Presidenti Meta përkujton 115-vjetorin e vdekjes së Papa Kristo Negovanit/ “Një nga figurat më të shquara të kombit”

0
181

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot 115-vjetorin e vdekjes së patriotit Papa Kristo Negovani, nëpërmjet një mesazhi në Facebook.

Postimi i plotë:

Sot, përkujtojmë me nderim 115-vjetorin e ndarjes tragjike nga jeta të një prej figurave më të shquara patriotike të kombit dhe klerit shqiptar, Papa Kristo Negovani.

I martirizuar për aktivitetin e Tij të jashtëzakonshëm iluminist në mbrojtjen, promovimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe, si dhe të vlerave tona më të mira kombëtare, Papa Kristo Negovani, do të nderohet përjetë për kontributin e çmuar që dha për çështjen shqiptare dhe pavarësinë e Shqipërisë, deri edhe me sakrificë sublime”.

Papa Kristo Negovani u vra në vitin 1905.

***

Papa Kristo Negovani: “Vramëni, por gjakun mblidhmani për bojë që të shkruajnë fëmijët”

Papa Kristo Negovani lindi në Negovan të Kolonjës (në anën lindore të Gramozit, sot Greqi). Arsimin fillor e mori në vendlindje dhe shkollën e mesme e vazhdoi në Athinë. Papa Kristo Negovani u vendos për disa kohë në Rumani ku punoi duke ushtruar profesionin e drugdhendësit. Në atmosferën e shoqërive atdhetare shqiptare, ai u bë pjesë e shoqërisë së shqiptarëve “Shpresa” duke u angazhuar në veprimtaritë e saj. Më 1897, pasi u kthye në vendlindje iu kushtua tërësisht lëvrimit të gjuhës shqipe, lirisë e pavarësisë së vendit. Me librat shqip, të sjellë në Negovan, hapi fshehtas shkollën e parë shqipe për bashkëfshatarët e tij dhe me interesimin e tij u dërguan vajzat e para nga Negovani në shkollën shqipe të vashave në Korçë. Papa Kristo Negovani, më 10 shkurt 1905, organizoi një shërbesë kishtare në gjuhën shqipe. Dy ditë më vonë, më 12 shkurt 1905, Papa Kristo Negovani së bashku me të vëllain e tij, Papa Theodhosin, dhe tre bashkëfshatarë të tjerë u masakruan nga andartët grekë. Ai qe një ndër frymëzuesit e Kishës ortodokse autoqefale shqiptare, e cila do të bëhej realitet vetëm me Fan Nolin. Ndër veprat letrare të Papa Kristo Negovanit vlen të përmenden: “Istori e dhjatës vjetërë”, botuar në Bukuresht në 1899; “Bënjatë e shënjtorëvet dërgimtarë”, në Sofje më 1903 etj, si dhe shkroi e përkthyeu në shqip edhe përralla e shumë vjersha me karakter didaktik.  

“Mos të gjettë viti tjetër ndër të gjallët”! Ishte ky mallkimi i Karavangjelisit, peshkopit të Kosturit, më 10 shkurt 1905, ndaj Papa Kristo Negovanit, ndërsa po dilnin nga mesha e kishës së fshatit. Fshatarët e Negovanit nuk do t’i mbanin dot mend kurrë këto fjalë, po të mos kishte ndodhur ajo që u pa dhe u dëgjua dy ditë më pas, më 12 shkurt 1905, kur fshati u rrethua nga banditë, që e detyruan tridhjetëvjeçarin Kristo Negovani, të vetëdijshëm për fundin që e priste, të dilte jashtë shtëpisë në mes të natës për ta masakruar, pastaj me sëpatë vranë edhe të vëllanë e tij dhe katër bashkëfshatarë të tjerë. Në ankthin e kësaj masakre, të tmerruar pas dritareve komshinjtë kanë dëgjuar zërin e priftit të ri, i pari që futi meshën shqipe në kishë, që u thoshte xhahilëve: “Vramëni, por gjakun mblidhmani në një enë që të shkruajnë nipat tanë gjuhën shqipe”!…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here