Aleatët e PD-së: Qeveri Tranzitore, Rama kosto për shqiptarët…

0
105

Këtë të martë, kauza e opozitës për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira pa Edi Ramën kryeministër, u finalizua me firmosjen e marrëveshjes së koalicionit opozitar. ”Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një qeverie Tranzitore me mandat të posaçëm”, shkruhet në një nga pikat e marrëveshjes. Kujtojmë që kjo marrëveshje përbëhet nga 10 pika dhe është nënshkruar nga kryetarët e disa partive brenda koalicionit opozitar, mes tyre Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, PBDNJ, PAA, PDK dhe PDIU. Ky koalicion synon krijimin e një qeverie tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme dhe do t’i hapë rrugë drejtësisë për të ndëshkuar ata politikanë që janë faktuar se kanë blerë zgjedhjet. Aleatët kanë theksuar se ata janë garancia e këtij sistemi.

Deklaratat e aleatëve të PD-së

Në një dalje për mediat fill pas firmosjes së marrëveshjes, aleatët shprehën edhe njëherë tjetër nevojën që vendi ka për zgjedhje të lira. “Kur padrejtësia bëhet ligj rezistenca është detyrë” me këtë shprehje të Benjmin Franklin, kreu i PR-së, Fatmir Mediu nënvizoi nevojën e institucionalizimit të këtij koalicioni opozitar. Sipas Mediut, zgjedhje do ketë vetëm atëherë kur të krijohen kushtet e duhura që qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje të lira e të ndershme. ”Padyshim që kjo marrëdhënie e opozitës është detyrë qytetare për të penguar zgjedhjet farsë shkatërrimin e opozitarizmit dhe institucionet kushtetuese të këtij vendi. Ne në këtë marrëdhënie, kemi një raport të ri jo vetëm politik por dhe elektoral. Kemi institucionalizimin e opozitarizmit për të mos lejuar zgjedhjet farsë dhe të manipuluara. Është detyra më fisnike e çdo politikani apo force politike të garantojë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur dhe kjo përgjegjësi është kushtetuese dhe qytetare që opozita do i shkojë deri në fund. Zgjedhje do të ketë vetëm në kushte kur qytetarët të mund të votojnë të lirë”, u shpreh Mediu për gazetarët pas firmosjes së koalicionit opozitar.

Kurse kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, tha se ky është hapi i parë dhe i pandalshëm i opozitës, i cili do të synojnë arritjen e thelbit të demokracisë ku qytetarët të zgjedhin lirshëm përmes votës së lirë. Gjithashtu ai theksoi se sa më shumë Edi Rama të qëndrojë në pushtet, aq më shumë do të shtohen kostot për familjet e të gjithë shqiptarëve. ”Dëshirojmë të theksojmë se: Zhvillimet politike në vendin tonë kalojnë tani në një stad të ri cilësor. Kemi një artikulim të qartë, të cilat shkojnë përtej objektivave partiake dhe prekin thelbin e arritjes së demokracisë funksionale dhe të së drejtës. Në këto momente, kur kemi këtë artikulim të qartë opozitar, kemi mbështetjen tonë masive tek qytetarët. Është momenti që t’i drejtohemi ndërgjegjes popullore. Edi Rama çdo sekondë që rri më tepër në pushtet është një kosto më tepër pëe familjet tona. Qytetarët reflektoni, e keqja është e përbashkët për të gjithë ne. Zgjedhjet pa qytetarët nuk kanë kuptim”, tha Dule për gazetarët.

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka në një prononcim për mediat, tha se me këtë marrëveshje ndan të njëjtat vlera me qëllim zhvillimin e zgjedhjeve të lira e jo të manipuluara. ”Rama sot ndodhet i vetmuar, pavarësisht se i ka thirrur disa parti të cilët nuk i ka përjashtuar akoma për në koalicion por sot u thotë që do konkurroj me ju. Ndryshe nga e majta e çoroditur, sot Basha po ndërton “ekipin kombëtar” me vlerat e veta, pa i blerë litarët si zoti Rama, por jemi bërë pjesë e ekipit me vlerat tona programore. Kurse Rama po tenton të ketë përballë ekipin e të rinjve që dështoi në parlament, po përpiqet me ekipin e vjetër të opozitës jashtë parlamentit por besoj se edhe ky do jetë një dështim, i bëj thirrje Ramës që të kuptojë realitetin e politikës në vend, s’ka zgjedhje pa opozitën, sistemi demokratik funksionon mes dy palëve. jemi të vendosur që të zhvillojë zgjedhje të lira pa Edi Ramën kryeministër”, u shpreh Ndoka.

