Kryeministrin e la, Ramushin nuk e dorëzoi!

0
182

Nga Arian Galdini

 

 

Erdhi me një grusht deputetë.
U bë Kryeministër.

Që të kishte mundësinë ta udhëhiqte Kosovën, pranoi edhe tia linte qeverisjen partive.

Krijoi një Qeveri gati gati absurde me dhjetra Ministri, akoma më shumë Zv/Ministri, e pafund Drejtori e Agjensi për të kënaqur orekse të partive e partiakëve, shumë prej të cilëve punonin edhe kundër tij.

Bashkoi të pamundshmet dhe po të kishte zgjedhur vegjetimin politik, konjukturalizmin dhe  oportunizmin, asnjë telash nuk do ta kishte pasur e ndoshta sot do vijonte të ishte KM i Qeverisë së Koalicionit.

E vërteta është e pakëndshme por duhet thënë sepse na çliron të gjithëve.

Kush e paragjykoi Ramushin, kush iu turr Ramushit me gjithëfarësoj kritikash e akuzash, kush ia mveshin Ramushit një mal me mëkate, nëse ka bërë detyrën e Opozitarit, mirë e ka bërë sepse demokracia është e bukur dhe e vlerë kur ka Opozitarizëm të fortë e ballor.

Por kush i ka bërë këto nga frëngjia e lakmitarit dhe qyqarit, ja ku e ka tani Kryeministrinë të lirë.

Le ta gjejnë tani një KM që vjen nga një kompromis i gjerë dhe ia del të ushtrojë e përparojë një axhendë të përqendruar siç ia doli Ramushi.

Ramushi e dorëzoi Kryeministrin.

Ramushin e mbajti për vete që ta çojë në sfida e ndoshta vujtni të reja.

A e gjeni dot një të dytë që e ka veten aset kaq të madh sa mund të bëjë edhe lëvizje kaq të forta me veten duke vepruar kundër vetes?

Vuçiçi, Albin Kurti, Hashim Thaçi, Mero Baze e disa të kësollojshëm folën, shkruajtën a nënkuptuan për një teatër marketingu të luajtur nga Haradinaj për ti shtuar pikë politike vetes.

Jam kurioz, si është e mundur që cinizmi në arsyetim i këtyre politikanëve dhe agjipropistëve të tyre që ne i njohim si analistë e gazetarë, shkon në caqe kaq të padenja sa përpiqen të zvogëlojnë një akt që ka madhështi brenda.

Vetësublimimi, nuk është viktimizim.

Vetësublimimi është liri dhe fuqi e përmbledhur tek personaliteti, karakteri dhe historia e një personi.

Jo kushdo mund të vetësublimohet.

E di që do më thonë, se dorëheqja nga detyra e KM nuk është kaq gjë e jashtëzakonshme sepse tek e fundit është normalitet, ndaj nuk ka pse shihet si vetësublimim.

Pyetja që kam unë është e thjeshtë fare:
A nuk ka qenë kjo periudhë disa mujore një ecje mbi zjarr e Ramushit duke i rezistuar çdo trysnie e joshjeje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë për ta hequr taksën me Serbinë?

A nuk e kemi parë ne Ramushin këto muaj të rrethuar nga aleatë e miq që thikën ia ngulnin në mengjes, ia shkulnin në drekë e pastaj ia ringulnin për siguri edhe në darkë para gjumit?

Nga Hashim Thaçi tek Edi Rama e deri tek Kadri Veseli e plot të tjerë, ia mernin duart Ramushit për të shtrënguar fort flamurin Kuq e Zi, e fill pas kësaj bënin gjithë sa mundnin tia ngrinin duart lart apo ti lidhnin që tia ndalnin udhën, ritmin e fuqinë.

Paraqitja para drejtësisë është detyrë, shkruante agjipropisti Mero Baze.

Padiskutim që po.

Por a nuk i ka kaluar për mbi 8 vite Ramushi këto detyrime 2 herët e mëparshme kur madje ka pranuar edhe të kalojë kohë të gjatë në qelinë e Hagës sikurse e kanë detyruar të qëndrojë disa muaj edhe në qelinë e Francës?

Detyrimi për herë të tretë për të njëjtën çështje, edhe për “babain e përgjegjshmërisë universale” do të ishte gërricje durimi e nervash.

Sepse kur të kërkojnë të paraqitesh edhe njëherë të tretë për të njëjtën çështje qoftë edhe për kafe, jo më intervistë a pyetje a ku i dihet ndoshta edhe akuzë, kjo dëfton se dikush e ka problemin me ty personalisht e jo me çështjen për të cilën thirresh.

Andaj, dorëheqja e Ramushit për herë të dytë nga detyra e Kryeministrit, për tu përgjigjur e ballafaquar personalisht me këdo që e thërret për herë të tretë për të njëjtën çështje, është  vetësublimim.

Ai mund ta përdorte Kryeministrinë dhe Qeverinë e Kosovës kësaj radhe me çdo të drejtë të kësaj bote që ta negocionte e shmangte gjithçka që mund ti vinte nga kjo thirrje e tretë.

E me hak, ai mund edhe ta përdorte thirrjen e tretë si KM në detyrë për ta “kryer detyrën” nën persekutim të padrejtë.

Ky do të ishte viktimizimi.

Ballafaqimi dhe vetësublimimi nuk kanë asnjë lidhje me viktimizimin.

Janë krejt e kundërta e viktimizimit.

Duhet “burrni” me e shti veten në ballafaqim.

Këtë nuk e kuptojnë dot skuthat dhe hileqarët.

Dhe në fund fare, ai burri i shtetit që u duhet shqiptarëve sot në Kosove e Shqipëri, është pikërisht ky, pra burri që marketingun e bën me veten e tij në ballafaqim, jo me vendin e tij dhe detyrën e lartë, duke u fshehur pas vendit e detyrës.

Hashim Thaçi ka që nga vera e kaluar që bën fushatë e marketing me “kufijtë e Kosovës”.

Edi Rama ka 6 vjet që hap ekspozita si Kryeministër dhe e ka katandisur detyrën e lartë që kryen në zyrë promovimi atletesh, çitjanesh dhe veshjesh të çuditshme.

Kombet transformohen dhe lartësohen vetëm atëherë kur nuk kthehen në zyra marketingu për Udhëheqës mediokër dhe inferiorë.

Kombet ngrihen e zhvillohen kur kanë udhëheqës që vënë veten në dispozicion të Kombit dhe Shtetit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here