Ne, blerësit e varfër të tregjeve të Adriatikut!

0
138

Nga Artan Fuga

Nga libri Origjinat e pasurisë, pronës, pushtetit në Shqipërinë pastotalitare,

botim i PAPIRUS këtë vjeshtë.

Ajo është një xhade paralele me bregut e detit Adriatik që shtrihet të themi nga ura e Dalanit deri te sektori Iliria i Plazhit. Vjen deri aty ku perpendikularisht me të nis një rrugë e dytë që fillimisht ngjan me një shesh dhe pastaj nis e ngushtohet. Po ta vazhdosh këtë të fundit drejt Perëndimit, del te pista Iliria mbi det. Në këndin ku priten të dyja, pra xhadeja me këtë rrugën perpendikuale me të, në katin e parë të një ndërtese disakatëshe që sheh nga të dyja anët, përballesh me Barber – Shop Bledi.
Ajo rrugë është besoj një nga hapësirat tregtare më domethënëse mbarëshqiptare dhe ndofta edhe të Ballkanit a më gjerë.
Ajo besoj se tregon mjaft për mënyrën e funksionimit të shoqërisë shqiptare, për llojin e ekonomive shqiptare që përzihen me njera tjetrën, për forcën dhe dobësitë e tyre. Me klientët më të përzjerë në botë. Sheh aty durrësakë autoktonë, kosovarë të ardhur me pushime të verës, shqiptarë të Maqedonisë, banorë vendas të ngulitur aty nga të gjitha viset e Shqipërisë, nga Jugu e nga Veriu, turistë polakë, rusë, nordikë, gjermanë, çekë e gjithëfarësojësh.
Tregu i objekteve zbukuruese të vogla dhe të mesme për shtëpitë e banimit është i përmbytur nga malli turk.
Një dyndje e madhe shitësish grumbullohet te sektori Hekurudha i Plazhit. Një pjesë, sapo nis të ngryset dhe rrezet e forta të diellit thyhen në det, nxehtësia e vapës së verës nis të bjerë, nxjerrin nga vende të padukshme tezgat, ca tavolina të stërmëdha prej druri dhe shtrojnë mbi to letra ose copa të bardha krejt të lira. Një përzjerje e çuditshme ndodh midis klientëve që dialogojnë me shitësit, shëtitësve të mbrëmjet që qarkullojnë ngadalë si të përhumbur në rrugën e këmbësorëve paralel me xhaden, janë edhe grupe njerëzish që ndodhen mes dy valëve të turmave, në mes të shëtitësve dhe klientëve. Kjo turmë e ndëmjetme, hezituese, herë u bashkohet klientëve dhe herë shëtitësve të mbrëmjes. Herë duket sikur ecën si somnabule në shëtitore, dhe herë të tjera sikur zgjohet, dhe nis e vëzhgon nga afër mallrat e turke të ekspozuara mbi tezga.
Shitësit janë të qetë dhe të butë. Nuk të ftojnë të blesh, as të ngacmojnë kur u afrohesh objekteve të ekpozuara. Por, të vëmendshëm janë, sado një vëmendje e shkrirë në një solucion indiferentizmi. Të gjithë shitësit tregtojnë të njejtat objekte dekorative dhe të tjera. Një pjesë e tyre ndodhen anash xhadesë, mbi trotuar, kurse të tjerë, janë futur në si një hapësirë tregu, e fshehur pas një si gardhi, një si shesh, me barraka dhe kabina të vogla. Në shtyllat e atij tregu të fshehur e me dyndje shitësish dhe klientësh, ndriçojnë llampa me ndriçim të fortë. Toka e shtruar me rërë të hollë përzjerë me zhavorr.
Gjithandej të njejtat mallra.
