Ne nuk e dënojmë të kaluarën komuniste, pasi e trashëgojmë në nivelet më të larta të shtetit…

0
97

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti
Shqipëria ka kaluar një prej diktaturave më të egra komuniste dhe kjo është e provuar dhe faktuar jo vetëm prej historianëve, por edhe dëshmive të atyre që përjetuan, tmerrin, përndjekjet, burgjet, internimet në atë regjim. Pas hapjes së vendit dhe leximit mbi diktaturën komuniste në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Lindjes së Evropës por edhe më tej, askund nuk u aplikua një regjim kaq i egër, kaq antipopullor dhe antinjerëzor si tek ne.
Po çfarë kemi bërë ne për të dënuar të kaluarën tonë komuniste?
Shumë pak, për të mos thënë asgjë. Fakt i më i parë i dhimbshëm, është se ende nuk po mundemi të rehabilitojmë viktimat e komunizmit edhe pas gati 30 vitesh. Ne nuk po mësojmë brezin e ri, me të kaluarën, me idenë idioteske se më mirë që nuk provuan vuajtjet tona. Kot që tjua themi se nuk i kuptojnë. Ndërkaq ata që kanë kryer krime në periudhën komuniste dhe rrojnë ende, justifikohen me thënien e përhershme ashtu ishte koha Dhe këta të fundit bëjnë shumë mirë. Sa kohë që asnjëri nuk u dënua, nuk u pranua se kishte jo vetëm krime por edhe elementë të gjenocidit, sa kohë që një pjesë e madhe e këtyre kriminelëve mbajnë ende në gjoks dekoratat e shtetit shqiptar dhe marrin pensione të majme, ndërsa viktimat e tyre nuk gëzojnë pension pleqërie, paq na i bëjnë. Prandaj ne nuk hapim gojën, ose flasim njëherë në vit për krimet e komunizmit. Edhe kur flasim, marrim profesorin e fizikës dhe ish-kreun e SHISH, të na shpjegojë historinë e komunizmit, meqenëse e di mirë, për shkak të prejardhjes së familjes së tij. Pastaj marrim shembull Liri Belishovën që ka kërkuar falje, ca pasazhe nga Bedri Spahiu dhe ja ku u bë përkujtimi për viktimat e komunizmit. Shkolla po, gëlon nga debati i madh, universitet organizojnë konferenca dhe fap rishfaqen të nëntat skena. Çdo 5 maj ikën Rama dhe shkojnë fshehurazi të ashtuquajturit veteranë dhe me foton e Enverist në dorë dhe manifestojnë. Spontanisht nganjëherë u bashkohet edhe babaxhani Majko, që ka luftuar kundër gjermanëve që 5 vjeç. Tirana është ndoshta kryeqyteti i vetëm i ish-vendeve komuniste, që nuk ka një muze, memorial apo një vend, që përkujton krimet e komunizmit. Dhje kjo nuk është thjesht çështje harrese. Është tërësisht e qëllimshme.
Po pse nuk e dënojmë ne të kaluarën komuniste?
Sepse e trashëgojmë sot pas 29 vitesh tranzicion më shumë se kurrë, në të gjitha nivelet më të larta të shtetit. Nuk ka asnjë vendi ish-komunist që të ketë për Kryetar Parlamenti, ministrin e fundit të Brendshëm dhe Sigurimit të famëkeq të Shtetit. Nuk mund te ndodhte kurrë në një vend që i thotë vetes demokratik një zgjedhje e tillë, plotësisht e qëllimshme, për të fyer, poshtëruar viktimat e ko0munizmit, pasardhësit e tyre dhe gjithë shoqërinë. Si kurrë më parë, emrat e pinjollëve të Byrosë Politike dhe hierarkëve më të lartë të diktaturës komuniste, janë ministrat më të rëndësishëm të shtetit tonë demokratik, përshirë dhe kreun e qeverisë. Njerëzit që kujtonin se e kishin kaluar atë kohë, befas, dëgjuan se vesh Bushatit është dhe Beqja edhe Balluku edhe Gegprifti, të zgjedhur prej pasardhësit të ish-anëtarit të Kryesisë Kuvendit Popullor në diktaturë. Po kështu ndodhi edhe në nivel lokal e në shumë institucione. Dhe kjo ishte thjesht një rastësi!? Kurrsesi jo. Thjesht ata ndoqën gjurmët e etërve. Ata i bënë kashirllëk popullit, duke i thënë: Kujtuat se na hoqët qafe, se shpëtuat prej nesh. Ja ne u rikthyem. Ju bindëm se nga ujqër ishim bërë dele. Sapo morëm fuqinë, flakën lëkurën e deles, e nxorëm dhëmbët e ujkut. Po jua mbajti bëni zë. U bëmë përsëri të pasur ekonomikisht e të fuqishëm politikisht. Ju sunduam edhe në demokraci. Ju vodhëm, ju zhvatëm e gjë nuk na bëni. Ne jemi bijtë e atyre që ju dhunuan, prandaj sus e mos bëni zë. Nëse është ndryshe më thoni. Çfarë u bë me pasardhësit e familjet e të persekutuarve të komunizmit? I hoqën nga puna, i dhunuan, u tallën me të ashtuquajturin dëmshpërblim, i mbyllën ministrinë dhe caktuan në krye të institutit të përndjekurve politik, djalin e babait. Mrekulli fare. Ja pra që kjo punë u zgjidh. Për çdo datë të krijimit të një brigade, çete, a lufte imagjinare, bëhen tre ditë aheng e aktivitet, për të gjorët njerëz që humbën jetën, kujtesën, familjet, shtëpitë, u tallën, u shanë, u syrgjynosën, nuk flet askush nga qeveria asnjë fjalë. Përkundrazi ende dhe sot, tallen e etiketojnë ballistët, si ngrënës pulash. Këta që sot zhvatin çdo minutë e sekondë, tallin ata që pasurinë e kishin vënë ndër breza, e nuk kishin nevojë të hanin pulat e askujt se ishin rritur mes të mirash e kishin parë botë me sy ende pa lerë.
Këta të ashtuquajtur rilindas as nuk kanë respekt për vuajtjet e këtyre njerëzve e as nuk kanë pikën e ndjeshmërisë. Nuk mund të kërkosh respekt nga njeriu që ka foton në shtëpinë e përgjimit të njerëzve në kohën e komunizmit, si ministri i fundit i sigurimit të shtetit. Nuk mund ti kërkosh atij të nderojë viktimat e 2 prillit 1991, pasi ai ishte në krye të institucionit përgjegjës për vrasjen e tyre. Nuk mund të kërkosh respekt nga pasardhësit e Byrosë Politikë, që firmosnin me dhjetëra e qindra internime në vit. As nuk pres që të kërkoj falje djali i atij që firmosi për varjen e poetit në Kukës, në kohën që komunizmi po shkërmoqej në të gjithë Evropën Lindore e Qendrore. Prandaj ne nuk e dënojmë dhe nuk kemi për të dënuar krimet e komunizmit, pasi ato na mbajnë peng edhe sot. Një shoqëri e tërë është marrë peng prej pinjollëve të drejtuesve më të lartë të shtetit komunist dhe ky është rast unikal në Evropë dhe për një shoqëri që pretendon se është demokratike. Ashtu siç ishte unikale dhe e pa dëgjuar e parë diktatura komuniste në Shqipëri, ashtu është edhe e ashtuquajtura demokraci. Sot ajo është peng e të shkuarës komuniste jo vetëm si mentalitet por edhe në përfaqësimin e saj në të gjitha hallkat e shtetit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here