Endri Shabani: Si të blejmë një deputet?

0
275

Nga Endri Shabani

Si të blejmë një deputet?

Për një moment imagjino sikur je një nga biznesmenët më të mëdhenj në Shqipëri, dhe qëllimin kryesor në jetë e ke të maksimizosh fitimin. Për çfarë arsye do të dhuroje para në fushatën zgjedhore? Akoma më tepër, për çfarë arsye do dhuroje para në mënyrë anonime, duke mos i deklaruar si shpenzime për tatimet, dhe duke u deklaruar në listën zyrtare të dhuruesve? Nëse je aq naiv sa te mos kesh një përgjigje, më lër të të jap unë një ide: sepse ke në plan të kesh një derë të hapur tek ai që do vijë në pushtet. E thënë ndryshe, do të kesh akses në qeverisje.

Në varësi të madhësisë së biznesit tënd, aksesi në qeverisje përkthehet në mundësi për të kontrolluar sektorë të pushtetit duke futur njerëz në punë; për të rritur fitimet duke fituar tendera; për të zgjeruar aktivitetin duke marrë ndonjë leje apo liçensë; apo për të kursyer para duke të shmangur ndonjë gjobë, a shkelur ndonjë ligj. Sigurisht, nëse ti pastaj do ishe biznesmen nga ata me B të madhe, mund edhe ta përdorje pushtetin si instrument për të zhdukur konkurentët, përmes ligjeve që avantazhojnë biznesin tënd, apo me tatimorët që sillen si polici private kundër konkurentëve.

E di që nuk të duhet shumë fantazi për ta imagjinuar një situatë të tillë. Ky është realiteti ku jetojmë, dhe jo një faqe e shkëputur nga ndonjë libër historie apo nga ndonjë përmbledhje përrallash popullore. Në momentin që flasim një dorë biznesmenësh kanë gjithmonë e më tepër peshë në politikbërje, ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë heq dorë përditë e më shumë nga politika.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare ne i dhamë Partisë Socialiste rreth 3 milion dollarë nga buxheti i shtetit, ndërkohë donatorët privat i dhanë tre herë më shumë (9 milion dollarë). Kjo është vetëm shifra zyrtare, pa llogaritur financimet e padeklaruara, që aludohet se shkojnë 20 herë më shumë. Dhe ti ende pret që kjo maxhorancë të punojë për ty e për mua?

Që ky model aktual i financimit të zgjedhjeve nuk është i mirë, këtë e di edhe bufi, por më ler të parashtroj pesë probleme serioze që shkakton ky model, dhe pastaj të propozoj një zgjidhje.

E para, ky model financimi nga privatët çon në krijimin e monopoleve dhe kapjen e shtetit. Biznesmenët që dhurojnë shuma të mëdha për fushatat zgjedhore nuk janë budallenj. Okay, disa edhe janë, por edhe ata dinë se si të mos e hedhin paranë kot, se ndryshe nuk do iu kishte mbetur gjë në xhep. Ata duan diçka mbrapsh nga politikani që “blejnë”. Kështuqë, ne përfundojmë me deputetë, kryeministra apo kryetarë bashkie që vijnë në pushtet me borxhe jo ndaj nesh, por ndaj biznesmenëve që i kanë financuar. Mos u habit pastaj kur Parlamenti kalon ligje që taksojnë blerjet online, apo eksportin e kromit sipas terezisë së biznesmenëve përkatës.

E dyta, ky model çon në paralizimin e forcës shtrënguese të shtetit. Kur këta financues janë biznesmenë, ata paralizojnë rolin kontrollues të shtetit, duke ulur cilësinë e shërbimeve publike apo duke rritur koston e jetesës. Le të supozojmë sikur një pronar linjash autobuzi do të paguante, thuaj, një milion Euro në fushatën zgjedhore të një kandidati për kryetar bashkie. Me të ardhur në pushtet ky kryetar nuk do bënte asgjë më pak se do lejonte rritjen e çmimit të biletës së urbanit, duke rritur koston e transportit publik pa rritur aspak cilësinë e shërbimit. Déjà vu? Sigurisht!

