Mirë provokimet e këtij tërmeti të lig, po ky Rama çfarë halli ka?!

0
182
Nga Poli Hoxha 

Njësoj si ky tërmet i lig, edhe Edi Rama po provokon fort dhe me një pabesi të paprecedentë. Hallin që e ka zënë e ka të shkruar në ballë dhe orë pas ore e nxjerr, edhe nga goja e oxhaku i tij në FB. Jemi mësuar me këto, por jo pikërisht më këto ditë katastrofe e ankthi kombëtar kur qeveria, shteti i tij po rezulton një ngrehinë kartoni; më blof se sa e kishim menduar dhe imagjinuar. Dhe jo vetëm kaq; ka edhe guximin që të bëjë cinikun, mburravecin e mbi të gjitha kërcënuesin.

Ndërkohë që stresi kolektiv po kalon në simptoma sëmundjesh depresiviteti për banorët e një zone me gati 1.5 milion njerëz e shteti lëviz si kërmill, kryeministri shantazhon këdo që ia thotë këtë.

Nuk e priste dhe nuk i pëlqeu që në mënyrë spontane dhe instinktive, shqiptarët të krijonin aq shpejt dhjetëra `qeveri paralele` me të tijën dhe një uragan solidariteti, i cili megalomaninë e tij e nxjerr si një buburrec të fryrë, nën këpucën tënde në ajër.

Nuk u ndje mirë pse shqiptarët këtu, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi e kudo në botë si dhe mediat sistematikisht kritike, për herë të parë nuk i kërkuan llogari atij dhe qeverisë që drejton, për institucionet prej letre që duhej të përgjigjeshin në këtë situate. Nuk denjuan të vinin në qendër të këtyre ditëve një kryeministër, që vdes të gërricet, edhe kur tërmetet tundin shumë ballë vendin dhe mendjen e shqiptarëve, por thjesht vepruan si në kohë emergjence.

Duket se i ka ikur truri pse atë që ai e quan `shtet`, shqiptarët e konsideruan vetëm 5 minuta pas tërmetit të madh, si inekzistent. Siç edhe u vërtetua, se është vërtet. Është ofenduar që kryeministrin e vendit, “njeriun e veprave të mëdha`, i gjithë kombi shqiptar; politika e qeveria në Prishtinë (madje edhe miku i tij Hashim Thaçi) bizneset e mëdha e të vogla, (edhe `oligarku` Kastrati), e trajtuan si një llafazan punë pambaruar dhe vepruan pa pritur që të jepte viston ai.

Duket se nuk po i del `e keqja`; se përse shqiptarët, gazetarët, e madje edhe kundërshtarët politikë, nëpërmjet një `marrëveshje` spontane që buron nga dhimbja për ata që kanë humbur jetën dhe për mijëra të tjerë që iu është përmbysur shtëpia, jeta dhe bota, të zënë me punë për të mbledhur ndihma e dhënë solidaritet e shpresë, nuk i kërkuan në këto ditë fare llogari, për këtë derexhe ku e ka lënë shtetit për raste të tilla.

Po ku të lë Edi Rama; të kërkon ai i pari llogari!

Hyni në Google dhe shihni çfarë fjalësh kanë thënë presidentët dhe kryeministrat e SHBA, Japonisë, Indonezisë, Greqisë e kudo nëpër botë ku kanë ndodhur katastrofa të tilla, në ditë të tilla. Populli, kombi, qeveritë, politika e kushdo bëhen njësh përballë fatkeqësisë.

Dëgjoni dhe lexoni, edhe kryeministrin e Shqipërisë; çfarë nxjerr nga goja që nga e `marta e zezë`, e sa herë që e hap atë. Pas “kçk-izmit” i erdhi shansi që të shpik me rastin e kësaj fatkeqësie, edhe `gamgam-izmin`. Se kush ka bërë gam-gam dhe jo punë në këto 7 vite po e shohim sot te ata punonjës të shtetit, që nuk kanë as kokore për të ruajtur kokën e tyre. Por ai vazhdon dhe sheh ligësi, te ata që thonë të vërtetën, por Zoti e tërmeti ja shtoftë inatin!

