Pas tërmetit/ Kërkohet me urgjencë vlerësimi sizmik i digave, shkollave, spitaleve

0
125

Nga Blerina Hoxha-Monitor

Tërmeti i magnitudës 5.8 me intensitet mbi 6-7 ballë, që goditi rajonin Tiranë-Durrës më 21 shtator ishte më i forti që kur Tirana u shpall kryeqytet në vitin 1920.

Inxhinierët pohojnë se ky tërmet duhet të shërbejë si një leksion për institucionet.

Duhet të bëhet me urgjencë vlerësimi sizmik i digave, shkollave, spitaleve dhe institucioneve që shërbejnë si qendra kolektive.

Duhet të rinovohen hartat sizmike dhe kodet e projektimit me eurokodet. Legjislacioni për lejet e ndërtimit duhet të rishikohet, skemat e sigurimit duhet të ngrihen dhe kurrikulat në shkolla duhet të ndryshojnë.

Ekspertët bëjnë diagnozën e tërmetit dhe japin sugjerime

Shqiptarët, kur blejnë një makinë, mendohen 100 herë. I shohin një për një detajet. Sa kilometra ka bërë, sa harxhon, çfarë opsionesh ka, e çojnë në dy-tre servise për të testuar sigurinë, etj., etj. Në mënyrë të ngjashme, veprojnë edhe kur blejnë një frigorifer apo një pajisje tjetër elektroshtëpiake. Pasi kanë kontrolluar të gjitha njësitë e shitjeve dhe kanë testuar nivelin e çmimit, interesohen në hollësi nëse është AAA + (me kursim maksimal të energjisë), a ju kombinon ngjyra, a ka derën në krahun e duhur dhe dhjetëra vlerësime të tjera të kësaj natyre. Por, kur vjen puna për shtëpinë, investimin e jetës, gjithçka thjeshtohet. Ata që ndërtojnë vetë, mjaftojnë vetëm të kenë paratë.

 

Parapëlqejnë të ndërtojnë pa leje, nuk marrin në shqyrtim asnjë parametër për sigurinë, bëjnë vetë inxhinierin, vetë arkitektin. Për të tjerët që blejnë, merr rëndësi vetëm çmimi, zona, urbanizimi përreth, por asnjëherë siguria që ofron objekti, madje në shumë raste, as hipoteka. Por, tërmeti i datës 21 shtator, i orës 16:15 me magnitudë 5.8, më i fuqishëm se 6 ballë, më i forti i regjistruar që kur Tirana u shpall kryeqytet në vitin 1920, i cili për fat ra në një ditë dhe orë të përshtatshme që amortizoi dëmet, duhet të shkundë njëherë e mirë mendjet e njerëzve, për t’i kushtuar vëmendjen e duhur sigurisë së banesës.Ekspertët shpjegojnë se magnituda është një madhësi që përcakton tërmetin në qendrën e tij, ndërsa intensiteti në ballë përcakton efektin e tërmetit në një vend të caktuar.

Shumëkush është befasuar nga dëmet e pakta të lëkundjeve të forta që zgjatën rreth 20 sekonda. Ndërtimet në Tiranë rezistuan më shumë sesa prisnin shumica, madje edhe vetë inxhinierët që i kanë projektuar ato, por është koha për reflektim. Inxhinieri i ndërtimit, Agim Serani, zv.dekan në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit tha se, tërmeti ishte një eksperiment që dha një leksion të vlefshëm për të gjithë. Edhe për zotin Serani, është befasuese që nuk pati dëme, po tani është koha të nxjerrim mësime nga bilanci i tërmetit, të cilat përfshijnë një vlerësim të ri për sigurinë sizmike të banesave me rëndësi të lartë publike, si diga, shkolla, spitale, stadiume etj.

Shteti dhe institucionet duhet të përfshihen në një analizë të thellë të legjislacionit në drejtim të sigurisë sizmike, kodet e ndërtimit dhe hartat sizmike duhet të rinovohen, produktet e sigurimet nga përmbytjet duhet të masivizohen dhe shoqëria duhet të përgatitet se si duhet reaguar në këto situata.

Nga raporti i fundit operativ i Emergjencave Civile janë raportuar 1528 objekte të dëmtuara, nga të cilat janë shkatërruar plotësisht 50 banesa, kryesisht në zonat rurale, janë plasaritur rreth 160 pallate, një qendër shëndetësore, 34 shkolla, 13 universitete publike. Dëmtimet më të mëdha kanë ndodhur në fshatrat e Durrësit, por edhe të Tiranës, Ndroqit, Vorës, Maminasit, ku banesat janë shkatërruar. Si pasojë e lëkundjeve sizmike, të paktën 105 persona mbetën të lënduar.

Inxhinieri Serani pohon se, nga pikëpamja inxhinierike është më e vështirë të riparosh një ndërtesë të prishur se të projektosh një të re.

