Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka tronditur financat e vendit, pasi ka nxjerrë në pah gropën ekonomike dhe manipulimin që ka bërë qeveria shqiptare për të mbuluar borxhin real.
Mbi raportin e Buxhetin Faktik për 2018-ën, KLSH ka treguar haptazi skandalin e shthurjes financiare, e cila rrezikon që të çojë ekonominë e vendit në kolaps.
Duke dashur që të mbulojnë borxhin publik, financat kanë fshehur detyrimet e prapambetura dhe borxhet e tjera, të cilat arrijnë deri në 610 milion euro.
Skemat e ndjekura deri tani nga qeveria, kanë çuar në greminë ekonominë e vendit, duke lejuar që borxhi publik të kapë shifra alarmante.
Sipas raportit të KLSH-së, qeveria është treguar e paaftë që të paguajë detyrimet e saj, ndërkohë që financat janë dobësuar. Por edhe PPP-të, të cilat janë konsideruar si një arritje nga Rama, janë një rrezik për rrënimin e ekonomisë dhe për rritjen e borxhit publik.
Ajo që mbetet shqetësuese është fakti se nësë borxhi publik do të llogaritej në bazë të raportit të KLSH-së, atëherëe ai do të ishte 81%.
Fshehja e borxhit real nga ana e qeverisë na kujton skenarin grek, ku financat e shtetit helen ishin dobësuar deri në kolaps, ndërkohë që shifrat e paraqitura nga qeveria tregonin një tjetër situatë.
Sa i takon detyrimeve të prapambetura, KLSH shprehet se Ministria e Financave nuk tregon shifrat e sakta, por i mbulon ato.
“Në konkluzion konstatojmë se MFE nuk ka kontroll mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit”- thuhet në raport.
Ndërkohë që në lidhje me këtë skandal, më herët reagoi dhe Partia Demokratike, ku përmes ish-deputetes Jorida Tabaku, u shpreh se çdo shqiptar duhet të paguajnë 200 euro për të mbuluar borxhin e Ramës.
Sipas opozitës joparlamentare, borxhi i fshehur është një këmbanë alarmi për rrënimin e ekonomisë së vendit.