Lajmin u bë i ditur për Radion Evropa e Lirë Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur.
Autoritetet e Kosovës konfirmuan se gjatë gërmimeve në brendësi të hapësirës së varrezave të komunitetit mysliman në Mitrovicë të Veriut kanë gjetur të mërkurën mbetjet mortore të së paku dy personave, që dyshohet se janë viktima të luftës së fundit në Kosovë dhe janë në listën e personave të pagjetur deri më tash.
Gërmimet, javën e kaluar, në kampusin universitar në Prishtinë, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë gjetje, nuk janë të fundit për këtë vit, kanë thënë zyrtarët e Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur.
Rreth 6 500 persona kanë rezultuar si të pagjetur në përfundim të luftës në Kosovë, në vitin 1999. Në varrezat masive në Kosovë dhe në Serbi tashmë janë gjetur rreth 70 për qind e tyre. Ndërkaq, fati dhe vendndodhja e rreth 1,600 personave të tjerë nuk dihen ende.