Kongresi i PS si regres fatal te partia mëmë

0
125

Nga Gëzim Saliu

Mund të cilësohet si aktivitetit më kulminant i partive të majta, ku synim kryesor mbetet hapja e mëtejshme e forcës politike, rritja e anëtarësisë, demokratizimi i brendshëm si edhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të Asamblesë. Por krejt ndryshe nga sa më sipër, Kongresi i PS rezultoi një regres total, të cilit rrënjët ndoshta do duhet t’ja gjejmë edhe para viteve ’90, te partia nënë.

Pak histori

Përtej çdo ngjyrimi politik, duhet pohuar pa ekuivok se PS është dalluar si partia e debateve të brendshme, aty ku zienin palët, fraksionet, zërat ndryshe e më tej sfidat për postet drejtuese deri te kryetari mbeteshin të hapura e luftarake. Koha e Nanos, Metës, Majkos, janë përshkruar padyshim nga lëvizje të brendshme të forta brenda radhëve, ku zërat alternativë ishin sfidë më vete për kryetarin e partisë.

Edhe me ardhjen e Edi Ramës në krye të PS-së në vitin 2005  kjo traditë vazhdoi për vite me rradhë, ku kulmin e shënoi në vitin 2009 me Lëvizjen për Mendim Ndryshe. Kjo e fundit përmes një platforme të mirë argumentuar kërkoi largimin e Ramës nga partia si përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 si edhe ndryshimin e strategjisë së veprimit të kësaj force politike, duke dalë kundër bojkotit të Parlamentit. Pjesë e kësaj lëvizje në atë kohë ishin disa prej figurave të PS-së si Kastriot Islami, Ben Blushi, Marko Bello, Andis Harasani dhe Arben Malaj. E ndoshta pikërisht kjo lëvizje, e cila për pak sa nuk rezultoi fatale për postin si kryesocialist, ishte zilja e zgjimit të impulsive autoritare të Ramës. Impulse të cilat morën hov maksimal nga viti 2011 e në vazhdim. Ashtu si ngjyra e partisë, të cilën Rama nga rozë e individualizoi në të purpurt, ashtu edhe PS pësoi ndryshime radikale si në strukturë ashtu edhe në aksion. Përjashtimi i Kastriot Islamit në fundvitin 2011 nisi valën e spastrimit të PS-së nga zërat ndryshe, të cilët u pasuan me një listë kandidatësh për deputetë “alla Rama” në vitin 2013. E pikërisht në atë vit, nisi rrugëtimin e saj “Rilindja”, projekti që rezultoi fatal për socialistët tradicionalë.

Rilindja vs PS

“Rilindja” ishte goditja “knock down” ndaj zërave ndryshe në PS. Përmes saj, Rama ndryshoi 360 gradë ideologjinë e forcës politike që drejtonte. PS u tejmbush me bashkëpunëtorë të ngushtë të Ramës, duke nisur me ata emra që kishte bashkëpunuar në kohën kur ai ishte kryetar bahskie e deri tek mjaftistët e kovertuar në G-99-sha.

Me ardhjen në pushtet pas 2013-ës, prirjet autoritare të Ramës si drejtues i PS morën një kurbë të re ngjitëse, që nuk ishte hasur kurrë më parë në këtë parti. Edhe emrat e cilësuar si senator, mes tyre Fino, Majko, Braçe, Ruçi etj bën kompromis me realitetin e ri duke ulur ndjeshëm deri në minimum zërin ndryshe brenda PS-së. E vetmja që bëri dallim ishte Arta Dade, e cila megjithëse nuk mori rolin e liderit të zërit ndryshe brenda radhëve, nuk nguroi ti jepte zë sa herë mundej argumenteve kundër daljes nga shina të partisë. Së fundmi propozimet e saj në Kongres, as që u morën parasysh nga delegatët rilindas.

Po ashtu një tjetër emër që krijoi alergji nga filoizfia e rilindjes ishte socialisti 24-karatësh Namik Dokle, një figurë e shquar e PS që në fillim vitet 1990. Dokle kërkoi vetë shkëputetjen nga partia, duke mos pranuar në vitin 2016 rikandimin për në Kryesinë e PS, ashtu sic në fakt bëri edhe Arta Dade. Rilindja për të ishte tjetër parti, dhe sic po vërtetohet në këto vite, mes saj dhe PS nuk ka asnjë pikë takimi.