Tespije ngjyra ngjyrash me kokrra imitim fildishi, të verdha, bojë portokalli, blu. Shtrirë sipër njera tjetrës. Nuk kam arritur deri tani të shoh askënd t’i blejë, por dikur kanë klientë përndryshe do të ishin zhdukur nga tregu. Revolverë prej gjasme me formën e armëve të vërteta, sa të hedhur mbi tavolina, ca të vendosur rresht, ca të ngritur mbi disa mbajtëse druri. Janë revolverë çakmakë. Pastaj vazhdojnë dhjetra forma të ndryshme shatërvanësh të vegjël, pa fund forma kafshësh bërë me plastikë, dru, allçi, azbest, etj., xhirafa, luanë, elefantë, shqiponja. E më tej komplete metalike takëmesh ngrënieje, lugë, thika, pirunj, ngjyer me bojë ngjyrë të florinjtë, bakri, argjendi, gjithçka e imituar. Tenxhere, tiganë, tepsi të formave nga më të ndryshmet zënë një hapësirë të madhe.
Të gjitha mallra të blera me shumicë nga shitësit grosistë në Tiranë a gjetiu dhe pastaj të shitura me pakicë në këtë treg gjigand të shtrirë paralel rrugës së plazhit. Cmimet janë të ulëta poqes e krahasohen me çmimet e të njejtave mallra që mund t’i gjesh edhe në butika qyteti. Duket se janë imitime me cilësi të ulët të të parave. Xhezve, kusi, legena, kullojse me çmime nga 200 deri në 1000 lekë. Cmimet variojnë këtu.
Eshtë e çuditshme ekonomia e imitimit. Ta shikosh tiganin të merr në qafë. Ka edhe një etiketën Tefal.
Qesh një shitës durrsak autokton kur më ndjek tek e shoh me kujdes nga të gjitha anët një tigan. “E, mendon që një tigan Tefal të shitet 300 lekë? I çuditshëm njeriu, më thotë, ka klientë që e blejnë dhe ikin me këtë mendim. Sikur kanë blerë një Tefal të vërtetë. Madje edhe bëjnë pazar sepse iu duket çmimi i shtrenjtë.” Dhe qesh me djallëzi, por edhe sytë i shkëlqejnë nga zgjuarësia. Nuk e ka me të keq. Dhe me siguri m’a tregon atë histori për të më parandaluar që të mos bëj të njejtin gabim si të tjerët, as mos të kem të njejtin iluzion si ata. E falenderoj me vete me mirësjellje.
Aty gjithçka është e imituar. Ekonomia e imitimit ka një avantazh. E kënaq syrin e klientit. E bën të hiqet se me mallrat që përdor i takon një shtrese të lartë të cilën e mëton. Në dukjen e jashtme të gjithë njerëzit janë njësoj, përdorin të njejtën gamë mallrash nga cilësia, paguajnë për të njejtat forma të jashtme çmime shumë të pangjashëm, por cilësia e mallrave është krejt e ndryshme.
Bluza tee-shirt me simbolet e Nike ose Adidas mund t’i gjesh me 300 ose 400 lekë sipas humorit të shitësit. Mbathje banje për burra ose bikini për gra që të marrin në qafë nga bukuria e formave dhe ngjyrat që i zbukurojnë. Të gjitha imitime.
Por, çfarë rëndësi ka cilësia! Rëndësi ka pamja e jashtme, rëndësi ka që klienti të ruajë faqen e bardhë karshi botës! Tenxherja pastaj nis e nxihet sapo ka zjerë vezët e para, ose ka mbajtur fërgesën e drekës së parë. Por, kjo duket se ka fare pak rëndësi. Eshtë një proces kimik që ndodh brenda shtëpisë atje ku syri dhe veshi i botës e ka vështirë të hyjë.
Bota e mikro-objekteve, e mallrave me përmasa të vogla, është kineze, sikurse edhe ajo e plastikës, por nuk është se dhe aty nuk përzihet bota turke.
Kultura turko-islame përzihet me botën kinezo-konfucianiste në një treg të larmishëm dhe të varfër shqiptar.
Prefse thonjsh, gërshëra të madhësive të ndryshme, orë dore, biçakë, gjilpëra për qepje, karfica, gjithçka.