Pas takimit të opozitës ku u firmos koalicioni i bashkëpunimit midis tyre ka folur edhe Agron Duka. ”Nuk do ta mbajmë mbi kurriz barrën e mosrealizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Problemet e tjera në detaje që diskutuam, janë edhe problemet e bujqësisë, ku morëm angazhimin që në koalicion të jemi këmbëngulës që të plotësojmë nevojat e fermerëve shqiptarë, sidomos për banorët e zonave rurale”.

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka theksuar se kushdo që kërkon të bëhet pjesë e betejës opozitare është i mirëpritur por jo ata që kërkojnë të bëhen fasadë e pushtetit të Edi Ramës. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me PD, Shehi duke iu referuar krijimit të partisë së re nga Astrit Patozi, tha se nuk i jep rëndësi, por opozita është fokusuar në betejën e saj. ”Beteja është me Edi Ramën. E rëndësishme është që harku opozitar po zgjerohet përditë me njerëz, me lëvizje, me ide për të bërë të pamundur vazhdimësinë e kësaj oligarkie. Ne urojmë që kushdo që merr pjesë në betejën si opozitar është i mirëpritur. Kush merr pjesë në betejë si fasadë e Edi Ramës, nuk ka rëndësi, ka ekzituar edhe më parë. Ne nuk i japim rëndësi kësaj pune, por do të shikojmë punën tonë, që nuk ka filluar sot”, u shpreh Shehi.

Marrëveshja me 10 pika

1. Krijimin e një koalicioni të bashkuar opozitar qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend.

2. Partitë nënshkruese të këtij koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

3. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një qeverie Tranzitore me mandat të posaçëm për:

-kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend nëpërmjet zgjedhjeve të përkohshme parlamentare.

-përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare dhe vendore në Shqipëri.

-Realizimin e reformës zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit , luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, si dhe eliminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje.

– Krijimin e klimë së besimit për zbatimin e reformës në drejtësi jashtë çdo ndërhyrje politike.

– Krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe ndërmarrjen e çdo reforme të nevojshme për këtë qëllim.

4. Në mbrojtje të demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira e të ndershme, partitë nënshkruese të këtij Koalicioni angazhohen të mos lejojnë asnjë farsë elektorale, të organizuar nga qeveria ilegjitime e Edi Ramës.

5. Pamundësimi i mbajtjes së zgjedhjeve (të diktuara nga pakti i Edi Ramës në krimin e organizuar dhe paratë e tyre të pista, të realizohet përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar në të gjithë vendin.

6. Rikonfirmojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur. Shprehim vendosmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap, që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm dhe të shpejtë të Shqipërisë . Familjen Europiane.

7. Angazhohemi për të unifikuar dhe miratuar një Platformë të Përbashkët për çlirimin e ekonomisë nga oligarkia dhe krimi me mbështetje qeveritare apo politikat rënduese fiskale. Ky trinom është përgjegjës për rritjen e papunësisë, largimin e investimeve të huaja, falimentimin e fermerëve dhe sipërmarrjes private. Kjo Platformë e Përbashkët ka për qellim nxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë ekonomike për të krijuar punësim, zhvillim, mirëqenie dhe mundësi të barabarta për të gjithë.

8. Angazhohemi për luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave të pista, si pengesa kryesore për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

9. Mbështesim çdo qytetar, të drejtat dhe liritë themelore të çdo cilit dhunohet nga veprimet arbitrare të institucioneve shtetërore.

10. Angazhohemi për një marrëdhënie elektorale me çdo individi apo parti politike, të identifikuara aktualisht si opozitare, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe integritetit të nënshkruesve.

Koalicioni i Bashkuar Opozitar dhe Qytetar ngarkon Partinë Demokratike të Shqipërisë, si partia më e madhe e Koalicionit, për realizimin e marrëveshjeve individuale apo në grup për zgjedhjet me të gjitha palët nënshkruese.

Partitë politike të Koalicioni opozitar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here