“13 tetori, shansi më i mirë për të ecur përpara në emër të një populli”

0
131

Nga Vangjel Tavo:

Në as edhe një vend të botës, e në veçanti në kontinentin evropian, ku edhe lindi demokracia, u zhvillua dhe u konsolidua në këtë pikë ku gjendet sot, e mishëruar më së miri me familjen e madhe evropiane, rrallë gjendet një vend ku procesi zgjedhor bëhet me një kandidat të vetëm, dhe ku një popull i tërë ndahet e përçahet kaq keq e kaq thellë sa në Shqipëri.

Në vend të një dite bashkimi, 30 qershori ka rrezikuar të bëhej një simbol kaosi, një moment i errët i cili do na kthente 30 vite pas vendin e do mbyllte për një kohë e kohë të gjatë dyert drejt BE-së.
Përgjegjësia për të gjithë këtë ndarje kaq të thellë midis qytetarëve dhe fshatarëve të thjeshtë bie drejtpërdrejtë mbi qeverinë, e cila me një papërgjegjshmëri të plotë nuk tregoi as dashurinë dhe përkujdesjen më të vogël për popullin e vet. Përkundrazi, përdori gaz lotsjellës, me mijëra forca policore, përdori autoblindë dhe makina ushtarake për të shpërndarë materialet zgjedhore, e shumë elementë të tjerë të cilat po krijojnë një imazh të shëmtuar të Shqipërisë në të gjitha mediat e botës. Kjo është Shqipëria me ëndrra evropiane e jo Shqipëria e terrorit dhe e shndërruar në marrëzi e turp botëror.

Data e re e zgjedhjeve e sapo dekretuar nga Presidenti i Republikës është një shans jo vetëm i mirë për dialog por edhe një mundësi e shkëlqyer të arrimë e marrim një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave në tetor.

Reflektim, reflektim, reflektim. Kaq duhet për t’i mundësuar sërish shansin e BE-së të gjithë shqiptarëve.

Sot qeveria, e madje e gjithë politika ka përgjegjësinë më të madhe në 30 vitet e fundit, pasi ky është momenti i zgjedhjes: të shohim dhe ecim përpara apo të vuajmë mallkimin e një kthimi pas të cilin historia dhe brezat e ri nuk do na e falin kurrë.

Shqiptarët duhet të jenë misioni mbi çdo kokëfortësi. Rinia duhet të jetë e para mbi çdo egoizëm. E ardhmja evropiane duhet të zbusë zemrat dhe ulë hundët më krenare.

Turp për çfarë përjetoi vendi këto ditë e javë të tëra. Ka ardhur koha për të shpalosur integritetin politik dhe njerëzor në të mirë të vendit.

Le të votojnë shqiptarët më 13 tetor jo të ndarë, pa frikë, në mënyrë të lirë, të ndershme dhe demokratike, të denjë për një vend të NATO-s dhe aspirante e denjë për në BE.

13 tetori, shansi më i mirë për të ecur përpara në emër të një populli.

VT

Fotografia e Vangjel Tavo - Faqja Zyrtare

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here