Mehmetaj: Shpopullimi i vendit, politikë e mirëmenduar nga qeveria për të vendosur një model të ri diktature…

0
207

Kryefjala në sfern politike përgjatë kësaj kohë ka qënë Minishengeni Ballkanik i cili ka ngjallur reagime të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës e po kështu Kosovës e cila ka pasur mbështetjen e pakushtëzuar të lidërve opozitar. E gjitha kjo situatë është “përkthyer” si një thikë mbas shpinë që  po i jepet Kosovës nga Shqipëria, pasi në samit nuk mori pjesë as Kosova dhe as Krocia me Bosnjë Hercegovinën. Në një intervistë për gazetën “Standard” nënkryetarja e LSI-së Kejdi Mehmetaj ka komentuar këtë çështje duke u shprehur se: “Shqipëria në asnjë rast nuk duhet ta vazhdojë këtë projekt pa sqaruar më parë Kryeministri Rama disa qëndrime të rrezikshme të tij, sic është rasti i investimit që ai bëri personalisht për ndryshimin e kufijëve të Kosovës, faktin që pavarësisht se vendosi si drejtues të Punëve tona të Jashtme një djalë të Kosovës, janë më shumë se dhjetë vende që e kanë cnjohur Kosovën, apo edhe reagimin e egër të Ramës në raportin me taksën 100% që Kosova vendosi. Mehmetaj gjithashtu foli për reformën në drejtësi kryesisht për SPAK  ku ka theksuar se për prokurorët e këtij institucioni se do të ishte e pafalshme që tek ta të shihnim disa “Dvoranë” të tjerë që i shërbejnë me devocion pushtetit. Po ashtu ajo komentoi edhe shifrat e larta të papunësisë si edhe të largimit të shqiptarëve nga vendi, ku foli për një politikë të mirëmenduar të qeverisë në këtë aspekt.

 

Intervistoi: Albina Elezi

 

Si e vlerësoni samitin  e tretë të Minishengenit Ballkanik , kur në tryeze nuk bën pjese as Kosova e as Kroacia me Bosnjen. Po  kështu protesta ndaj këtij takimi kanë ardhur duke u shtuar edhe pas deklaratave të Presidentit Vuçië lidhur me masakrat kundër Reçakut?

 

Lëvizja Socialiste për Integrim vlerëson cdo proces bashkepunimi qoftë rajonal apo më të zgjeruar që vendos në qendër të punës zhvillimin e Shqipërisë, stabiletetin e rajonit e pjesëmarrjen e Kosovës si palë me te drejta të plota në këto projekte. Ajo që kemi vënë re në lidhje me Minishengenin Ballkanik është se ky proces është i dyshimtë. I dyshimtë sa i takon përfitimeve që Shqipëria do të ketë nga ky bashkëpunim dhe mbi të gjitha i dyshimtë për rolin e Kosovës. Ajo që duket qartë është disa fytyrësia e Kryeministrit Rama dhe nga qëndrimet publike të tij dhe të disa prej lidereve të Serbisë qëllimi i Minishengenit ngre shumë pikëpyetje. Së pari duhet thënë se nuk mund të ketë bashkëpunim të suksesshëm rajonal nëse Kosova nuk është pjesë me të drejta të plota dhe së dyti është e papranueshmë gjuha cinike dhe plot urrejte me të cilën Rama u drejtohet kolegëve në Kosovë. E gjithë iniciativa duket të jetë shumë e nxituar. Edhe nëse nisi si një “kërcënim” i Ramës ndaj Bashkimit Europian, ose për të kamufluar dështimet e tij në qeverisjen e vendit, tani duket se ka marrë një rrugë të rrezikshme që cënon Kosovën si shtet i pavarur. Në pikëpamjen e ngushtë të interesave të Shqipërisë, Minishengeni nuk sjell asnjë gjë të re, përkundrazi në prizmin ekonomik rrezikojmë të humbasim akoma edhe më tepër duke vlerësuar se produktet tona nuk zënë ndonjë pjesë të rëndësishme të tregut Serb apo duke marrë parasysh që ndërkohë mjaft biznese shumë të rëndësishmë për ekonominë tonë janë zhvendosur në Maqedoninë e Veriut. Sa i takon bashkëpunimit strategjik, Shqipëria në asnjë rast nuk duhet ta vazhdojë këtë projekt pa sqaruar më parë Kryeministri Rama disa qëndrime të rrezikshme të tij, sic është rasti i investimit që ai bëri personalisht për ndryshimin e kufijëve të Kosovës, faktin që pavarësisht se vendosi si drejtues të Punëve tona të Jashtme një djalë të Kosovës, janë më shumë se dhjetë vende që e kanë cnjohur Kosovën, apo edhe reagimin e egër të Ramës në raportin me taksën 100% që Kosova vendosi. Nga ana tjetër fakti se për këtë iniciativë ngrihen dyshime edhe nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina do të thotë se kjo nuk është një iniciativë që duhet të vazhdojë. Personalisht gjykoj se bashkëpunimi rajonal duhet të vazhdojë nën ombrellën e Bashkimit Europian, iniciativa të tilla duhen gjykuar mirë nga pala jonë dhe asnjë hap nuk duhet ndërrmarë pa u marrë edhe dakortësia e Kosovës dhe vendeve të tjera.