Urgjent vlerësimi sizmik i digave, shkollave, spitaleve dhe godinave të qeverisë

Kontinenti ku jetojmë bën në mënyrë periodike një vlerësim për sigurinë sizmike të objekteve me rëndësi strategjike publike, të tilla si, digat, shkollat, spitalet, etj., në mënyrë që siguria e tyre të jetë e garantuar edhe për tërmete që bien një herë në qindra vite. Inxhinieri Agim Serani shprehet se pas lëkundjeve të 21 shtatorit, një grup pune duhet të vlerësojë shumë shpejt gjendjen në të cilën ndodhen digat në rajonin Tiranës – Durrës. Vlerësimi duhet shtrirë edhe në të gjitha objektet shkollore dhe spitalore.

Sipas të dhënave nga Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha, momentalisht janë rreth 630 sisteme rezervuarësh me diga në Shqipëri, prej të cilave, 307 konsiderohen ose me diga të larta, me lartësi 15 metër, ose rezervuarë të mëdhenj. Lëvizjet e popullsisë dhe zgjerimi i qyteteve ka çuar në rritjen e përqendrimit të popullsisë dhe vlerave materiale në rrjedhjet e poshtme të lumenjve.

Shpërthimi i tetë digave të mëdha, në zonën qendrore të Shqipërisë, vlerësohet të prekë të gjithë qytetin e Elbasanit, Lushnjës dhe Divjakës (respektivisht mbi 100 mijë, 38 mijë dhe 10 mijë banorë). Digat e mëdha, sidomos në kaskadën e Drinit, janë projektuar të përballojnë një tërmet 9 ballë dhe në përgjithësi digat projektohen për të përballuar tërmete deri në 9 ballë me pritshmëri ndodhjeje, jo më pak se 1000 vjet. Të gjitha digat e ndërtuara në Shqipëri në të gjithë vendin janë projektuar për përballuar më shumë se 8 ballë. Inxhinierët e ndërtimit pohojnë se pas çdo lëkundje, vepra të tilla duhen të kalojnë në një rivlerësim sizmik për shkak se vjetërsia e tyre është më e madhe se 20 vjet.

Inxhinieri Serani këshillon një rivlerësim për sigurinë sizmike të shkollave dhe spitaleve. Nëse tërmeti i datës 21 shtator do të ishte në një ditë jave dhe në një periudhë mësimore në Fakultetin e Gjeologji – Minierave mund të kishte pasur viktima. Nëse do të ishte ditë mësimi, do të kishte shumë plagosur në përpjekje për t’u larguar. Inxhinieri pohon se rivlerësimi i objekteve duhet të bëhet me urgjencë për të vlerësuar në kohë dëmet e tërmetit të 21 shtatorit, në mënyrë që riparimet dhe përforcimet e duhura të bëhen shumë shpejt. Ky nuk është tërmeti më i madh që vendi pret.

Edhe godinat qeveritare duhet të kalojnë një vlerësim të ri sizmik dhe po ashtu, të gjithë spitalet. Serani pohon se objektet informale që janë në proces legalizimi ose jo duhen vlerësuar në këtë aspekt.

Rreth 500 mijë objektet informale të ndërtuara pas viteve 1990, duhen vlerësuar për arsye se janë ngritur në terrene pa marrë në konsideratë rreziqet natyrore si tërmetet, përmbytjet dhe rrëshqitjet. Rivlerësimi sizmik i objekteve kërkon ekspertizë dhe fonde, por ky proces duhet të kryhet me urgjencë në digat dhe objekte kolektive.

Hartat sizmike dhe kodet e vjetruara duhen rinovuar

Objektet që ndërtohen aktualisht në Shqipëri janë të detyruara të marrin në konsideratë kriteret për sigurinë sizmike të përcaktuara në Kodin Teknik të Projektimit (KTP) në vitin 1989. Ky kod zbatohet duke marrë në konsideratë një hartë zoonimi të tërmeteve, që është edhe më e vjetër dhe që daton në vitin 1979. Kjo hartë është përcaktuar për projektimin e ndërtesave të zakonshme me lartësi deri në 6 kate. Për struktura të tjera, dispozitat e ligjit kërkojnë përpunimin e dokumentimit të zonimit të detajuar për vlerësimet sasiore të parametrave të projektimit të varur nga sizmika e vendit.

Inxhinierët e ndërtimit pohojnë se aktualisht janë tre lloje hartash të zoonimit sizmik, të punuara nga autorët e fushës, por asnjëra prej tyre nuk është zyrtarizuar e për pasojë, nuk ka formë ligjore. Ndërkohë inxhinierët shqiptarë, kur projektojnë, janë të lirë të zgjedhin aplikimin e standardeve europiane në projektim. Standardet europiane për ndërtimet nuk janë të detyrueshme, por ato aplikohen më së shumti nga kompani të njohura të ndërtimit në Tiranë dhe me përvojë në treg.

