‘Njeriu që shtyp me këmbë lirinë e medias merr drejtimin e OSBE’

0
153

Nga Jana Lapper, TAGES ZEITUNG*

Kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ulet në ndonjë konferencë, ai gjithmonë ka lapsa me ngjyra me vete. Thuajse i hipnotizuar, ai nis të bëjë vizatime në miniaturë mbi fletë. Rama nuk është vetëm shef i qeverisë së vendit ballkanik prej vitit 2013, por edhe një artist i njohur ndërkombëtarisht. Vitin e kaluar, veprat e tij u ekspozuan në galerinë e artit në Rostock, ndër të tjera zyra e punës i shërben edhe si atelier.

Rama njihet në Europën Perëndimore si artist dhe shpirt i lirë. Si kryeministër dhe kryetar i Partisë Socialiste, ai ka kohë që ka zbuluar edhe anët e tjera të vetes. Korrupsioni dhe krimi i organizuar kalojnë përmes sistemit politik të Shqipërisë; edhe anëtarët e kabinetit të Ramës janë përfshirë gjithashtu në aferat e drogës. Ka pasur një skandal që ka rrethuar vetë Ramën në vitin 2016: nën penën e tij, fondet e shtetit prej 500 mijë dollarësh thuhet se kaluan për fondacionin e Bienales së Venecias, ku vetë Rama ekspozon punimet e tij.

 Prej muajsh, kabineti i Ramës qeveris pa opozitën- Partia Demokratike konservatore e ka bojkotuar parlamentin, sepse e akuzon Ramën për manipulim zgjedhor. Por kjo nuk është diçka e re në Shqipëri- socialistët dhe demokratët e kanë bllokuar njëri-tjetrin që nga fundi i diktaturës komuniste në vitin 1990. Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin (OSBE), aktualisht është duke punuar në një mision për të shuar këtë konflikt, duke mbështetur zgjedhjet e lira.

Ai shkel me këmbë lirinë e medias

Rastësisht, kryesia e OSBE-së i shkoi Shqipërisë më 1 janar. Çdo vit, kjo kryesi merret nga ministri i jashtëm i një vendi anëtar- një post që Rama e mban pas shkarkimit të ministrit të vjetër të jashtëm.

“Nëse e konsideroni kryesinë e OSBE si një ilaç efektiv kundër konflikteve dhe problemeve të trancizionit në një demokraci, atëherë Shqipëria është në një gjendje paradoksale, në të njëjtën kohë është ofruese dhe konsumatore e këtij ilaçi,” shkruan publicisti nga Kosova, Veton Surroi. Pozicioni i kryetarit duket pikant për shkak se Rama nuk e ka mbuluar veten me famë kur bie fjala te liria e medias- një nga detyrat kryesore të organizatës.

Në të kaluarën, për shembull, i shqetësuar nga puna e gazetarëve kritikë, kryeministri i Shqipërisë i ka sharë ata si ‘sharlatanë’ apo ‘kazan plehrash’. Ai gjithashtu ka miratuar thuajse vetëm një ligj që i hap rrugën përveç të tjerash, detyrimit të medias online për të instaluar pop-up me njoftime qeveritare, ose për të fshirë përmbajtjen nga faqet e tyre të internetit. Media dhe OJQ-të druhen nga mbikëqyrja shtetërore.

Kështu, Rama po formon një shtet shqiptar sipas ideve të tij. Reformat që duhet të avancojnë për nisjen e bisedimeve të pranimit, siç janë ato të sistemit gjyqësor apo kundër korrupsionit, janë në duart e tij. Tashmë edhe kryesia e OSBE-së.

*Marrë nga gazeta e njohur gjermane, TAZ. Titulli është redaksional. Titulli origjinal: ‘Kryesia e OSBE-së: një shqiptar me një mision të ri’.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here