Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se nuk është i interesuar të mësojë detaje nga dosja e grabitjes së 6.5 milionë eurove në Rinas, pasi kjo nuk është as detyrë e tij.
“E para nuk e kam për detyrë, e dyta nuk kam kërshëri. Mua nuk më intereson. Ka një perceptim se ministri fut hundët në dosje. Mua nuk më intereson as në aspektin personal”, tha Lleshaj.
Sa i përket vrasjes së Admir Muratajt, i dyshuar si organizator i grabitjes, Lleshaj tha në ‘Repolitix’ se në përfundim të hetimeve do të mësohet nëse është vrarë nga policia apo bashkëpunëtorët e tij.
“Vrasja e tij (Muratajt) është ende e panjohur për sa kohë nuk është mbyllur hetimi”, tha ai.
“Kam parë një diskutim malinj për të zbuluar se kush nga policët e ka bërë këtë (vrasjen e Muratajt)”, shtoi ministri.
Lidhur me publikimin e emrit të viktimës fillimisht nga mediat greke dhe jo nga autoritetet shqiptare, Lleshaj tha: “Policia heziton të bëjë publike edhe fakte ordinere në hapat e para të hetimit sepse çdo fakt që jepet në publik është paralajmërim për dikë tjetër që është në hetim apo në kërkim.”