Panariti: Pjesëmarrja e Shqipërisë në Minishengen minon dialogun Kosovë-Serbi! Gjuha e Ramës është e rëndë

0
128

Ish-ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, komentoi minishengenin ballkanik, ku tha ndër të tjera se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë minishengen, minon dialogun Prishtinë-Beograd, duke i krijuar hapësirë Serbisë

”Pjesëmarrja e Shqipërisë në minishengen, minon dialogun Prishtinë-Beograd duke i krijuar hapësirë Serbisë”.

Panariti tha se qeveria duhet të ishte konsultuar me parlamentin dhe forcat e tjera politike, duke e quajtur hapin e saj, naiv.  

“Dalja e këtij propozimi në këtë moment dëmton rëndë dialogun Prishtinë-Beograd, dhe i krijon një hapësirë Serbisë e cila nuk është për dialog mes dy vendeve. Ne bëhemi pjesë e një garniture të panevojshme. Ka një mungesë transparence të plotë për pikat e marrëveshjes. Një qeveri e përgjegjshme, për nisma të tilla duhet të pyesë edhe parlamentin shqiptar, forcat politike. Vizita e parë që Rama duhet të bënte do duhet të ishte në Kosovë për të marrë mendimin e tyre për të planifikuar më pas veprimin e radhës. Çdo lëvizje e Shqipërisë pro kësaj marrëveshje është e rrezikshme.

Kostoja e parë është për Kosovën. Serbia tashmë ka vendosur vijën e kuqe dhe nuk e njeh Kosovën duke vendosur bllokada në të gjitha nivelet. Unë mendoj që hapja e lojës në mënyrë të panevojshme nuk duhet të bëhen. Kosova nuk mund të ishte prezent, sepse nismëtarja e kësaj nisme, Serbia, nuk e njeh atë. Veprimi i Kosovës është i menduar, ndërsa i Shqipërisë është naiv, dhe i pakonsultuar”, tha Panariti.

Ndërsa gjuhën e kryeministrit Edi Rama në drejtim të liderëve politikë të Kosovës, Panariti e quajti të rëndë, duke bërë thirrje se procesi duhet ngrirë, për shkak se për sa kohë nuk është bërë transparencë, ekzistojnë dyshime se disa individë duan të përfitojnë për interesat e tyre politikë. “Gjuha e kryeministrit ishte e rëndë. Në vend që të shkojmë në krah të qëndrimit dinjitoz të Kosovës, krijojmë pole që e pengojnë dhe që janë pjesë e një strategjie të mirë menduar dhe i shërbejnë vendeve për qëllimet e tyre politike. Ky proces duhet të ngrijë. Këto janë çështje delikate. Unë prisja të krijohej një debat mes forcave politike, pasi ky proces duhej analizuar për përfitimet dhe kostot. Ti nuk mund të veshësh një kostum mbi një trup të plagosur. Për sa kohë sa nuk është bërë transparencë ekzistojnë dyshime se disa individë duan të përfitojnë për interesat e tyre politikë”, përfundoi Panariti.

Gjatë samitit së të shtunës në Tiranë, Rama e quajti të pakuptimtë vetëizolimin e Kosovës dhe refuzimin për të përfituar nga marrëveshjet ekonomike që nxori ky samit. Por pavarësisht situatës së krijuar, ky samit nuk e pengon vijimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nga Samiti në Tiranë, tha se vendet nuk duhet të mbeten peng i së shkuarës e konflikteve dhe se është koha për paqe e për zhvillim ekonomik. Ai tha se të gjithë janë të mirëpritur të marrin pjesë. Jashtë Samitit, nga 6 vende të Ballkanit të Perëndimor, nuk kanë pranuar të marrin pjesë vetëm Kosova dhe Bosnje-Hercegovina./Report Tv

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here