Depozitat e ujit, rreziku që na “fle” mbi kokë çdo ditë

0
170

“Ka qenë tmerr i paparë, mezi kemi shpëtuar nga depozita e ujit, që desh na ra në tokë. Na ka ruajtur Zoti”, ishte dëshmia e parë e një zonje nga Durrësi pas tërmetit të 21 shtatorit, gjatë të cilit disa depozita ranë nga pallati ku ajo banonte. Por do të ishte tragjedia e 26 nëntorit, ajo që do të ngrinte alarmin për rrezikun që na kanoset nga vendosja e depozitave mbi tarracat e pallateve.

Një pallat në Durrës pësoi dëme të jashtëzakonshme nga shembja e depozitave, të cilat shkatërruan plotësisht zonën e shkallëve, duke u bllokuar banorëve edhe daljen nga ndërtesa.

Ky është një rrezik për të cilin sizmologët, inxhinierët, kanë ngritur vazhdimisht alarmin, por që deri më tani, ashtu si shumë nga paralajmërimet e ekspertëve në Shqipëri, kanë rënë në vesh të shurdhët.

“Depozitat e ujit janë një peshë e pallogaritur për strukturën e një pallati”, i thotë Gazetës “Si” inxhinieri Idlir Dervishi. “Janë si një kat shtesë, që në rast të një lëkundjeje të fortë mund të shkëputen dhe të bien, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve por edhe banorëve”, thekson inxhinieri.

Sipas tij, një tjetër rrezik që vjen nga depozitat e ujit është edhe rrjedhja e vazhdueshme e ujit, e cila dëmton strukturën e tarracës. “Uji dëmton dhe dobëson betonin, duke e bërë tarracën gjithnjë e më të pasigurtë. Po ashtu depozitat janë veçanërisht të rrezikshme kur vendosen në të njëjtin vend, duke rrezikuar banorët në rast lëkundjesh.

Horizonti i kryeqytetit dhe qyteteve të mëdha dominohet nga depozitat e shumta të ujit, të cilat simbolizojnë faktikisht dhe figurativisht sfidat e familjeve shqiptare për furnizimin me ujë të pijshëm.

Edhe inxhinierja Luljeta Bozo është e prerë kundër vendosjes së depozitave në majë të tarracave të pallatave dhe të shtëpive. Ajo shpjegon se soletat janë bërë për të mbajtur 75 kilogramë për metër katror dhe pesha e depozitave e rrit riskun për shembje në rast lëkundjeje sizmike.

“Në asnjë mënyrë nuk duhet të mbahen depozita uji. Duhet të gjendet menjëherë zgjidhje për ujin. Kini parasysh, soletat janë bërë për të mbajtur 75 kilogramë për metra katrorë. Atëherë kur ju vini depozita 500 litra nuk është e njëjta sasi apo jo. Në rast lëkundjesh, e çdo lloj lëkundjeje sizmike kjo i jep një forcë shtesë kujtdo, shkëput depozitën dhe bie poshtë edhe soleta. Ndaj, duhet të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë, se ndryshe nuk ka zgjidhje. Edhe uji po nuk rodhi nuk është higjenik. Duhet të zgjidhet furnizimi me ujë”, ka thënë inxhinierja Bozo.

Pallatet e reja kanë kate të nëndheshme ku mund të vendosen depozitat, por problemi qëndron tek pallatet e ndërtuara para viteve 2000, të cilat nuk kanë as kate dhe as dhoma të nëndheshme. Në rast lëkundjesh, këto pallate janë në këtë mënyrë të rrezikuara jo vetëm për shkak të metodologjisë së ndërtimit, por edhe të depozitave që qëndrojnë aty prej vitesh. Depozitat rrezikojnë jetën e banorëve dhe kalimtarëve edhe në raste stuhish dhe erarësh të forta, ashtu siç ndodhi para disa vitesh në Kukës kur rrëzimi i një depozite la një të vdekur dhe disa të plagosur.

Në maj të vitit 2016, kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, zoti Erjon Veliaj siguroi se Tirana do të ketë ujë të pijshëm 24 orë në ditë dhe se shumë shpejt do të niste çmontimi i depozitave të ujit, që sipas tij, janë një burim infeksionesh dhe shëmtojnë qytetin.

Në atë kohë, kryebashkiaku nënshkroi një marrëveshje mes UKT dhe USAID dhe u shpreh se duke nisur nga ai muaj, taksat e pushtetit vendor do të ishin të përfshira në faturën e ujit. Por kanë kaluar tre vite dhe mijëra depozita vazhdojnë të qëndrojnë të heshtura në peizazhin e Tiranës.

Ndërkohë, sipas profesorit Elvis Meka, për të zgjidhur këtë problem duhet vetëm një ndërhyrje: furnizimi me ujë 24 orë në çdo shtëpi. Kjo – sipas tij – mund të zgjidhet nëse të gjithë do të investonin në rrjetin e ujësjellësit, për ta kthyer në shoqëri aksionere, duke u bërë bashkëpronarë të saj.

“Në Shqipëri njerëzit kanë investuar qindra miliona euro në vitë për të blerë dhe instaluar depozita uji, pompa, tuba dhe plot pajisje hidraulike, me qëllimin e vetëm: sigurimin e ujit 24 orë në ditë”, shkruan ai në rrjetet sociale. “Nëse këto para do të ishin investuar në infrastrukturën e ujësjellësave, kryesisht në qytetet e mëdha, duke u bërë aksionerë të kompanive të ujësjellësave, atëherë sot do të kishim 24 orë ujë, plus që shqiptarët do të ishin bashkëpronarë të këtyre kompanive, e mbi të gjitha nuk do të lejonin shpërdorimin dhe vjedhjen e ujit në përmasat katastrofike tipike shqiptare. Mbi të gjitha, do të përfitonin dividendë, nga shitja e një malli me përmasa strategjike, siç është uji. Bota ka shpikur shoqërinë aksionere pikërisht për këtë qëllim, por që të jetë funksional ky mekanizëm, duhet të ketë kohezion social dhe dakordësi për t’u bashkuar mes njerëzve shqipfolës, për një qëllim dhe të mirë të përbashket e fitimprurëse”, shkruan ai në rrjetet sociale.

“Gazeta Si”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here