Edhe një urim për mësuesit, uroj të keni guxim dhe kurajë

0
234

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

 

 

Në këtë zgjodha të flas hapur përmes shkrimit, pa bërë qoka të kota në facebook, për kolegët mësues a pedagogë, për nxënësit kudo që janë, për krenarinë e Besës që bën çdo gjë për të shpërndarë foton e saj të lumtur me diçiturën MASR, etj, etj. Mundet edhe të dilja ndanë librave të mi dhe shkrimeve të botuar dhe të thoshja, “për këtë vit e realizova detyrën” Por në fakt zgjodha të bëj një urim.

Unë kam vendosur që t’ju drejtohem juve mësuesve të vendit tonë, me një urim dhe dëshirë: Më shumë kurajë dhe guxim në vitin që presim.

Nëse më pyesni pse e bëj këtë urim, ju e dini po kaq mirë sa mua, se guximi dhe kuraja, janë gjëra që ne i mëtojmë nxënësve tanë në shkolla, por që fatkeqësisht një pjesë shumë të madhe të mësimdhënësve mundon. E si mundet ne të pretendojmë se një vlerë të një shoqërie demokratike, t’ia përcjellim brezave që u japim dituri dhe qytetari në institucionet arsimore. Ju të dashur mësues, nuk u ngritët asnjëherë për të kërkuar atë që meritoni: pagë më të mirë, kushte pune e jetese dhe mbi të gjitha respekt e dinjitet. Juve ju përdorën dhe ju nuk çuat as gishtin e vogël e të thoni: Ndal, nuk mund të na përdormi më se e keni tepruar mjaftueshëm. Dhe mjaft do të thotë mjaft. Jo, nuk e bëtë dhe më kot mundoheni ta justifikoni veten në këtë qëndrim absurd, me “rrogën, bukën e gojës, me frikën se na heqin, më mbyllin dyqanin e babait, më heqin vajzën nga bashki a ministria”, etj. Më pas ju në mëngjes shkoni në shkollë dhe gjithë paraditen, i bëni leksione plot pathos e dëshirë nxënësve: “mbroni të drejtat tuaja, edhe ju keni të drejta, ka institucione që mbrojnë të drejtën tuaj, ju duhet të guxoni dhe të denonconi ata që ju shesin drogë, ju japin pije alkoolike, që përpiqen t’ju fusin në rrugën e krimit. Guxim vajza dhe djem sepse shoqëria demokratike, i ka në themel të vlerave të veta”. Po, çfarë babi më pas ju në kafe? Të njëjtin muhabet si përditë. “Drejtori është idiot e militant, nuk kemi një shkumës, bëjmë fotokopje me lekët tona, na stresuar me këtë dokumentacion, si nuk na i ngritën pak rrogat, s’ju vjen turp që nuk na japin shpërblim se për vete marrin milionat që mos i hëngshin jarebi dhe ne na lënë kështu, etj, etj”. Por ti i dashur koleg, ke harruar të trokasësh me mirësjellje në dyert e Ministrisë apo Zyrës Vendore Arsimore, pastaj të bojkotosh mësimin, pastaj të dalësh në rrugë me nxënësit e tu, pastaj me familjen tënde e në fund sigurisht që do t’ju përkrahë edhe shoqëria. Këto gjëra kaq të thjeshta, duan shumë pak guxim e kurajë, nga ajo që mësuesi e ka pasur, nuk e ka dhe duhet ta ketë jetë e mot.

Po përse është kaq e vështirë, të jesh guxim e kurajë, sa që nuk mërmërit dot e pale më të flasësh o mësues i dashur?

