Shqipëria vendi ideal për të vdekur…

0
124

Një artist unik, spontan dhe me stil të veçantë, Robert Aliaj është mendjehapur dhe pa komplekse. Kërkues, kundërshtues, kontrovers, shpeshherë kundër rrymës. Krijimtaria e tij artistike nuk ka të sosur.

Piktor, këngëtar e aktor, ai është ndër artistët më të kompletuar që ka Shqipëria. Kur ishte fëmijë e ëndërronte shumë famën, pa e ditur se ç’do të thotë të jesh i famshëm. Vite më pas mori famë, por zhgënjimi sundon në kujtimet e tij.

Në një intervistë ekskluzive për Revista MAPO, Aliaj tregoi duke u kthyer pas në kohë hapat e parë, vështirësitë që kaloi e deri te suksesi që tashmë ka arritur.

Rikthehemi pas në kohë, si ishte fëmijëria e Robert Aliajt?

Fëmijëria është një përrallë epike që të nxit aftësi ripërtëritëse. Nga nuk të shkon mëndja në një kthim rreth hapësirës së madhe të katedrales së fëmijërisë, do të thoshte Virginia Woolf. Të vijnë ndërmend pafundësi situatash. Ndër imazhet zakonisht të idealizuara të fëmijërisë, janë bollëku i pastërtisë fizike dhe shpirtërore. Është një udhëtim nga pika më e largët e harkut të spektrit të fëmijërisë, me zemrën e brishtë, deri te patolerueshmëria e adultit.

Asnjëherë nuk je aq i pasigurt rreth fëmijërisë se sa në momentin që duhet ta mendosh çfarë është në të vërtetë fëmijëria. Unë për shembull nuk harroj dot televizionin, që servirej si një lloj diete e pasur me masakra fizike, shpirtërore dhe morale. Le të mos bëhemi nostalgjikë. Në vend që të rikujtojmë fëmijërinë, ne duhet të përballemi me përgjegjësitë tona si të rritur në krijimin e kushteve të dëshirueshme për fëmijët sot. Pyetja që duhet të shtrojmë, si prindër, edukatorë, punëdhënës dhe politikanë, është: A kemi krijuar një shoqëri që ka shkatërruar fëmijërinë që duam për fëmijët tanë?

A mendonit se një ditë do të bëheshit të famshëm? Si e imagjinonit ju famën?

Tani kthehem përsëri pas në fëmijëri. E ëndërroja shpesh një gjë të tillë, pa e ditur se ç’do të thoshte të jesh i famshëm. Vite më pas me këngën ndodhi, por zhgënjimi sundon kujtimet e mia. Është zhgënjyese bota e celebriteteve. Celebriteti nuk është një racë fisnike me histori të mëdha. Fatkeqësisht është pikërisht e kundërta e asaj që kisha ëndërruar në atë hapësirën e madhe të katedrales sime të fëmijërisë.

Sa të vështirë e kishit për t’u bërë pjesë e tregut artistik në Shqipëri?

Unë nuk jam bërë asnjëherë pjesë e tregut të cirkut artistik, as në pikturë, as në muzikë. E kam refuzuar pa asnjë keqardhje këtë mundësi. Sepse unë kam jetuar jetën time me artin tim, nuk kam menduar t’u pëlqej të tjerëve, i kam injoruar këto principe gjatë gjithë kohës. Dhe as nuk e kërkoj një gjë të tillë, sepse jam i bindur që në long-term, do të më bëjë më tepër dëm.

Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në pjesën artistike në vend?

Varet se cilës pjesë të realitetit artistik i referohesh. Kinemaja, teatri, teatri i operës, artet plastike, kanë shumë potencial, kanë vështirësi, por kanë edhe arritje. Duhet më shumë investim në kulturën e vërtetë. Gjithë pjesa tjetër e zbavitjes së publikut, humori, por muzika në përgjithësi, nuk ka një identitet të qartë. Vetëm shqiptare nuk është. As që nuk ia vlen ta konsiderosh.

Njiheni si një person gjithmonë “kundra rrymës”, çfarë mendon se ju bën ndryshe?

Nuk kam pse ta mendoj se çfarë më bën të jem ndryshe sepse të qenit ndryshe për hir të të qenit i ndryshëm, nuk mjafton. Ndoshta rryma për të cilën flisni ju, është kundra vetes.

Sa “sulmohet” Robert Aliaj?

Mbase në një botë irreale me maska silikoni të fshehura mbas profileve false në rrjete sociale ndodhin sulme, por, kur heqin maskat, të përqafojnë.

Si do ta krahasonit jetën në Bruksel, me atë në Shqipëri?

Të dyja të bukura.

Sa e pengon fama Bert Aliajn?

Unë jetoj si fëmijë, ndjek rrugët ose rrugicat që më bëjnë ose të ëndërroj, ose të kujtoj momente të bukura. Asgjë s’më pengon mua ta jetoj jetën time pa paragjykime.

Nëse do të ktheheshit pas në kohë, çfarë do të ndryshonit?

Nuk më shkon ndërmend një pyetje e tillë.

Mendon se je një prind i denjë?

Nuk e mendoj, por bëj maksimumin që di.

Dëshiron që dhe fëmijët ta trashëgojnë artin si ju?

Dëshiroj të bëjnë atë që bëra unë vetë. Atë për të cilën zemra ju pulson.

Një këshillë për të gjithë të rinjtë shqiptarë që dita-ditës largohen nga vendi duke mos gjetur një motiv për të qëndruar…!

Nuk më pëlqen të jap këshilla, ndiqni ëndrrat tuaja. Motivet nuk janë këshillë e mirë. Pasionet janë këshilluesi më i sinqertë. Një njeri pasionant e gjen veten edhe në Shqipëri dhe mund të sjellë ndryshimet që ëndërrojmë.