Ndërkohë nuk duhet neglizhuar një tentativë e Ben Blushit përgjatë viteve 2014-2016, i cili ju rikthye kritikave ndaj Ramës pas paqes së përkohshme në 2013-ën. Kjo mini kryengirjte personale e Blushit u shua turpshëm mes fishkëllimave dhe fyerjeve nga anëtarët rilindas të ndërsye në aksion nga kupola në Tiranë. Askush në PS nuk e mbështeti Blushin kur ngriti zërin për shpopullimin, për kriminelët brenda radhëve apo edhe për shifrat e larta të varfërisë që po shkaktonte keqqeverisja e rilindjes. Dhe më vonë vetë Blushi, pas disfatës me Libra në 2017-ën, u dorëzua dhe ju nënshtrua kompromisit, ashtu sic kishin bërë më parë edhe emra të tjerë tradicionalë të PS.

Për të ardhur në ditët e sotme….

 

Kongresi

Sot PS-ja më shumë se një partie politike i ngjan një organizate klanore ku në krye nuk qëndron kryetari por shefi. Urdhrat e tij nuk diskutohen dhe as përfliten, por vetëm zbatohen. Çdokush që ka një mendim ndryshe brenda partisë, nuk guxon as ta përhapë atë në publik, pasi ai shuhet që në gjenezë. Organizata “Rilindje” i ka shtrirë tentakulat e saj në çdo bazë të partisë, strukturë dhe padyshim në qendër, ku ndodhet edhe kupola drejtuese.

Sot nuk flet kush për PS, por parti të Ramës. Që nga deputetët, tek sekretarët e deri te anëtarët më të thjeshtë të partisë, ka vite që nuk dëgjohet një mendim ndryshe. Përkundrazi haset dendur një hiperbolizim i figurës së Ramës, aq sa shkon edhe deri në butafori, sic ishte rasti i Elisa Spiropalit me krahasimin mes kryeministrit dhe Skënderbeut!

Vetë Rama i imponon dishpujve të tij nënshtrimin. Kush zgjedh rrugën ndryshe, haset me përjashtimin, kush zgjedh të ngrejë zërin, përbaltet e cilësohet si “armik”. Dhe në këtë mandate të dytë, Rama ka përforcuar gjithnjë e më shumë pozitat brenda partisë, duke krijuar tiparet perfekte të një partie autoritare.

Kush e ndoqi Kongresin, nuk ka asnjë dyshim për sa  më sipër! Kush dëgjoi fjalimet në foltore mund të rëndisë madje edhe më shumë se unë argumenta të metamorfozës së kësaj partie nga një forcë politike multi alternativash te një organizatë ku dominon individi kryetar.

Testi final i mbetjes së ndonjë pike demokracie brenda PS-së ishte letra e fundit e dërguar nga  8 anëtarë të partisë Socialiste për Kongresin, strukturës më të lartë të partisë. Firmëtarët e letrës, Arta Dade, Nazmir Bilani, Eva Teqja, Ibrahim Sulaj, Përparim Bodinaku, Maqo Lakrori, Irena Beqiraj dhe Luan Zhegu kërkonin mocion për reformimin e kësaj force politike.  “Funksionet e kryetarit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Sekretarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë janë të papajtueshëm me funksionet e Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, ministrit dhe kryetarit të bashkisë. Numri i mandateve partiake të kryetarit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste kufizohet deri në dy”, theksohej te drafti i firmosur nga ta.

Në draft madje kërkohej që të përjashtoheshin përgjithmonë nga Partia Socialiste, funksionarët apo anëtaret që urdhëronin blerjen e votave.

Por ashtu sic pritej, letra e 8 socialistëve as që u mor parasysh në Kongres. Ajo ra poshtë me argumentin e turpshëm se nuk kishte mbërritur në parti sipas rregullave! Dhe ajo që e bëri edhe më shumë ulëritëse situatën ishte heshtja e të gjithë anëtarëve në Kongres, ku askush mes 1242 delgeatëve nuk guxoi të ngrinte zërin për këtë shkelje të hapur!

Ky padyshim nuk ishte Kongresi i PS, por regresi fatal te partia mëmë!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here