Kam disa përgjigje, që nuk mund të jenë as shteruese dhe as absolute për pyetjen e mësipërme. Vetëm se mbaj mend që pak kohë më parë, ju dëgjoja tek kaloja vetëm a me kolegë të Ministrisë së Arsimit, që flisnit tinëz: “shiko si kalojnë. Edhe këtë vit ata do të marrin shpërblim gjysmë rroge, kurse ne mësuesve mezi na japin 100 mijë lek. Pale mburren se rritën rrogën 10% . U këputën në b…, thuaj”. Mirëpo këta trima, pas krahëve kanë harruar një fakt se merrnin 30-50 mijë të vjetra më shumë sesa një specialist në Ministrinë e Arsimit me kategorinë 1V-a, se kishin rrugën e paguar nga shteti si për shkollën 9-vjeçare dhe për atë të mesme, se pagat e tyre u dyfishuan në një kohë rekord. Kur erdhi 2013, mësuesit nuk pipëtinë pse nuk e morën shpërblimin e fund vitit edhe pse ai ishte i parashikuar në buxhetin e shtetit. Nuk bëzanë e nxorën fjalë edhe pse iku 1 vit, 2, 3, 4, 5 6, të Rilindjes në qeveri dhe atyre veç ju rrit paga 7-10 mijë lek të vjetra. Ata kënaqeshin duke shpërndarë videot dhe mesazhet e drejtorëve të shkollës, të Linditës, Besës e soj e sorollop që kanë hyrë e kanë dalë në Ministrinë e Arsimit (e cila është kthyer në mësimore, për cilindo që ka dëshirë të shkruaj në CV se ka punuar njëherë në një institucion qendror) dhe me këtë kujtonin se mbushej portofoli i shtëpisë. Mësuesit nuk mërmëritën pale të flisnin kur po shkatërroheshin ndërtesa shkollore përmes rikonstruksioneve, programet shkollore, përmes teksteve të ardhura nga Anglia, kur nxënësit nuk mësonin asgjë por veç dëgjonin mësuesin  pa pikë interesi, kur droga, bulizmi, thika  pistoleta zëvendësuan lapsat dhe librat. Nuk folën as kur i nxorën në miting, në rrugë plot entuziazëm që të prisnin, Komandantin, Linditën, Mirelën, Ervinin, Taulandin, Gramozin, Besën, Veliajn, Gjushin, Qazon e shumë të tjerë, mjaft që shtynin ditën dhe nuk dëgjonin zhurmat e nxënësve dhe ulërimat e drejtuesve në shkollë. Me kaq pak bëheshin të lumtur. Nuk ka rëndësi se për të shkuar në fshat shpenzojnë nga lekët e tyre, mjaft që janë pa punë. Nuk u dridhte dora të marrin kredi a borxh që të paguajnë 5000 Euro në ZVA a në DRAP, për të siguruar një vend pune si mësues që për ta do të thotë, “punë qejfi dhe pension të siguruar”. Mësuesit i tallën me portale, me kërcënimin për testime, me provimet e klasës së V-të që do të oshin edhe një vlerësim për punën e tyre, me kartën e performancës të nxjerrë prej një injoranti e arroganti që e quante veten gjeneral në arsim dhe ata të modestët deri në madhështi përsëri u përkulën. Pra, ai, mësuesi vijonte të hante veten me dhëmbë, nuk fliste, nuk foli dhe me shumë gjasë nuk ka ndërmend të flas. Tani në rastin e fatkeqësisë, ju nuk u dukët gjëkundi, nuk u çuat e të thoshnit “ pa dale znj. Ministre, drejtor ea inspektor, na pyesni edhe ne si jeni, vizitoni edhe tonë, shkojmë së bashku tek nxënësit që kanë humbur gjithçka, por së paku mos të humbasin shpresën”. E humbët edhe këtë shans të madh. Në 2020 do të mjaftoheni me pagën që merrni dhe do të lutet të mos i ndërrojnë shkollën vitin tjetër. Nëse do Zoti dhe i ngrenë pak rrogën më mirë, nëse jo bereqatrivesën që është në punë. E di që do t’ju duken fjalë të rënda të thëna nga një njëri prej jush, ose të paktën pranë jush, por kështu është më mirë. Është më mirë t’ju rëndoj unë pak me kritikë sesa ju të kënaqeni në zbrazëtinë e punës suaj dhe të harroni misionin e madhe që keni. Ju uroj sigurisht të keni jetë të gjatë e shëndet, por një jetë e gjatë nuk vlen shumë pa lënë asnjë gjurmë. Një ditë që tregon guxim e kurajë vlen më shumë se 100 vite të jetës biologjike, ku askush nuk e di se çfarë ke bërë dhe kush ke qenë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here