Tuesday, May 14, 2024
Home Aktualitet Tragjedia e 26 nëntorit/ Policia e Tiranës ndërmerr megaaksionin, 40 urdhër ndalime...

Tragjedia e 26 nëntorit/ Policia e Tiranës ndërmerr megaaksionin, 40 urdhër ndalime nga Prokuroria, 27 të arrestuar

0
114

Një megaaksion është ndërmarrë sot nga policia e Tiranës, pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit që shkaktoi vdekjen e 51 personave dhe shkatërrimin e mijëra objekteve.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se janë lëshuar nga Prokuroria rreth 40 urdhër-ndalime për ish-drejtues vendorë dhe shefa urbanistike, por edhe ndërtues, ndërsa aksioni është shtrirë në Vore, Kashar dhe Farkë, zona ku dëmet nga tërmeti kanë qenë të konsiderueshme.

Po ashtu Lala raporton se në polici është shoqëruar ish-shefi i Urbanistikës në Bashkinë Vorë, Luan Beta si dhe Bardh Plaku, ish-kreu i Komunës së Farkës, Anila Harxhi dhe Stela Maze (të dyja arkitekte). Po ashtu në polici është shoqëruar dhe Besnik Fuçia, ish-kreu i komunës Kashar. Kryesisht të shoqëruarit, me urdhër të prokurorisë së Tiranës, dyshohen të kenë falsifikuar dokumentet duke u akuzuar kështu për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se deri tani janë 27 arrestuar dhe vijon operacioni për arrestimin e personave të tjerë. Personat e akuzuar sipas prokurorisë kanë lejuar ndërtimin e disa godinave, kryesisht pallateve që kanë pësuar dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në listën e personave që pritet të shoqërohen janë zyrtarë e ish-zyrtarë dhe persona që kanë përfituar nga ndërtimet e parregullta. Një numër i madh avokatësh ndodhen para Policisë së Tiranës.
Prokuroria e Tiranës pretendon se ka identifikuar godinat që jo vetëm janë ngritur me dokumente të parregullta por edhe është ndërhyrë. Kjo është goditja e dytë nga ana e institucionit të akuzës pas asaj që ndodhi në prokurorinë e Durrësit.

Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndodhen edhe familjarët që duan të mësojnë për të afërmit e tyre të shoqëruar. Ata pretendojnë se prokuroria është nxituar. Operacioni vijon dhe është i shtrirë kryesisht në Vorë, në komunën e Kasharit dhe në komunën e Farkës. Konfirmohen 30 godina të dëmtuara, jo të gjitha të shpallura të pabanuara. Një hetim të çelur pas tërmetit ka edhe nga Prokuroria e Lezhës dhe prokuroria e Krujës.

Kujtojmë se rreth një muaj më parë një aksion i ngjashëm i zhvillua në Durrës, ku u arrestuan 18 persona, mes tyre zyrtarë dhe ndërtues. Tërmeti i 26 nëntorit përveç viktimave, shkaktoi dëme të frikshme, ku qindra persona u plagosën dhe mbetën pa shtëpi. Personat e shoqëruar ndodhen në ambientet e policisë së Tiranës./ BalkanWeb

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here