Ndahet nga jeta ish-deputeti i PD-së…

0
121

Diten e djeshme  është ndarë nga jeta njëri nga themeluesit e PD si dhe ish-deputet i Vlorës prof.Abedin Elmazi.

Ai është gjithashtu figurë e njohur e arsimit shqiptar dhe mban titullin”Mësues i Popullit”., ndërkohë që është dhe babai i ish-deputetes së PD-së Prof.Dr.Liljana Billa Elmazi.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Postimi i plotë i Bashës:

Me hidhërim të thellë mësova se dje u largua prej nesh dhe shkoi në amëshim Abedin Elmazi, deputeti i Partisë Demokratike në dy legjislatura, mësuesi dhe edukatori model i Vlorës dhe i të gjithë Shqipërinë.

Bir i denjë i komunitetit çam të Vlorës, Abedin Elmazi ishte luftëtar i të drejtave të njeriut dhe themelues i Partisë Demokratike të qytetit bregdetar. Breza të tërë nxënësish mësuan prej profesor Abedinit jo vetëm matematikën, pasionin e tij të madh të rinisë, por edhe etikën, respektin për të vërtetën si dhe qëndresën përballë mekanizmave që përpiqeshin ta zvetënonin njeriun dhe ta shndërronin në një robot të diktaturës.

I lindur në Filat të Çamërisë, më 1 maj 1940, ai e njohu Vlorën si fëmija i shpërngulur nga vatra e vet, prandaj edhe mbeti gjithë jetën një luftëtar i të drejtave të njeriut, një atdhetar që e kishte për detyrë të përpiqej jo veç për dinjitetin e vet, por edhe për dinjitetin e nxënësit, dinjitetin e qytetit dhe dinjitetin e vendit, të gjunjëzuar nga flama e diktaturës.

Deri më 1990, Abedin Elmazi e mbajti të shartuar pasionin e tij për të vërtetën dhe saktësinë, ashtu siç e meriton matematika, me ambicien për të përparuar edhe në karrierën e tij shkencore. Ai ishte njëri nga figurat më të spikatura të filialit të Fakultetit Ekonomik në Vlorë, derisa diktatura e mbylli në 1982-in.

Me fillimin e Lëvizjes Demokratike në Shqipëri, ai ishte i pari që në zonën e vështirë të Vlorës, u shfaq ai që ishte i destinuar të bëhej, atdhetari dhe politikani që i duhej qytetit dhe Shqipërisë. U zgjodh deputet i qytetit të Vlorës dy herë radhazi, në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit si dhe ishte pjesëtar i ekipit legjislativ të Partisë Demokratike në triumfin e demokracisë, 22 marsin e 1992-it. Në parlament ai la shenjë për urtësinë e tij, ndërkohë që me hapjen e Universitetit “Ismail Qemali” ai iu rikthye qytetit të Vlorës, për të vijuar kontributin e tij në fushën akademike. Doktori i Shkencave Abedin Elmazi dha kontribut thelbësor në rigjallërimin e jetës universitare në qytetin bregdetar, pa e ndërprerë angazhimin e tij në fushën e të drejtave të njeriut.

Me largimin e tij, Profesor Abedini lë një boshllëk në mendjet e zemrat e të gjithë atyre që e njohën. Partia Demokratike humbi një themelues të sajin, ndërkohë që dega e Partisë Demokratike të Vlorës humbi një aktivist të pashoq.

Por kontributi i tij akademik do të vijojë të jetë mes nesh si një trashëgimi brezash, kurse aktivizmi i tij në fushën e të drejtave të njeriut një kujtim që do na nxisë të jemi më të vendosur në mbrojtje të lirive që i fituam në 1990-n.

E di që largimi i profesor Abedinit lë një dhimbje të pangushëllueshme tek fëmijët e tij, Liljana dhe Iliri. Unë i jam pranë ish deputetes tonë, pedagoges Liljana Elmazi në këtë çast të vështirë për të, me bindjen se bashkë me dhimbjen ajo përjeton edhe ndjenjën e krenarisë për kontributin që profesori la për të gjithë ne.

Profesor Abedin Elmazi tashmë e ka fituar vendin e tij në historinë e Partisë Demokratike dhe në historinë e Kuvendit të Shqipërisë. Kush fiton historinë, ka fituar përjetësinë! U prehtë në paqe.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here