Shehu: E ardhmja europiane e Ballkanit Perëndimor dhe roli i SHBA-së…

0
115

Nga Tritan Shehu

Në një kontekst rajonal të tensionuar dhe problematik, shënjuar nga pasiguri dhe ndryshime në balancat dhe objektivat politikë botërorë, u mbajt pranë Universitetit Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, konferenca: “E ardhmja europiane e Ballkanit Perëndimor dhe roli i Shteteve të Bashkuara”, një temë që ngjall reagime të shumta dhe që çdo ditë e më shumë po merr rëndësi jetësore. Në tërësi, rajoni ynë Ballkani Perëndimor ka qenë ndër shekuj, një hapësirë ku kanë ndërhyrë apo janë ndërthurur interesa të ndryshme të jashtme, që jo shpesh kanë shtyrë faktorët e brendshëm drejt aventurave të rrezikshme.

Për hir të së vërtetës dua të theksoj se, veçanërisht në pjesën e tij perëndimore, Iliria e Greqia apo Epiri janë nga qytetërimet më të vjetra, që së bashku me Romën e lashtë, përbëjnë bazën e qytetërimit europian, pra rrënjët e tij. Por jo vetëm kaq, është Iliria ajo që prej viteve 40-60 pas Krishtit, përqafoi ndër të parat në Europë fenë e krishterë, në mënyrë apostolike nga Apostulli Pal. Ishte Perandori Kostandin, një ilir, ai që zyrtarizoi fenë e krishterë në atë Perandori, me prejardhje nga Ballkani Perëndimor, ku kalonte edhe Vija e Teodosit, që do të ndante Perandorinë Romake në dy pjesë: lindore dhe perëndimore. Më tej, kjo hapësirë filloi t’u nënshtrohet dyndjeve sllave dhe prej 1300-ës, atyre otomane duke rënë pothuajse e gjitha nën pushtimin disa shekullor të Perandorisë Osmane, që solli konvertim të detyrueshëm masiv në Islam, duke e larguar forcërisht nga Europa.

Fatkeqësisht, tragjeditë e kësaj pjese të Europës nuk përfunduan edhe mbas Luftës së Dytë botërore, kur Europa bën një kapërcim shumëdimensional, pasi pjesa dërrmuese e saj u gjend nën një pushtim të ri të përgjakshëm, atë komunist, për ta orientuar përsëri drejt Lindjes. U ndala shkurt në këto elemente, për të kuptuar sa e turbullt, çfarë interferencash mund të ketë përsëri në Ballkanin Perëndimor nga idetë e reja për perandoritë e vjetra, nga influencat ruse, e tashmë edhe nga ato kineze. Këto, duke shfrytëzuar skemat apo reminishencat e vjetra, varfërinë apo papunësinë, pesimizmin e popullsisë, mungesën e stabilitetit të institucioneve të lidhura jo pak me grupet kriminale, korrupsionin e lartë, kërkojnë të hedhin rrënjë, jo thjesht për arsye ekonomike, por për ta pasur si bazë përballë Europës së bashkuar, e Perëndimit në tërësi.

Fatkeqësisht, në këto momente historike kur këto prani dhe influenca të kundërta edhe me interesat e popujve e vendeve tona po shtohen, ne kemi një realitet të ri europian, më të dobët, më pak të bashkuar, me ide të paqarta e shpesh larg nga iluminizmi i Baballarëve Themelues të Bashkimit Europian. Në këtë pikë dëshiroj të theksoj një fakt, në konglomeratin e popujve dhe feve të Rajonit, janë shqiptarët ata që pavarësisht fesë, pavarësisht vendit ku jetojnë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi, kanë aspiratën Perëndimore, atë drejt Brukselit, mbështetje që sipas sondazheve arrin në 97%. Mbështetja për NATO-n shkon në 94% dhe ndjenja e miqësisë ndaj SHBA-ve është edhe më e lartë. Për këtë arsye, SHBA-të kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm, veçanërisht për ne shqiptarët. Ne, në përgjithësi nuk i ndajmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Bashkimi Europian, pasi për ne janë pjesë e Perëndimit. Në këtë këndvështrim hyrja jonë në NATO, por dhe e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe në të ardhmen edhe e Kosovës, është shumë e rëndësishme.

E theksoj këtë, pasi ne gjithmonë kemi aspiruar e ndihmuar me aq sa kemi mundur, duke qenë në sinkron dhe duke koordinuar qëndrimet e veprimet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, duke e parë këtë si një mekanizëm shumë të rëndësishëm për ne dhe rajonin. Ky ka qenë dhe është interesi ynë. Pra, roli amerikan krahas atij europian, për ne ka qenë i mirëpritur dhe sidomos midis shqiptarëve, gjë që u konsolidua edhe me rrëzimin e Milloshevicit.

Ngjarjet në Kosovë dhe pavarësia e saj, janë zhvillime që treguan se pa SHBA-të nuk do të mund të realizoheshin dhe që për të cilat ishte i domosdoshëm bashkëveprimi i suksesshëm europiano-amerikan. Sidoqoftë në këtë situatë të re, me një Europë më të dobët, pa politikë të jashtme dhe fuqi mbrojtëse të bashkuar dhe efektive; përballë interferencave nga jashtë rajonit, të rrezikshme e të forta, në kundërshtim me aspiratën tonë europiane e perëndimore; roli i SHBA-ve merr një rëndësi të veçantë. Pa të, Europa e jo më rajoni ynë i izoluar, nuk mund t’u bëjnë ballë. Dhe këtu lind natyrshëm pyetja, sa janë e sa do të jenë të angazhuara SHBA-të në rajon, për të garantuar rrugën perëndimore në kuadër të strategjive dhe prioriteteve të tyre? Për ne do të ishte një fatkeqësi e vërtetë zbehja e rolit amerikan veçanërisht në këtë periudhë. Për ne dhe Europën do të sillte shumë probleme, veçanërisht për Italinë e Greqinë si fqinje, si kontaktet tona më të afërta me BE-në. Dhe këtu, Italia merr një rol të spikatur. Interesat e saj nuk mund të mos jenë të mëdha në Mesdhe e në Ballkanin Perëndimor. Ajo, aktualisht ndodhet në “periferi” të BE-së.