Mungojnë kapacitetet për reagim

Në një studim që koloneli Foto Duro ka bërë për Qendrën për Çështje Europiane dhe të Sigurisë, thotë se kapacitetet reaguese ndaj situatave të emergjencës sigurohen nga institucione të ndryshme, midis të cilave, pjesa kryesore është kontribut i ushtrisë. Për shërbimet jetësore janë në dispozicion për evakuim 16 kamionë, 17 helikopterë dhe rreth 65 motobarka të vogla. Për strehim janë në dispozicion tenda për 17 mijë persona, vetëm nga ushtria plus tenda të siguruara nga të tjera institucione. Për evakuim mjekësor janë rreth 200 autoambulanca (nga Ministria e Shëndetësisë në 36 qarqe, ku janë edhe spitalet, 11 prej tyre në Tiranë) plus 12 autoambulanca janë në dispozicion nga ushtria.

Në dispozicion të ushqimeve janë dy njësi prodhimi bukë për 2400 kilogramë bukë në ditë dhe 12 kuzhina për deri në 3000 racione në ditë. Për ujin e pijshëm janë në dispozicion 7 autobote, që në total sigurojnë 67 tonë, 11 pompa. Dy njësi janë për pastrim uji dhe dy njësi dushesh që përballojnë 200 veta në ditë, që mund të ngrihen jashtë zonës së prekur, 72 orë pas shpalljes së emergjencës. Gjashtë njësi janë në dispozicion për situata tërmeti, përmbytje, zjarre, dy helikopterë nga ushtria janë për aksidente ajrore apo në det dhe katër anije nga ushtria për aksidente në det.

Duke krahasuar Shqipërinë dhe Estoninë, konstatohet se në rang vendi, një automjet zjarrfikës u shërben respektivisht 37 mijë personave (Shqipëri) dhe 6 mijë personave (Estoni), ndërsa në kryeqytetet e tyre, këto shifra janë respektivisht 52 mijë dhe 33 mijë persona. Duke marrë në konsideratë ndihmën mjekësore, në rang vendi, një autoambulancë u shërben respektivisht 17,800 personave në Shqipëri dhe 12,700 personave në Estoni.

Një tjetër problem në lidhje me këto kapacitete është niveli relativisht i ulët i gatishmërisë teknike të automjeteve, agregateve dhe pajisjeve, i cili në vlerësim të përgjithshëm nuk shkon më shumë se 60-70%

Objektet me ekspozim të lartë

Një studimi i ekspertëve të sizmologjisë tregon se tërmetet përbëjnë rrezikun më të madh kombëtar për një katastrofë natyrore në Shqipëri.

Dëmet që mund të krijohen në banesa do të përfshijnë ato objekte që janë ndërtuar me materiale, që nuk u bëjnë ballë tërmeteve mbi 6 ballë dhe ndërtesa të vjetra, kryesisht ato para viteve 1960. Sipas studimit, objektet e ndërtuara me qerpiç, tullë, gur dhe betonarme dhe sistemet strukturore me mure mbajtëse, parafabrikate janë më të rrezikuara për tërmete më të fuqishme se magnituda 6. Objektet e ndërtuara para vitit 1960 nuk kanë rezistencë ndaj tërmeteve, ato të ndërtuara ndërmjet viteve 1960-1990 kanë mbrojtje të ulët sizmike, ndërsa ndërtesat pas vitit 1990 kanë mbrojtje të pamjaftueshme, pasi në shumë prej objekteve të ndërtuara në këtë kohë është abuzuar me numrin e kateve në raport me qëndrueshmërinë e themeleve.

Studimi tregon se kërkesat më të mëdha për sistemin kombëtar të emergjencës civile do të dilnin nga tërmetet që ndodhin në Durrës, Elbasan, Berat ose Vlorë, pasi burimet sizmike me ndikim të ulët janë të afta për të shkaktuar dëmtime strukturore dhe shembje që shkojnë nga 1,9 deri në 5.2% të fondit kombëtar të banesave. Në rast të tërmeteve me ndikim të lartë, që mund të ndodhin një herë në 500 vjet, potenciali energjetik i çliruar është i aftë të shkaktojë një katastrofë të ndërtimeve në nivel kombëtar.

Por procesi i zhvendosjes së popullsisë ka ulur impaktin e tërmeteve të fortë në vatrat tërmetore në Veri dhe Jug të vendit, por ka rritur dukshëm ekspozimin në Tiranë, Durrës dhe qytetet e tjera që ndikohen nga zonat burimore të tërmeteve në zonën bregdetare.

Është evidentuar se Shqipëria është karakterizuar nga tërmete intensive të vogla dhe të mesme. Megjithatë, në zonën ku shtrihet Shqipëria, gjatë shekujve kanë ndodhur disa tërmete katastrofike, të cilët kanë shkatërruar deri në atë pikë sa kanë fshirë qytete të tërë. Për shkak të këtij fakti, që nga kohët e hershme, komuniteti shqiptar ka krijuar disa rregulla dhe këshilla për të pasur banesa disi më të forta. Me kalimin e kohës (sidomos gjatë shekullit të kaluar), këto rregulla empirike dhe përvoja u transformuan në kode të plotë ligjore për ndërtimin, të cilat në mënyrë të vazhdueshme janë rritur përmes ndryshimeve të rëndësishme dhe përmirësimeve që janë pasqyruar deri në kodin e fundit të projektimit.

Monitor.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here