“Merre këtë orë! Eshtë njish!” – më thotë shitësi te një barrakë që është në vijë të drejtë me dhjetra barraka të tjera anësh rrugës bregdetare. I vendos baterinë. “Për ty – më thotë vetëm 800 lekë.” Edhe 200 lekë bateria, shkon 1000 lekë plot. Ka tre fusha brenda fushës së madhe. Nuk dua t’ja prish djalit me origjinë nga Tepelena që ka ardhur me familjen e është ngulitur në zonën e plazhit. Djali i tij pas nja njëzet vjetësh me siguri do të flasi shqipen e Shqipërisë së Mesme! Cdo fushë ka akrepët e vet. Mendoj se duhet të jenë për të treguar orën në gjatësi a gjerësi të ndryshme gjeografike të planetit në varësi ku ndodhesh. Por, më vonë kupton që veç akrepave të fushës së madhe, të tjerët janë fallco, nuk lëvizin. Nuk tregojnë asgjë. Janë vetëm për të gënjyer miqtë a rivalët, të cilët plot xhelozi, duke parë orën nga larg, do të kujtojnë se kam blerë një orë të cilësisë së lartë.
Shitësit e pantoflave plastmasi janë më agresivët, më të gojës, më tekanjozët, më ngacmuesit. Ndofta u ngjajnë shitësve të peshkut në tregje qytetesh perëndimorë që janë të vetmit që u lejohet të bërtasin. Qelbet peshku, prandaj. Edhe pantoflat janë mall i stinës. Janë për plazh, për në breg të detit, janë për stinën e verës. Një çakmak ose tespijet mund t’i përdorësh edhe në dimër, kur tregtia e plazhit zhduket nga faqja e dheut. Kurse pantoflat plastmasi për shëtitje në breg të detit nuk ke çfarë i do në mes të dimrit. Me 400 lekë blen një palë pantofla që mund të qëllojnë jo fort të këqia. Ka që të ngelen në dorë. Rripat u shqiten, gishtin e madh të këmbës ta bëjnë copë. Por, gjithësesi të lira. Punën e bëjnë. Me të gjitha këto mallra kineze, turke, bazuar te imitimi ose te puna e paguar keq e prodhuesve aziatikë, mund të vishesh për plazh dhe të paraqitesh në breg të detit si ndonjë kont.
400 lekë pantoflat, shtojmë dhe nga 400 lekë mbathjet e banjës për burra, një kapele 500 lekshe në kokë, shoqëruar me një bluzë Adidas që të merr në qafë me një çmim 400 lekë, hedhur krahëve një peshqir ku shkryhet “BAHAMAS” ose “BERMUDE”, me çmim 300 lekë, e gjitha paraqitja e jashtme në plazh, për të gjithë stinën e verës nuk kushton më shumë sesa 2000 lekë.
Janë shumë?
Po të shkosh për ta kaluar drekën në një restorant të klasit të mesëm, vetëm një drekë për një njeri kushton kaq. Flas për restorante të klasit të mesëm, sepse poqese imagjinon restorante të shkallës së parë as një peshk të mirë nuk e ha dot me këtë çmim. Në fakt në plazh mund ta kalosh një drekë edhe me një sufllaqe të mirë nga 150 deri në 200 lekë, me një byrek 60 lekë, shoqëruar me një shishe dhallë, duke e mbyllur edhe me një kafe 50 lekë. Kafja në lokale të shtrenjtë është katër herë më shumë, por aty populli i thjeshtë nuk afrohet.
Te produktet plastike bëjnë pjesë edhe mjete për t’i përdorur për vozitje në det. Kamardare, parakrahë për t’u vendosur nga fëmijët ose ata që mësojnë notin, barka të madhësive të ndryshme, kafshë plastmasi për t’u hipur në det, rosakë, mjellma, peshq, delfinë, etj.
Në fakt, plazhisti që të paraqitet si zotëri në breg të detit ka nevojë edhe për një shpenzim tjetër disi të domosdoshëm. I duhet një varse në qafë. Këtu nis tregu i madh i unazave, varëseve, medaljonëve, vathëve ku gënjeshtra është pjesë e marketingut.