 

Pak ditë më parë lindën debate të “nxehta” mes palëve politike kundrejt miratimit të paketës antishpifje që kryesisht prek mediat online. Cili është mendimi juaj mbi këtë vendim?

 

Paketa antishpifje është kontestuar nga opozita që kur ajo u propozua si ide nga Edi Rama rreth një vit më parë. I gjithë propozimi është një plan i ligë i Kryeministrit për të mbyllur media që u tregojnë të vërtetën shqiptarëve, media që denoncojnë aferrat korruptive. Nëpërmjet kësaj pakete Kryeministri synon të intimidojë, kërcënojë e pastaj gjobisë e mbyllë këdo media online apo gazetarë apo opinionist që kritikon dhe denoncon qeverinë. Varianti i parë i kësaj pakete ngjasonte me nenin famëkeq nr.55 të kohës së komunizmit për agjitacionin dhe propagandën dhe sado ndërhyrje u bënë gjatë rrugës si rrjedhojë e kundërshtimeve të komunitetit ndërkombëtar, ndryshimet ligjorë që u miratuan në parlament cënojnë rëndshëm lirinë e fjalës dhe median e lirë në Shqipëri.

 

Për të dytën herë  Komisoni hetimor parlamentar i është drejtuar Venecias kundër presidentit  në lidhje me të drejtat e emërimit të anëtarëve  të gjykatës kushtetuese . Si e gjykoni këtë vendim?

 

Unë gjykoj se i vetmi institucion legjitim që i ka mbetur vendit është institucioni i Presidentit i cili është njëkohësisht i vetmi institucion që ka bërë e vazhdon të bëjë përpjekje maksimale për të mbrojtur kushtetutën e për të kontrolluar e balancuar qeverinë në këtë fazë cmendurie që e ka kapur. Koha ka treguar se çdo vendim që Presidenti ka marrë ka qenë i drejtë e i mbështetur në Kushtetutë. Sa i takon vendimeve lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese çdo vendim është bërë transparet, madje çdo shqiptar, i madh e i vogël është sqaruar me fakte mbi “hiletë” që kanë bërë qeveria dhe Dvorani në KED. Komisioni i Venecias ka patur qëndrime të qarta sa i takon zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe ka folur qartë për këto cështje. Kërkimi i një mendimi tjetër nga Venecia është së pari mungesë respekti ndaj këtij institucioni, këshillat e të cilit qeveria dhe Edi Rama nuk i ka ndjekur në asnjë rast dhe së dyti pretekst për të shtyrë ngritjen e institucioneve të drejtësisë. E gjithë historia e Komisionit Hetimor dhe këtyre kërkesave pas sens që bën qeveria është një lojë për të shpërqendruar qytetarët nga bëmat e tyre antiligjore dhe antidemokratike.

 

 

Sa i përket reformës në drejtësi, si e shihni ecurinë e saj duke iu referuar dhe themelimit të SPAK-ut dhe me parë votimit të Kryeprokurorit të Pergjithshem?

 

Pas votimit të Reformës në Drejtësi në mënyre konsensuale nga Parlamenti në 2016 shqiptarët pritën të shihnin ngritjen e institucioneve të reja dhe të pavarura në drejtësi, fatkeqsisht kjo pritshmëri u thye nga mazhoranca e cila ka bërë dhe vazhdon të bëjë cdo përpjeke për ta kapur atë. Shtyrja e ngritjes së institucioneve të reja, triple standartet e përdorura gjatë vettingut, votimi në mënyre antikushtetuese të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme apo edhe procedura e paligjshme e ndjekur për emërimet në Gjykatën Kushtetuese janë tregues pikërisht të dëshirës së pangopur të mazhorancës për ta kapur drejtësinë. Unë uroj dhe shpresoj se si SPAK ashtu edhe Prokurori i Përgjithshëm të jenë të zotë e mjaftueshëm me integritet për ti bërë ballë kapjes e presioneve që vijnë nga qeveria e ta bëjnë detyrën e tyre me përkushtim. Do të ishte e pafalshme që tek ta të shihnim disa “Dvoranë” të tjerë që i shërbejnë me devocion pushtetit. Pas 30 vitesh drejtësie të deformuar shqiptarët meritojnë institucione të vërteta drejtësia. Megjithatë, mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë e bëjnë akoma të largët ditën kur Shqipëria do të fillojë të ndërtojë një shteti të së drejtës.