Afrimi dhe integrimi i rajonit tonë në BE do ta ndryshojë këtë pozicion të Italisë, por edhe të Greqisë drejt “qendrës” së Europës, jo vetëm nga pikëpamja territoriale, por mbi të gjitha në planin politik dhe ekonomik në Kontinentin e Vjetër. Ndikimi dhe përforcimi i pozicionit të faktorëve të tjerë jo europianë, deri në Adriatik e Jon pa dyshim do të dëmtonte rëndë interesat e këtyre vendeve, që përputhen me tonat në këtë kontekst e me aspiratën europiane e perëndimore si e vetmja alternativë për të ardhmen, gjë që mund ta konfirmoj së paku për ne shqiptarët. Fatmirësisht në këto momente komplekse edhe Gjermania është shumë e interesuar dhe duket e ndërgjegjshme për domosdoshmërinë e të ardhmes europiane të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, ajo është larg nesh, më interesa e probleme të tjera për të zgjidhur si epiqendër e BE-së, të cilat padyshim e pengojnë për t’u angazhuar tërësisht këtu, gjë që kërkon një rol shumë më aktiv, së pari nga ana e Italisë. Pra, në këto momente të turbullta, por edhe kritike për ne, jo vetëm për shqiptarët, minimizimi i faktorëve jo perëndimore në rajon dhe afrimi me BE-në, duke zbatuar standardet e saj me qëllim anëtarësimin merr rëndësi parësore, por është një sipërmarrje jo e lehtë, komplekse dhe e gjatë. Siç theksova më lart, kjo vjen si pasojë e historisë sonë me ulje e ngritje, e zhvillimeve të reja në Rajon, Europë, SHBA, por edhe e faktorëve të tjerë jo dashamirës për lidhjet tona me perëndimin, faktorë që tashmë janë të fuqishëm, disa prej të cilëve në ekspansion të madh.

Në këto kushte, besoj se një trio elementësh mund të shtyjnë përpara proçeset tona perëndimore, afrimin me BE-në, anëtarësimin në NATO të atyre që akoma nuk janë pjesë, që sinkronizohet me interesat tona, ato europiane dhe amerikane. Dëshiroj të përmend praninë e faktorit të brendshëm demokratik në përpjekje për t’ju kundërvënë jo thjesht interesave politike anti-integrim, por dhe trafiqeve, drogës, grupeve kriminale të lidhura me institucionet, duke u shndërruar në fuqi të madhe brenda shtetit. Këta të fundit, të interesuar për të qenë të paprekshëm luftojnë që të mbajnë larg vendet tona nga demokracitë europiane, si Gjermania e Italia, në mënyrë të veçantë nga kjo e fundit që tregon më shumë interes për zonat shqipfolëse, që e konsiderojnë atë si “porta e hyrjes” për në Europë. Nga ana tjetër, Shqipëria përfaqëson “portën hyrëse” të Italisë drejt Ballkanit, që ka rol mbështetës drejt Europës. Nga ana e saj, edhe Greqia duhet të jetë e ndërgjegjshme për nevojën e forcimit të rolit të saj në Rajon, ashtu si edhe partnerët e saj duhet ta nxisin, veçanërisht tani kur në Athinë ka një qeveri thellësisht europeiste. Koordinimi i veprimeve e strategjive midis vendeve kryesore të BE-së është shumë i rëndësishëm, gjë që së fundmi është përkeqësuar ndjeshëm.

Por sidoqoftë, unë jam i sigurtë se këta dy faktorët, ai lokal dhe europian nuk do të jenë në gjendje të vetëm që të sigurojnë stabilitetin dhe proçesin e plotë të integrimit europian të Ballkanit Perëndimor pa faktorin e tretë, rolin dhe praninë e SHBA-ve. Dhe këtu lind nevoja që të vihet në jetë zgjuarsia, vizioni dhe sinkronizimi, plotësues dhe bashkëpunues i BE-së e SHBA-ve në rajon, gërshetuar kjo dhe me mbështetjen e forcave të emancipuara, perëndimore, demokratike, europeiste, të gatshme për të luftuar krimin e korrupsionin, si edhe për t’ju kundërvënë ndikimeve negative nga jashtë.

Në këto përpjekje të vështira, por të domosdoshme, roli gjeopolitik i Shteteve të Bashkuara mbetet tejet i rëndësishëm e garant për zhvillimet tona pozitive në të ardhmen, pa zbehur aspak rolin dhe rëndësinë e faktorit europian në forcimin e këtij proçesi, lidhjet e tij me aktorët lokalë, koordinimin e brendshëm dhe me atë përtej Atlantikut. Personalisht më erdhi mirë që në universitetin tonë u diskutua rreth një tematike me rëndësi të madhe jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por dhe për Europën dhe lidhjet e saj me Shtetet e Bashkuara, mbi këtë realitet dhe elementë të komplikuar, por të domosdoshëm për t’u përballur, ndaj të cilëve u artikuluan mendime dhe ide të mençura e të dobishme, nga ku mora shtysë për këtë shkrim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here