Prokuroria e Tiranës shpall moskompetencën/ Një akuzë ndaj një zyrtari…

0
109

Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencën për hetimin e padisë së presidentit Meta ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani.

Mësohet se kjo dosje do ti kalojë SPAK-ut, për shkak se kemi të bëjmë me një akuzë ndaj një zyrtari të lartë siç është Kreu i Emërimeve në Drejtësi.

Ka qenë prokurori i Tiranës Alket Mersini ai që ka shpallur moskompetencën për vijimin e çështjes, ndërsa më herët kishte qenë po ky prokuror që kishte marrë në pyetje presidenin lidhur me akuzat e ngritura ndaj Dvoranit.

Përplasja mes Metës dhe kreut të KED, Ardian Dvorani ka nisur për shkak të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, të dy kandidateve për një pozicion, Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari. Kreu i KED, që sipas Metës ishte në shkelje të Kushtetutës, emëroi Arta Vorpsin në Gjykatën Kushtetuese, duke përvetësuar kompetencën e presidentit.

Vetë Gjykata Kushtetuese, edhe sot nuk e ka njohur Vorpsin si anëtare, edhe pasi kjo e fundit u betua pranë një notereje.

Nga ana tjetër Xhaferllari, e dekretuar nga Meta, nisi menjëherë nga puna pas betimit të saj në presidencë, duke e çuar kështu në katër numrin e anëtarëve, si pasojë e shkarkimit të Besnik Muçit, pasi u ‘’dogj” nga Vetingu.

Anëtaret e Gjykatës Kushtetuese janë: Vitore Tusha, Fjona Papajorgji, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari.

Meta e akuzoi Dvoranin për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe“Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penale.

Presidenti i Republikës në cilësinë e Kreut të Shtetit, ashtu dhe në cilësinë e organit të emërtesës sipas Kushtetutës, ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, si dhe ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ka ndjekur në vijimësi dhe me shumë shqetësim prej mëse dy vjetësh procesin e funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe ecurinë e procedurave për verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë.
Presidenti në vijimësi ka bërë thirrje përkundrejt të gjitha institucioneve të përfshira në proces, me qëllim respektimin e Kushtetutës dhe ligjit në mënyrë që të gjitha procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të ishin në mbëshetje të kuadrit ligjor.
Së fundmi, siç dhe jeni bërë me dije qoftë përmes medias së shkruar dhe vizive, nga debati publik, por dhe nga deklaratat publike të Presidentit të Republikës është konstatuar se përgjatë veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (2019) janë konstatuar disa shkelje të rënda përgjatë ushtrimit të detyrës nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi zoti Ardian Dvorani, veprime këto të cilat kapërcejnë kufirin e “shkeljes disiplinore”, dhe hyjnë drejtëpërdrejtë në sjellje që e ngarkojnë zotin Dvorani me përgjegjësi penale.
Veprimet dhe mosveprimet e zotit Dvorani kanë krijuar një pasojë shumë të rëndë, që është cenimi i legjitimitetit të të gjithë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe kanë krijuar një debat të fortë publik që sjell pasoja të pariparueshme për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë dhe uljen e besimit të publikut tek Gjykata Kushtetuese dhe implementimi i reformës në sistemin e drejtësisë.
Presidenti i Republikës, pasi i ka konstatuar këto veprime dhe mosveprime, vlerëson se ato përbëjnë jo vetëm shkelje disiplinore, por dhe vepra penale. Bazuar në nenet 281 të Kodit të Procedurës Penale, Presidenti i Repubikës parashtron këtë kallëzim penal përpara organit të akuzës me qëllim fillimin e hetimeve ndaj zotit Ardian Dvorani për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 Kodit Penal dhe“Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal, pasi nga tërësia e rrethanave vlerësohet se përgjatë detyrës së Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ai me dashje ka shpërdoruar funksionin publik që i është ngarkuar dhe ka marrë përsipër të realizojë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here