“Këto janë orët e fundit”/ Vokshi-Ramës: Ka edhe një shans për të mos nxirë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë!!!

0
118

Partia Demokratike i është drejtuar serish sot kryeministrit të vendit me thirrjjen, që të kthejnë mbrapsht paketën anti-shpifje. Me anë të një deklarate për mediat, Albana Vokshi, tha se ky ligj synon t’u mbyllë gojën mediave dhe i frenon në publikimin e aferave korruptive të kryeministrit, por edhe të familjes së tij.

Deklarata e plotë:

Këto janë orët e fundit, që Edi Rama ka një shans për të mos nxirë edhe më shumë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë, si vendi, ku media detyrohet me ligj të mbyllë gojën.

Paketa e censurës, e iniciuar personalisht nga Edi Rama, është sot shqetësimi kryesor e institucioneve europiane, që mbrojnë të drejtat e njeriut, Këshillit të Europës, OSBE –së dhe Parlamentit Europian.

Njësoj si shoqatat shqiptare dhe ndërkombëtare të gazetarëve, ata bëjnë thirrje të hiqet dorë nga censura e fjalës së lirë dhe shkelja e të drejtave themelore të njeriut. Në të kundërt –  paralajmërojnë ata – Shqipëria rrezikon kryesimin e radhës së OSBE-së dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Edi Rama është përgjegjësi kryesor pse Shqipëria prej 6 vjetësh nuk ka bërë ansjë hap përpara me integrimin e vendit, por shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh që për tekat e tij personale dhe mënyrën autokratike të qeverisjes së tij, Shqipëria të djegë sërish shansin për të nisur bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Paketa e censurës kundër fjalës së lirë ka si qëllim kryesor heshtjen e medias online për të mos publikuar aferat korruptive të Edi Ramës, ministrave të tij, oligarkëve me të cilët pasurohet dhe familjes së tij, që kontrollon çdo interes ekonomik në Shqipëri.

Paketa e censurës ka për qëllim asgjësimin e shtyllave kryesore të një shoqërie të lirë e demokratike, lirisë politike, lirisë së zgjedhjes, shtetit të së drejtës, drejtësinë e pavarur dhe median e lirë.

Media online është kalaja që Edi Rama nuk e ka pushtuar dot akoma. Kontrolli i plotë edhe mbi këtë pjesë të medias është objektiv strategjik për Edi Ramën, pasi ai ka marrë nën kontroll këto 6 vjet çdo pushtet tjetër.

Partia Demokratike mbështet çdo instrument që garanton standardet europiane për lirinë e shprehjes në lidhje me normat dhe praktikat e vetërregullimit të medias.

Nëse Edi Rama, nuk ndalet edhe këto orë të mbetura, duke i shkuar deri në fund përpjekjes së tij për t’i mbyllur gojën kujtdo që denoncon keqqeverisjen dhe korrupsionin e tij, Partia Demokratike rikonfirmon vullnetin e saj për të shfuqizuar këtë paketë antikushtetuese dhe antidemokratike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here