Shitet për argjend një zinxhir ndërkohë që vetëm nga kontakti me djersën e trupit nis e nxihet. Më i liri 600 lekë, por ka edhe nga 1200 e 1400 lekë. Një zot e di se cila është garancia që malli të jetë sikurse e paraqet shitësi. Asnjë besueshmëri midis klientit dhe shitësit në këto tregje ku ata takohen një herë në vit, ose një herë të gjithë jetën. Edhe nëse në vend të çelikut ke thjesht një metal të ripërpunuar në Turqi, nuk ke më kohë të kthehesh ta reklamosh mallin e blerë. Këtu nuk ka as fatura dhe as etiketa. Eshtë një tregti ambulatore që tërheq me çmimet e lira dhe pamjet e jashtme të gënjeshtër të mallrave.
Dhjetra mijra njerëz që duan të hanë e të pinë. Në dhjetra markete tregtohet oriz turk makarona të ardhura nga vende të ndryshme, etiketa thotë edhe italiane, një dreq e di, dhe pastaj artikuj plazhi, artikujt higjene, sapunëra, kremëra, reçelna të huaj ose prodhim shqiptarë, birrë e huaj dhe shqiptare, mish, bylmetra. Erzeni, Lufra, e ndonjë tjetër sundojnë tregun e produkteve dhe nënprodukteve të qumështit. Kurse frutat janë me origjinë vendi, ose të huaj. Cmimi i qershisë ndryshon nga kërkesa e klientëve. Edhe i pjeprit, edhe bostani, edhe fiqtë.
“Sa kushton një kile fik sot?” – pyet.
Hap sytë se në krahasim me dje çmimi është rritur 6 herë.
“Ka shumë kërkesë.” Thotë duke të parë me ca zy të zënë si në faj administratori, njëherazi dhe furnitori i tregtores.
Ndërkaq tregut të imitimit, të fallcifikimit, të mallrave të lira turke dhe kineze i shtohen edhe produktet kontrafasone.
Këtu bota turko-mylsimane, e përzjerë me botën aziatiko-budiste paralelizohet nga bota perëndimore-katolike.
Janë dyqane që e bëjnë jetën e tyre në dhjetra baraka paralel me rrugën. Mallra që prodhohen edhe ato në vende të treta, ndoshta në Kinë, por në mënyrën kontrabandë kalojnë doganat, kontrabandë janë prodhuar, dhe kanë etiketa kontrafasonesh. Çanta “Louis Wuitton” që në tregjet perëndimore mund të kushtojnë 2000 ose 3000 euro, këtu i gjen për 800 lekë. Me një problem të vogël. Këto këtu kanë vetëm emrin sepse nuk janë as lëkurë dhe as nuk kanë cilësinë e markës së vërtetë. Ja vlen të jesh polak, çek, rumun, gjermano-lindor, për të ardhur për t’i kaluar pushimet e verës në Shqipëri ku mund të hysh në tregun e kontrafasonëve duke blerë çanta, syza dielli, bluza, këpucë, atlete, rroba banjo të gjitha të markave të mëdha, por jo të vërteta. Por, “kush do ta dallojë nga larg moj zonjë nëse çanta që mban varur në parakrah, ose portofoli nga ku nxjerr monedhat për të paguar biletën e autobuzit nuk është vërtet një markë e madhe?”
Askush!
Një tymnajë furrash, hellesh, oxhakësh qebaptoresh, të ndjek përgjatë të gjithë shëtitores. Produktet ushqimore kryesore që furnizojnë lokalet e improvizuara në lulishte, apo në përdhese me dritare të hapura janë mishi, mishi i pulave të pjekura e që rrotullohen në hell, mishi i gjedhit në hell, qofte; pastaj janë sufflaqe, byreqe kosovare a durrsake, sa dallojnë prej njeri tjetrit!; dhe akulloret që shiten përpara kafeneve, restoranteve të mëdhenj a të vegjël, e ku një kupë me akullore kushton 50 lekë. Kjo është mënyra e të ushqyerit thuajse në këmbë, ashtu fast-food-she, kurse lokalet e mira, pastiçeritë e pastra, luksoze, me shërbim të kulturuar nuk mungojnë. Sikurse shumica e farmacive të japin ndjenjë pastërtije, të një ajri të freskët, që ja kanë hequr nxehtësinë me kondicionerët që shihen kudo.