Tani na shfaqet edhe shumë i nervozuar dhe ende pa u mbyllur bilanci i të vdekurve, provokon. Sepse nuk po i funksionon bojatisja e realitetit, siç na e ka futur në këto 7 vite. Orë pas ore falë punës epike të medieve pa përjashtim, po del në sipërfaqe se ky tërmet na ka lënë pas thjesht ato 3-4 ndërtesa që morën jetën e mbi 40 fatkeqëve, por një plagë gjigante. Jo vetëm materiale, por mbi të gjitha humane e psikologjike. Plagë e mbushur me pasiguri dhe ankth, që po sëmurë, qindra mijë fëmijë e prindër. Një plagë që pavarësisht nga mrekullia që po shpalosin shqiptarët sot, kërkon një shtet prej vërteti për tu kuruar.

Shihni çfarë bën ky `shtet` që  Rama pretendon se e ka.

Ndërkohë që gazetarët brenda kampeve, transmetonin dëshmi live të nënave me fëmijë të porsalindur që po kalonin natën e dytë mes të ftohtit dhe askush nga shteti nuk po i kontaktonte, japin urdhrin që policia të rrethojë kampin me qëllim që mediat të mbahen larg nga këto lloj dëshmish.

Ata policë të Lleshit, në fakt duhej të ishin duke rrethuar qindra pallate dhe shtëpi, të cilat janë të rrezikuara nga tërmetet që nuk pushojnë, për t’i mbajtur banorët lag tyre. Aty te ata qindra pallate e shtëpi me themele të krisura e mure të çara ku vazhdojnë që të rrinë brenda mijëra njerëz, duhej të ishin specialistët e ndërtimit (sidomos ata të firmave që kanë marrë tendera e koncesione miliardësh, nga taksat e shqiptarëve) të thirrur me dhunë e ligjit të Gjendjes së Jashtëzakonshme. Pranë asaj nënës e qindra fëmijëve të tjerë, duhej të ishin psikologët e thirrur nga gjithë Shqipëria.

Por Edi Ramës dhe çetës së tij i është dhjamur truri këto 7 vite `të begata` (familjet i kanë nisur me avionin e parë pas tërmetit) dhe nuk ju shkojnë ndërmend këto. Është i nervozuar, sepse së bashku me ngrehinën që ka menduar vetëm për të grabitur këta qytetarë që sot kërkojnë të paktën hakun e takave që ju ka mbledhur, e gjen veten jashtë loje.

Sepse ai di të bëjë vetëm një lojë; atë të `gamgamizmit` në TV e FB. Sot që kishte mundësinë që të tregonte, se edhe qeveritë e korruptuara, të paafta e prej kartoni, në raste katastrofash të tilla mund të dalin nga vetja e të reflektojnë, ai po vazhdon avazin e gjetjes së “armiqve” që `ndollën dhe po amplifikojnë` pabesinë që na i paska bërë vendit të tij `të zhvilluar` natyra dhe zoti.

Në vend që t’i përvishet punës, turfullon, sepse po sheh që në vend të qeverisë së tij, po punojnë shumë `qeveri` të tjera. Më e madhja; ajo e miliona shqiptarëve e cila veproi me shpejtësi dhe nuk priti deri sa ai të merrte ndonjë lule nga ato që ka në bahçen e Surrelit (Falur nga Kajmaku i Vorës, ende në arrati), deri sa petalet e këputura, (e shpall, nuk e shpall), të vendosnin për Gjendjen e Jashtëzakonshme.

E ka trembur kjo `qeveri` e miliona shqiptarëve kudo në botë të cilët nuk pritën, sa ai të bënte prova me Fugën e të dilte në ERTV. Madje nuk e pritën që t’i ftonte e t’u kërkonte ndihmë, as qeveritë prej vërteti të Kosovës, Greqisë, Rumanisë, Izraelit, Italisë, etj.

I ka ikur truri fare kur sheh, se  në llogarinë-financiare që ka hapur qeveria e tij prej kartoni, `e-Albania.al`, deri mbrëmë afër mesnatës nuk ishin mbledhur as 10 milion lekë të vjetra, ndërsa vetëm te dy `qeveri paralele` si `Fundjava ndryshe` dhe `JOF`, kontributet e shqiptarëve ishin përkatësisht 1.3 milion dhe mbi 160 mijë dollarë. Të mos flasim se çfarë mendon dhe ndien, kur sheh se si mijëra qytetarë në vend të institucioneve, drejtohet te ata që mbrojnë Teatrin Kombëtar, për të kontribuar!