 

Me 26 nëntor Shqipëria u godit nga një tërmet i përmasa madhore ku e shendërroi vendin në një tragjedi  e cila nxorri në pah “ gabimet”  në strukturat shtetërore ku prokuroritë kanë nisur hetimet dhe procedimet  kundrejt disa sipermarrësve që pak ditë më parë morën masën e sigurise arrest me burg . Si e shihni këtë situatë?

 

Tërmeti i 26 nëntorit dhe pasojat e tij, përvec dhimbjes dhe frikës që shkaktuan tek të prekurit drejtëpërsëdrejti, e nxorrën qeverinë cullak në disa aspekte. Së pari tregoi se edhe pse Shqipëria është një vend i predispozuar për të patur goditje tërmeti apo edhe fatkeqsi të tjera natyrore, shteti ynë ka neglizhuar totalisht të marrë masa e të parapërgatitet duke mos qenë të pajisur as me pajistjet që në raste të tilla shpëtojnë jetë njërëzish. Pas tërmetit e  ndjemë veten me të dobët në përgatitje se cdo vend i rajonit përfshi këtu edhe Malin e Zi apo Kosovën. Së dyti dëmet e 26 nëntorit mund të ishin parandaluar nëse qeveria do të kishte trajtuar me seriozitet tërmetin e shtatorit, nëse do të kishte bërë vlerësim të dëmeve dhe do të kishte zhvendosur banorët apo të tjera masa të domosdoshme. Mos reagimi pas tërmetit të shtatorit nga qeveria do të duhet të trajtohet si çështje penale dhe qeveria duhet të mbajë përgjegjësi ligjore. Së treti kuptuam se ekonomia jonë është drejt falimentimit e në buxhetin tonë nuk gjenden fonde për të filluar rindërtimin e për të dalë nga emergjenca. Së katërti ditët pas tërmetit treguan edhe njëherë që vendi drejtohet nga një kryeministër që është i cekuilibruar dhe aq i pa mëshirshëm sa edhe një fatkeqsi të tillë natyrore ku humbën jetë shqiptarësh e ktheu në shoë me batuta, kamera e montazhe, apo e përdori për të burgosur kritikues e kërcënuar qytetarë. Dhe së fundmi është e papranueshme që ka kaluar një muaj pas tërmetit dhe ende nuk kemi një bilanc të qartë të dëmeve nga shtabet e ngritura, ende ka qytetarë që jetojnë jashtë në qiell të hapur ose në cadra që nuk e përballojnë shiun e të ftohtin dhe që ende nuk kemi informacion se nga do të gjenden të ardhurat që duhen për të riparuar  dëmet e për të rindërtuar.

 

Papunësia tek  të rinjtë është rritur ndjeshëm në 3 mujorin e tretë të 2019 sipas statistikave të INSTAT duke shuar  kështu shpresën për një të ardhme më të mirë . Cili është komenti juaj mbi këto të dhëna?

 

Janë disa të dhëna shqetësuese që edhe INSTAT apo institucione të tjera që i përgjigjen qeverisë nuk i mbulojnë dot më,  ky është rasti i rritjes së numrit të papunësisë sidomos në moshat e reja, rritja e numrit të të rinjve dhe profesionistëve që largohen nga vendi, rritja e kostos së jetesës që nuk reflektohet në paga etj. Të gjitha këto janë përgjigje të politikave të dështuara të qeverisë e cila me dashje ka punuar vetëm për xhepat e saj dhe ka lënë në mëshirë të fatit qytetarët. Ka raste kur mendoj se e gjithë kjo është një politikë e mirëmenduar nga qeveria për të depopulluar vendin që të ketë mundësi më lehtësisht të shfrytëzojë pasuritë tona natyrore e të rivendosë një model të ri diktature në vend. Ndërkohë që papunësia rritet, ekonomia bie, taksat shtohen, shërbimet pakësohen e profesionistët largohen. E ardhmja është bërë e pasigurtë. Cilësia e arsimit ka rënë ndjeshëm, shërbimet mjeksore po ashtu. Është për të ardhur keq që viti po mbyllet me tregues më të ulët në cdo aspekt të zhvillimit të jetës. Duhet menjëherë të fillojë marrja e masave për nxjerrjen e vendit nga kjo krizë. Duhet rikthyer shpresa dhe meritokracia. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë më vendi ku mbizotëron i forti, krimineli apo ai që i serviloset liderit “suprem”. Lëvizja Socialiste për Integrim ka krijuar një plan të gjerë masash që synon të forcojë pozitat e të rinjve në shoqëri, që rrit sigurinë e jetës në të gjithë aspektet e saj e mbi të gjitha të nxisë biznesin për tu rritur e investuar në Shqipëri. Padyshim që hapi i parë që duhet ndërmarrë është kthimi i vendit në shinat kushtetuese dhe kthimin e pushtetit të vërtetë tek sovrani duke u mbajtur zgjedhje të reja, të lira e demokratike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here