Harxhon energji elektrike marramendëse, besoj, plazhi në verë.
Byreku në plazh është një sinfoni më vete.
Trondit edhe vendasit, edhe shqiptarët jashtë kufijve, edhe turistët nga Europa Qendrore që vijnë si në jerm te sporteli i byrektores dhe kërkojnë “Byker, Byker!” Me trupa të bardhë dhe këmbë të gjata që përfundojnë në shputa të futura në sandalle me rripa. Trupat gjak nga skuqja prej diellit “Byker”.
Byreku është një diversitet kulturor.
Ushqimi ditor i njeriut në rrugë, me të ardhura të pakta.
Rivalizojnë tre lloje byreqesh.
Byreku tradicional i Durrësit dhe i plazhit. Me petë të holla dhe formë trekëndëshi barabrinjës, me përmasa më të vogla, paksa i dendur në brumë, disi i trashë, ose edhe i formatit më të madh, por më i hollë.
Ka byrektore buzë xhadesë së plazhit ku petët tëhollen aty nga një brumë i bardhë e nga duar të shkathta e të fuqishme zonjash me gishta të gjatë dhe me lëkurë të rregjur. Këta kanë edhe klientët më të shumtë. Byreqet autoktonte janë me mbushje të ndryshme, dallojnë ata me gjizë ose me djath, pastaj ka edhe me domate e me qepë, me mish, si edhe me spinaq.
Kurse lloj i dytë është byreku i shtëpisë si i thonë. Ai zakonisht ka formën drejtkëndëshe ose të rrumbullakët, është një byrek i madh ku pjesët priten me thikë përpara syve të klientit. Eshtë pak më i ujshëm se byreku autokton tradicional, pra më i rëndë. Ka më shumë përmbajtje brenda tij dhe petët janë të hapura gjerë e të mbivendosura përzjerë me shtresa mbi njera tjetrën. Ky lloj byreku është më shumë me spinaq, djath, mish.
Këtë byrek si edhe atë të parin e konkuron byreku i ardhur nga vise të largëta shqiptare. Me brumë më të trashë, jo aq me petë. Shpesh herë ai e ka gjizën ose domaten përsipër, si edhe ka forma të spërdredhura.
Picat, ku tregun e përmbysin ato që vijnë nga guzhina e lokalit me emrin çuditërisht : Rexhep Taip Erdogan, byreqet, sufllaqet, si edhe të ëmblat ku piketohen bakllavatë, kadaifrat, sheqerparet, formojnë ushqimin e ditës për mijëra e mijëra njerëz që shtyjnë ditën me pak lekë për ushqim.
Dhjetra e qindra biznese të tjerë të vegjël të panumurueshëm gëlojnë, orëndreqës, librarë, shitës këmishash të varura në kangjellat e murit të shkollës aty pranë Postës së Plazhit, farmaci, njësi shitjeje Vodafone dhe kompanish të tjera telefonike, si edhe ata, të pazëvendësueshmit, “fshatarë”që tregtojnë lëpjeta, fiq, mollë, pjepra, erëza, pjeshkë, etj., herë me çmime të kripura e herë pothuajse me çmime qesharake.
Mjafton të marrësh një nga rrugët perpendikulare me këtë xhade që i ngjan një tregu të stërzgjatur, për të çarë dy ose tre radhë ndërtesash dhe për t’u ndodhur në breg të detit.
Në qoftë ditë vere, plazhi është i mbuluar i gjithi nga shezlongje dhe çadra, një biznes privat që i sundon të tjerët. Plazhi shfrytëzohet cep e më cep deri në dy ose tre metra larg brezit të ujit. Dhjetra mijra turistë që banojnë në apartamente private të marra me qira, në hotele, në shtëpi në formë vilash pas xhadesë kryesore ose shinave të treni, matanë andej nga nisin kodrat, kanë nevojë për ata centimetra katrorë rërë dhe plazhi. Ndofta një çadër dhe dy shezlongje me 1000 lekë dita i siguron. Aq sa duhen për të blerë një zinxhir fallco që shitësi thotë se është prej argjendi, por ai është teneqe. Ti je zbavitur me të.