A keni ende një ëndërr të parealizuar?

Do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje kur të bindem se e kam realizuar një të tillë.

Keni filluar një emision të ri në Ora News, çfarë e bën të ndryshëm emisionin “Vetëm një Natë”?

“Vetëm një Natë” është një qasje e sinqertë dhe autentike që udhëhiqet nga dëshira unike për ta vënë njeriun e thjeshtë në zemër të udhëtimit tim, dhe jo në zemër të mëshirës. Kam parasysh këtu trendin e emisioneve, ku mëshira shkon në limitet e neverisë, ku ndihma nuk jepet pa praninë e kamerave që ta shohin të gjithë. Ku dora e dhënë është gjest komercial i pashpirt. Ku dinjiteti rrjedh nëpër kanale septike.

Teknika “njeriu orkestër” e përdorur është tërësisht inovative. Ka dy kamera në trup. Njëra është drejtuar ndaj meje në saje të një krahu të artikuluar dhe tjetra i drejtohet intervistuesit. Kjo teknikë të lejon që të mos kesh ekip dhe të kesh një afërsi miqësore me bashkëbiseduesit. Domethënë, duhet të jesh njëkohësisht gazetar, kameraman, inxhinier dhe regjisor etj. Ideja është të garantosh një status dëshmitari të realitetit social shqiptar pa asnjë paragjykim. Vokacioni i “Vetëm një Natë” nuk është denoncimi apo përcjellja e mesazheve politike, “Vetëm një Natë” duhet ta lexoni si ditar udhëtimi, ose si tregime të filmuara.

Cili ishte qëllimi?

Është një tërheqje e vjetër drejt atij dimensioni human të humbur nëpër qytetet e mëdha.

Përse keni zgjedhur transmetimin bardhezi?

Bardhezi është një balancë perfekte që nuk lejon komente, por që kjo balancë bie ndesh me mentalitetin Bardhezi, jo tolerant.

Ju u bashkuat me protestën e studentëve, të cilët protestonin për kërkesat e tyre të paplotësuara nga qeveria, çfarë ishte kjo për ju?

Lëvizja studentore ishte diçka më tepër se kërkesat e paplotësuara. Lëvizja studentore ishte një segment i rëndësishëm i komunitetit intelektual që mund të krijonte një angazhim real dhe aktiv në përpjekjet për ndryshime shoqërore, që ne i kemi dëshpërimisht nevojë. Zhvillimet që ndodhën e çuan atë në shkatërrimin e saj, pjesërisht përmes represionit, por edhe përmes taktikave idiote të marra nga segmente të vetë lëvizjes studentore.

Faji për këtë situatë bie mbi pjesën më të ndriçuar të shoqërisë, akademikët, shoqëria civile, dhe mbi të gjitha politika, të cilët lejuan të krijohet një situatë ku pjesa më e re, më e angazhuar dhe më e sinqertë e shoqërisë, dhe nga pikëpamja sociale, më aktivja, të nëpërkëmbet, dhe të gjymtohet në atë farë feje, sa të krijojë një kosto të papërballueshme për të ardhmen, për shoqërinë në tërësi. Shtypja e kësaj lëvizjeje, qoftë edhe nëpërmjet zbutjes së situatës ishte moralisht e patolerueshme dhe praktikisht katastrofike. Mendoj që sfida kryesore tani, mbetet mbrojtja dhe promovimi i lirisë dhe integritetit demokratik të jetës akademike, për të mbështetur universitetin jo vetëm si një qendër të hapur të mendimit dhe të fjalës së lirë, por edhe si një pikë takimi multiideore, jo si një enklavë konformiteti të detyrueshëm, as si një linjë totalitare brenda një shoqërie demokratike.

Çfarë ju frymëzoi për këngën “Ah, ku më hodhi Zoti”? A ishte ky një sulm ndaj qeverisë?

Unë nuk jam militant, unë nuk sulmoj një qeveri për ta zëvendësuar atë me një tjetër shumë herë më të keqe. Unë sulmoj një sistem të instaluar aty prej tridhjetë vjetësh. “Ah ku më hodhi Zoti” është sintezë e mendimit shoqëror shqiptar. Të gjithë shqiptarët kudo që janë, në çdo moment këndojnë: “Ah ku më hodhi Zoti” 24 orë në 24. “Ah ku më hodhi Zoti” nuk është frymëzim, është klithma e secilit. Dhe secili kur bëhet me pushtet, këndon këngën “o sa mirë me qenë shqiptar” dhe këngën “Ah ku më hodhi Zoti” ua lë të tjerëve.

A e terrorizon realiteti çdo njeri në Shqipëri?

Nuk jam i sigurt për këtë. Ne e bëjmë vetë realitetin tonë. Secili ka realitetin e vet. Për mua p.sh. realiteti im, është piktura ime, lufta ime, përplasja me veten time.

Në këngë e komentoni Shqipërinë si vendin ku shpresoni vetëm të vdisni, s’mund të jetohet në Shqipëri apo çfarë?

Momentalisht është vendi ideal për të vdekur. E di pse? Sepse një popull me një mentalitet të tillë që lufton vetëm për bukën e gojës, nuk ka arsye, as nevojë për kulturë, as për të kërkuar ndryshime sociale. I duhet vetëm një furrë buke dhe një nevojtore.

Çfarë duhet të ndryshojë në politikën shqiptare? Çfarë qëndrimi ka Roberti në lidhje me politikën, si e sheh?

Së pari, duhet të ndryshojmë ne, secili nga ne. Aty fillon ndryshimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here