?

A është zbatuar plani i shkollës për këtë rast?

E pas këtij udhëzim, krejtësisht qesharak, del në dritë një iniciativë e ministres: Bëjmë mësim përmes televizionit, për klasat 6-12. Shumë mirë.

Të gjithë entuziazmohen dhe thonë, kjo është një zgjidhje ideale dhe ju lumtë që e bënë. I këtij mendimi isha edhe unë sa kohë që e pashë me sytë e mi. Ndoqa me vëmendje matematikën.

Në 20 min u shpjeguan 2 teorema për klasën e 11 dhe dy për klasën 12-të, ndërkohë që në një ditë normale këto shpjegohen së paku për 90 minuta. Askush nuk e di, nëse platforma që është ofruar falas është e licencuar nga institucionet përkatëse, për këtë qëllim, pra që të jap leksione online?

Por ja ta zëmë se gjithçka është brenda kuadrit ligjor apo brenda situatës së emergjencës ku jemi. Këto leksione, mësime që jepen në RTSH, janë brenda programit që ka hartuar shkolla për këto ditë, brenda programimit mësimor vjetor, apo janë thjesht leksione për maturantët, përpara provimeve të Maturës Shtetërore.

Veshja që ishte jashtë standardit të një mësuesi, mënyra e shpjegimit, temat që janë marrë të bindin plotësisht se leksionet që u dhanë në RTSH, nuk ishin gjë tjetër veçse mësime për maturantët dhe nuk kishin të bënin fare me programin mësimor. Po ja të themi se edhe në këtë rast gabojmë.

A mund të më thotë Besa se si do të zhvillohet mësimi virtual, online apo në RTSH, për fëmijët me aftësi dhe nevoja ndryshe? Si do të shpjegohen temat mësimore për fëmijët që janë në klasa kolektive?

Cila është mënyra me të cilën do të operohet me nxënësit që kanë provimet në klasën e 9-të? Forma e trajtimit të temave të programit mësimor për klasat përgatitore (për fëmijët që përgatiten të hyjnë në klasë të parë)?

Këto kategori që përmenda më lart do të kuptojë gjithçka duke çetuar mësuesit me nxënësit dhe me prindërit, përmes pyetjeve në viber, në facebook etj.

Ai e di Besa se janë marrë masa shumë të ashpra nga shumë shtete, për të ndaluar përdorimin nga fëmijët të rrjeteve sociale, facebook, instagram etj, për faktin se shumë prej tyre kanë rënë pre e abuzimeve seksuale, pedofilisë, trafikimit etj..

Ndërkaq që vetë Besa na bëri me dije, se në RTSH, do të jepen mësime për klasën e 6-12, ndërsa nxënësit e fillores dhe klasave përgatitore kanë si mundësi rrjete sociale dhe asgjë më tepër.

Sigurisht që e përmenda në krye të herës se mbyllja e shkollave ishte një masë e detyrueshëm, ndonëse për të mos shkaktuar kaos mund të mbylleshin shkollat e qyteteve të mëdha dhe brenda javës në tërë vendin. Edhe në qytete e mëdha, të mbyllej cikli parashkollor dhe ai fillor dhe më pas ciklet e tjera.

Kjo do të jepte mundësinë e një organizimit më të mirë të shkollës, mësuesve dhe nxënësve. Prindërit ndërkaq duhet të ishin në shtëpi njëkohësisht me nxënësit, pasi kishin marrë në dorë apo me rrugë elektronike planin e masave që kishte hartuar shkolla apo MASR.

Mos të harrojmë një fakt, që ka shumë prindër që nuk kanë smartphone, nuk kanë mundësi të kenë një pajisje për internet në shtëpi, nuk kanë kompjuter, kështu që e vetmja mundësi është që fëmija të mësonte në mënyrë autodidakte.

Më pas shkolla për këtë kategori fëmijës dhe në tërësi për gjithë nxënësit të hartonte një orar konsultimesh mbi paqartësitë që nxënësit kishin në ditët e fundjavës. Kjo do të ishte një mundësi e mirë, që nxënësit të mos kumbisnin interesin mbi mësimin, të jenë në kontakt me shkollën por edhe të marrin realisht ato pak njohuri brenda mundësve që na jep situata.

Me virtualitet imagjinar, mësim online me videot më të mira që do të përhapen në rrejte sociale, pas dy javësh, përfundimi do të jetë: I plotësuam edhe më tej dijet fejsbukiane të të rinjve dhe futëm në rrugën e këtyre dijeve më të vegjlit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here