Në fillim habitesh që anash xhadesë së plazhit, gati te rrotat e veturës tënde, pa pasur frikë, qetësisht, burra me bark pak të kërcyer, ose të thinjur, por edhe djelmosha, ose edhe gra me një shëndet të bollshëm dredhin në gishta ca litarë të gjatë në cep të të cilëve ka çelësa. Vetura përpara teje qendrojnë dhe rruga bllokohet. Hapet xhami dhe bëhet një dialog disa çaste dhe vetura ose ndalon pak metra më tutje ose ikën më tej duke nxjerrë tym të zi nga inati. “Nuk është ashtu sikurse kujton ti! – më thotë dikush që qendron pranë meje në veturë. Propozojnë apartamente me qira! Kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë që nuk janë sistemuar në hotele, ose nuk kanë blerë apartamente në plazh, preferojnë të marrin apartamente me qira.”
Tunda kokën, duke i dhënë të kuptoj se kuptova. Me qindra apartamente besoj jepen me qira dhe përbëjnë burim të ardhurash. Nuk e di çmimin, por besoj se ai ndryshon në varësi nga zgjatja e qirasë, nga koha e plazhit, dhe nga faktorë të tjerë. Por besoj që në stinë normale vere për dhjetë ditë qira mund të duhen rreth 20.000 lekë.
Ka edhe hotele luksoze përgjatë xhadesë – treg!
Sikurse përmenda, perpendikularisht, nëse del në breg të detit në kohën e plazhit, por edhe në orët kur pushuesit janë larguar për të drekuar e fjetur një copë here, gjen tregtinë në breg të detit.
Ajo përbëhet, veç kafeneve të urave që futen në det, ku drekohet, pihet një kafe normalisht, ku mund të hash jo shtrenjtë, edhe nga tregtia e Gabit. Fustane, pantallona, triko, këpucë, mbathje, xhupa, pardesy, xhaketa, gjithëfarë mallrash të përdorura, të shtrira në çarçafë të mëdhenj, i paraqiten konsumatorit zakonisht në darkë. Plazhisti i paradites dhe i pasdites, në muzg, kthehet në klient i mallrave të Gabit, pra i mallrave të përdorura.
Këtu nuk jemi te mallrat e lirë turko-islamë,
as te mallra e lirë aziatiko-konfucianë,
as te mallrat e imituar,
as te mallrat e gënjeshtërt,
as te kontrafasonet me marka perëndimoro-katolike,
por te tregtia e mallrave të përdorura.
Ka sukses kjo lloj tregtie. Një palë atlete të përdorura por që ende mund të mbathen po të lahen në lavatriçe mund t’i gjesh edhe për 200 lekë, një xhaketë për përdita e gjen për 500 lekë, pantallone 100 lekë, sigurisht që nuk mbajnë më hekur, nga lodhja, çanta 50 lekë. “Askush nuk e dallon dot zonjë nëse e keni përdour ju ose e kanë përdorur të tjerë përpara jush! Ku është problemi?”
Këtu mund të vishesh nga maja e këmbëve te majat e flokëve ndoshta me 1000 lekë gjithsejt. Të kesh pamjen e një burri të ndershëm dhe pastaj me 50 lekë të ulesh për shtatë palë qejfe te një kafene plazhi dhe të pish kafenë që duhet thënë se nuk le fare për të dëshiruar. Varet nga ty nëse do ta blesh edhe ujin në shishe, duhen edhe 50 lekë të tjera, apo do të pranosh gotën e ujit të çesmes që e sjell vetë kamarieri i sjellshëm.
Tregtia e dytë është ajo ambulatore ku qarkullojnë misra të pjekura, 50 lekë kalliri. Ke përse të jesh hezitues : Pak a shumë me të njejtin çmim : një kalli misër i pjekur, një kaush gështenjash të pjekura, paksa të ftohura në të vërtetë dhe të thara dhe bërë eshkë e qymyr, një akullore e nxjerrë nga një termus i madh me prejardhje të dyshimtë, apo një dhallë Lufra të dyqani i bylmetit.