Shkalloi një ditë më parë kur Kastrati si biznesmen i vjetër dhe i rafinuar vetëm 10 minuta pasi i thoshte live Behxhet Pacollit, se as që bëhej fjalë të hiqej taksa e Rrugës së Kombit të paktën për ata që sillnin ndihma nga Kosova, urdhëroi punonjësit e vetë që të bënin atë që kërkonin njëzëri shqiptarët. Sepse Rama është trashur dhe është bërë aq i lig paralelisht me pasurimin, sa që nuk di të bëjë më as auto-marketing.

Për ta lëpirë sado pak këtë plagë, në mes të natës na u shfaq i `trishtuar` dhe desh derdhi lotë krokodili kur `si pa dashje`, Sokol Balla, i kujtoi se djalit të tij Gregut ky tërmet i ka marrë të dashurën. `Ju kam si Gregu` ju thoshte të dëshpëruarve në mes të natës, i veshur me tuta të varura, njësoj si ata që kishin ikur direkt nga krevati menjëherë pas tërmetit.

Nuk di çfarë të bëjë i ngrati, kur sheh se po e trajtojnë si të panevojshëm të gjithë.

Sot kaloi në fazë tjetër; po kërcënon se hapin e parë që do të marrë në kuadër të Gjendjes së Jashtëzakonshme, të cilën e shpalli vetëm nën presion publik dhe mediatik është fikja e dritareve informative.

Nuk rri dot pa u gërricur, ndërkohë që vendi është në katastrofë. Sepse ndihet lakuriq me pelerinën e propagandës të bërë copa-copa, e të flakur mënjanë nga ky tërmet. Sepse po sheh që `qeveria` e medias është ku e ku më përpara se institucionet e tij. Kërkon që `t’i fikë`, vetëm pse pyesin:

Pse e mbani të fshehtë gjendjen e buxhetit për këto raste; pse nuk tregoni për të zhdukurit nën gërmadha, për qindra pallate e shtëpi që janë rrezik e të pabanueshme, por popullohen ende; ku janë fondet për emergjencat; sa çadra, batanije, oriz, miell, konserva… ka në magazinat e shtetit për këto raste…

Bën mirë në fakt që t’i mbyllë, sepse `e fëlliqën` Shqipërinë jo vetëm përpara francezëve, italianëve, izralitëve, grekëve e rumunëve, por edhe përballë serbëve e maqedonësve të veriut. Vetëm nëpërmjet këtyre mediave “kriminale” që i kërcënon me fikje, shqiptarët dhe mbarë bota mësuan se emergjencat e tij punojnë në shekullin e teknologjisë së lartë vetëm me lopata dhe kazma (natyrisht, edhe pistoletat që ju vareshin turpshëm gjatë kërkimeve). Qentë e kërkimit kanë ngrënë e janë trajnuar me plot 1.2 milion dollarë, por ata pikërisht atë ditë që duheshin, kushedi se nga ishin zhdukur. Një dron termik që Lali Eri u mburr se ia nisi dhuratë homologu i Shkupit, nuk kushton më shumë se 2-3 mijë euro (Sa rreth 5 metra katrorë të Fushës te Sheshi  Skënderbeut), por `nuk kemi lekë`.

Të gjithë e panë dhe e kuptuan nga ky tërmet, greminën e madhe mes shqiptarëve dhe qeveritarëve. Por bilanci i kësaj gremine, pret. Është koha që të përkrahim `qeveritë paralele` që po punojnë për të kapërcyer sa më shpejt të mundim këtë gjëmë, që i ka rënë Shqipërisë.

Punojnë ato, edhe pse nuk po pushon së provokuari ky tërmet i lig, të cilit i bashkohet edhe një farë, Edi Rama, i cili vërtitet si një i çmendur nëpër kantier duke bërtitur; Unë, vetëm unë jam qeveri dhe kryeministër!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here