Çfarë bisedoi Lulzim Basha me presidentin e Parlamentit të Austrisë? Kryedemokrati ‘nxehet’ kur pyetet për 15 Marsin…

0
99

Kryetari i Partisë Demokratike dhe lideri i Opozitës së Bashkuar Lulzim Basha zhvilloi një takim të veçantë me Presidentin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë.

Kryetari Basha duke shprehur perkrahjen e plotë të opozitës për forcimin e bashkëpunimit dypalësh e falenderoi Presidentin për kontributin e Austrisë në ndihmë të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Kryetari i Opozitës i shprehu Presidentit Sobotka besimin se Republika mike e Austrisë do të luajë një rol aktiv mbështetës për hapjen e negociatave me Shqipërinë gjatë presidencës Kroate.

Gjatë takimit, Presidenti Sobotka shprehu interes dhe u informua lidhur me qendrimet e Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar përsa i përket situatës së krizës politike e institucionale në Shqipëri, perspektivës europiane të vendit, reformës zgjedhore, reformës në drejtësi, gjendjes së shtypit të lirë, si dhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i Partisë Demokratike i prezantoi Presidentit Sobotka shqetësimet e opozitës lidhur me mungesën e demokracisë funksionale në vend, kapjen e shtetit, mosfuksionimin e institucioneve, mungesën e organizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, rënien ekonomike, shpopullimin e Shqipërisë, si dhe bllokimin e procesit të integrimit europian të vendit. Kryetari Basha dhe Kryeparlamentari Austriak patën dakortësi të plotë se udhërrëfyesi më i mirë për daljen nga kriza e thellë politike e institucionale që po kalon vendi, por edhe për të zhbllokuar rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, është zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut. Kryetari Basha e informoi Kryeparlamentarin Sobotka lidhur me angazhimin e plotë të Partisë Demokratike për të realizuar detyrimet e saj në raport me kushtet e mësipërme, me qëllim hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Presidenti Sobotka shprehu bindjen se reforma zgjedhore dhe organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë themelore për gjendjen që po kalon vendi, si dhe për perspektivën e mëtejshme. Ai e siguroi Kryetarin Basha për vemëndjen e tij dhe të Austrisë ndaj rolit dhe qendrimeve të opozitës në Shqipëri. Ndër të tjera Kryeparlamentari austriak nënvizoi rolin e medias në shoqëritë demokratike duke theksuar gjatë takimit se në Shqipëri duhen bërë përpjekjet maksimale për fuqizimin e medias së lirë dhe lirisë së shtypit në përgjithësi dhe se çdo përkjekje në të kundërt do të ishte në dëm të interesit të vendit.

I pyetur se çfarë diskutoi me Kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Basha tha:

“Dy janë problemet kryesore të Shqipërisë, dy janë çështjet kryesore të miqve tanë. Së pari, hapja e negociatave. Së dyti, zgjidhja e krizës politike në vend. Të dyja janë të lidhura me njëra-tjetrën. Austria ka mbështetur hapjen e negociatave, duke përqafuar kushtëzimin gjerman, që tashmë është kthyer në kushtëzim europian. Duke falenderuar Austrinë, i shpreha vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar për të bërë gjithçka për reformën zgjedhore dhe zbatimin e kësaj reforme përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.”

Pyetje: Keni lançuar një platformë që tejkalon reformën zgjedhore dhe duket se prek thellësisht edhe kushtetutën. A mendoni se kjo mund të aplikohet në zgjedhjet më të afërta politike?

Lulzim Basha: Objektivi kryesor i PD, i opozitës dhe qytetarëve shqiptarë është t’i japim fund kësaj krize politike. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe zgjedhjet legjitime vendore janë rruga për ta bërë këtë dhe ne duam që kjo të ndodhë një orë e më parë, por, sigurisht, me standarte, për t’u siguruar shqiptarëve votën e lirë. Propozimet e tjera që unë kam parashtruar janë propozime, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e kontrollit dhe balancave dhe rikthimin tek qytetarët të pushtetit që sot u është vjedhur nga ky pushtet dhe nga bashkëpunimi i krimit të organizuar me politikën.

Pyetje: Zoti Basha, ka një perceptim se duke u perqendruar tek çështje teknike, duket se po lihet mënjanë nga ana e PD objektivi politik për largimin e Ramës dhe i zgjedhjeve pa Edi Ramën.

Lulzim BashaRuajtja e vullnetit të qytetarëve, dhënia fund e shitblerjes së votave nuk është objektiv teknik është objektiv politik. Zbatimi i rregullave zgjedhore ekzistuese apo të reformuara, përmes një qeverie kujdestare pa Edi Ramën kryeministër, nuk është objektiv teknik, është objektiv politik. Nuk është objektiv thjesht i një partie. Është rruga për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë dhe për t’u rikthyer shqiptarëve atë që u ka vjedhur ky pushtet i dalë nga bashkëpunimi i PS me krimin e organizuar.

Pyetje: Propozimi juaj mund të diskutohet përtej 15 Marsit, si një datë e vendosur për miratimin e reformës zgjedhore?

Lulzim Basha: Fokusimi tek shtyrja e datës 15 mars, tregon mungesën e vullnetit nga ana e PS. Këtu nuk kam gjë tjetër për të shtuar veç t’ju them se çdo ditë që kalon është me kosto të madhe për qytetarët shqiptarë. Çdo makinacion është i papranueshëm për opozitën dhe për Partinë Demokratike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here