“Më erdhi dikush që si duket ka një botë tjetër mendore – më thotë berberi që kisha zgjedhur asaj dite për t’u qethur.”
Më bën përshtypje. Ka berberë shumë të mirë, me dhjetra, buzë xhadesë – treg. Unë iu le shumë bakshish, ndofta 100% më shumë se çmimi i zakonshëm i një të qethure. Eshtë akt sublim e qethura. Një berber i gëzuar ta bën jetën të bukur në ato çaste. Të duket vetja se je perandor. Të duket sikur je vetë Ali Pashë Tepelena. I meriton paratë bakshish sepse berberi të prek në zonat intime ose delikate si veshët, sytë, hunda. E kush të vjen në këtë botë aq afër sa një berber! Prandaj bëj kujdes! Jo sepse kam merak për flokët e rralluar. Por, janë mjeshtra që vështirë se i gjen kudo.
“Sa kushton një e qethur? – më pyeti vazhdoi të më rrëfejë berberi.”
“Unë iu përgjigja : 200 lekë! Por, ai më tha duke bërë kundrapropozimin e tij: Poqese vijmë 6 veta, a na i ul çmimin?”
Sapo berberi tha fjalën e fundit unë qesha me të madhe. Ndeshje kulturash të ndryshme në treg. Hahahahaha! Vazhdoja të qeshja nën gërshërët e berberit që tundeshin rrezikshëm mbi veshët e mi që shkulmonin bashkë me supet dhe me kokën nga e qeshura.
“Unë cfarë i thashë? – foli berberi me zë të lartë. – I thashë që nuk qeth me shumicë!”
Eshtë pak i shtrenguar në lekë klienti.
Ky i gjithi në xhade është tregu masiv, ushqen turistin pa shumë të ardhura që i gëzohet vetëm ujit, diellit dhe detit, por mban gjallë edhe shqiptarin e shtresave të gjera, pa shumë të ardhura dhe me fuqi blerëse shumë të ulët.
Fuqi blerëse e prejardhur nga ndonjë rrogë shteti rreth 30000 – 40000 lekësh, ose nga ndonjë rrogë te privati prej 20000 lekësh në muaj, apo ndonjë pension pleqërie prej 15000 lekësh, a të ardhura nga dërgesat e ndonjë djali a vajze që punon jashtë vendit prej 100 a pak më shumë euro në muaj.
Fuqi blerëse e ulët.
Ndërkohë edhe fitimet nga tregtia si biznese familjare pas tre muajve të verës bien ose shuhen fare. “Nuk më shkon fitimi më shumë se 1 milion të vjetra lekë në muaj për të gjithë vitin.” – më thotë në konfidencë një tregtar që e ka kabinën e tij mes qindrave të tjerave buzë xhades – treg. “Dhe mos harro se me atë fitim duhet të mbaj të gjithë familjen, pra time shoqe dhe dy fëmijët në moshë shkolle”.
Fuqi e vogël blerëse, mallra me çmime të ulta, me cilësi të ulët. Një ekulibër që e lejon shqiptarin të mbijetojë në kufijtë minimalë, të përballojë jetën një pjesë e gjerë e shoqërisë.
Ata me të ardhura mbi të mesmen, ose të larta, janë matanë plepave, janë drejt Jugut. Andej janë resortet, hotelet, restorantet e shtrenjtë. Por, shumica bën jetën e vet me të ardhura të pakta dhe me çmime produktesh ushqimore ose industriale të reduktuara.
Gjithësesi, ajo që lulëzon është tregtia e karburanteve. Bashkia bëri mirë që vitet e fundit i shumëfishoi vendet për parking anash rrugës, qoftë edhe duke ngushtuar atë pjesë që i takon qarkullimit të makinave në lëvizje. Një zonë plazhi ka nevojë të vende për pushimin e autoveturave përndryshe gjithçka bllokohet. Aq më tepër që ajo zonë është njëkohësisht edhe pjesë qyteti me banorë të përhershëm, edhe zonë plazhi. Ndërkohë që për të lidhur Veriun, Tiranën, me Jugun, qarkullimi i veturave nuk ka përse bëhet nga xhadeja treg e plazhit, por nga unaza që del te Plepat dhe shkon tutje.
Mirëpo ekuilibri i përbotshëm shfaqet kudo. Shtimi i vendeve për parking shtoi dëshirën për të parkuar edhe më shumë autovetura, prandaj mund të thuhet se edhe qarkullimi i veturave është rënduar dhe vende për parking bosh nuk ka ndonjë masë të madhe, nuk është më ndryshe sa më parë.
Gjithsesi mbrëmjeve plazhistët t’i lënë veturat! Arsyetimi i bashkisë më duket i drejtë. Edhe xhade tre, edhe rrugë kombëtare, edhe bulevard qyteti, edhe shëtitore, kjo nuk mund të ishte një model që ndokush mund të arrinte ta administronte.
Vetura të të gjitha markave, viteve të prodhimit, vendeve të ndryshme, targave që variojnë nga qytetet italiane, të Zvicrës, Maqedonisë, Kosovës, vendase, e të plot vendeve të tjera. Emigrantë shqiptarë nga të gjitha trevat kthehen për pushime si edhe për të parë të afërmit a kryer ndonjë punë tjetër.
Vetura luksoze, hibride, me xhama të zinj, me marshe automatike, si edhe vetura të lodhura, të kaluara dorë më dorë, të vrara e goditura, që lëshojnë tym të zi pas, vetura për punë, furnizim, të mbetura në dorë dhe pa asnjë funksion për familjen, për transport familjar, etj.
Përse thoni more që shqiptari është i varfër kur në xhade nuk qarkullon dot nga dendësia e veturave?
A nuk është kontradiktore që edhe të jesh i varfër edhe të pretendosh të mbash një veturë? E ja që jo, nuk është një paradoks. Sepse pjesa më e madhe e buxhetit familjar përveç ushqimit shkon për karburant dhe mirëmbajtjen e autoveturës së vjetër që në atë gjendje mund ta blesh edhe për 50.000 lekë, pra se qiraja e një apartamenti të dhënë për tre dhjetditsha një familje turistësh të huaj.
Nuk harxhohen lekë për libra. Të shkosh në libraritë e plazhit gjen ca tituj mediokër librash sa për të thënë. Teatri, kinemaja, estrada, varieteja janë zëvendësuar nga ekrani i televizionit që transmeton me anë platformash dixhitale filma mediokër. Asnjë lek për kulturën dhe artin në familje. Burra të moshuar që luajnë domino në parvazet e lungomares, në qetësinë e tyre. Kaq është sporti dhe kultura, dhe ndonjë vajzë a djalë që vrapon buzë detit nën vështrimin admirues të kalimtarëve. Në verë ka ndonjë vend ku këndojnë live ca këngëtarë që bërtasin sa u ha koka, ndonjë lokal striptize, siç shihet nga ndonjë reklamë, dhe këngë popullore përpara hoteleve ku turistët e ardhur nga trevat shqiptare ja marrin valles për shtatë palë qejfe duke krijuar rrathë dorë pas dore në një kërcim të ngadaltë kolektiv.
Gjithsesi shoh që mbrëmjeve në periudhën pas sezonit në plazhit ka njerëz që bëjnë shëtitjen e mbrëmjes në breg të detit. Zoti u ka falur një pasuri të madhe që ndofta edhe shumë të pasur në jetën e tyre të përditshme nuk e kanë!
Jeta është ekuilibër, kompensim!
Dhe më vjen mirë!
Janë njerëz të mirë, të qetë, në hall të tyre, nuk kanë stresin e një pune të tensionuar, ajo pas gushtit bie, kanë një zonë me ajër të mirë, fllad deti, dhe nuk kuptoj nëse janë të lumtur apo të mërzitur, a ndryshe e japin çehren e tyre te tjetri dhe ndryshe ndjejnë përbrenda.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here