Ndërsa, kur këta financues janë kriminelë, ata paralizojnë policinë dhe prokurorinë, duke rritur pasigurinë e jetës dhe të pronës në Shqipëri. Për të të krijuar një ide, le të supozojmë se një kriminel ka financuar me paratë e drogës ardhjen në pushtet të një partie. Gjëja e parë që ai do të kërkojë mbrapsh do të jetë imuniteti nga proçedimi penal në rast se vendos gjoba dhe grabit prona. Gjëja e dytë është xhiro me makinë, shëtitje me skaf nën qiellin pa hënë e pa radarë, dhe fluturime turistike me avionë që spërkasin mushkonjat në bregdet.

E treta, ky sistem deformon cilësinë e përfaqësimit. Nën presionin e konkurencës, partitë priren të rrisin progresivisht kostot e fushatave të tyre, gjë që në vetvete rrit nevojën për para, duke rritur kështu varësinë e tyre ndaj biznesmenëve. Prandaj shumë parti, që të përballojnë konkurencën, fillojnë e fusin në listat zgjedhore biznesmenë dhe trafikantë, dhe nxjerrin prej tyre akademikë, artistë dhe personalitete të tjera publike që kanë pasuri të tjera nga ato materialet. Duke e zbazuar kështu parlamentin nga personalitetet që me integritetin e tyre moral dhe formimin profesional, mund të ndikonin pozitivisht në drejtimin e vendit. Për këtë mos më beso mua, por shko dhe kontrollo cv-të e deputetëve dhe krahasoji me ata që kemi patur 10 apo 20 vite më parë. Pastaj kontrolloji edhe deklarimet e pasurive për tu damllosur përfundimisht.

E katërta, ky model e bën të vështirë garën e ndershme politike. Po nuk përtove shko tek faqja e KQZ-së, dhe renditi partitë vetëm në bazë të fondeve që kanë marrë për zgjedhje. Do shohësh që mund të parashikosh kush i ka fituar zgjedhjet, pa qënë nevoje fare për të numëruar votat. Kjo lidhje e drejtë midis fondeve të fushatës dhe suksesit në zgjedhje është studiuar edhe në vënde të tjera dhe dhjetra studime kanë konfirmuar se kandidati apo partia me më shumë para fiton në 85 – 90 % të rasteve.

Fondet e fushatës janë veçanërisht vendimtare për kandidatët që sfidojnë sistemin. Gjithashtu, fushata mund të mos luajë ndonjë rol për militantët, por është thelbësore për elektoratin gri që në fakt është më i interesuar për të dëgjuar alternativat politike. Një studim i 2017 në SHBA konfirmoi se ndërkohë që spotet elektorale mund të mos luajnë ndonjë rol të rëndësishëm për kandidatët që janë të njohur për publikun, ato luajnë kanë rol kyç për kandidatët e rinj, që kanë nevojë të njihen nga publiku. Ndërsa në Shqipëri, nuk kemi nevojë për studim. Mjafton të shohësh se erdhën me flokë në ’98-tën dhe kanë 20 vjet që po lënë lesht në pushtet, për të kuptuar përse edhe pse të gjithë bashkë mbledhin më pak se 45% të votave, prap nuk i sfidon dot njeri.

E fundit, ky model dëmton besimin e publikut tek institucionet publike dhe tek demokracia. Nëse votuesit shohin vazhdimisht se përfaqësuesit e tyre punojnë vetëm për një grup biznesmenësh, ata dalëngadalë humbasin besimin tek institucionet, duke bërë që këto të fundit të humbasin legjitimitetin. Gjithashtu, duke besuar se zgjedhjet i fiton gjithmonë ai që ka më shumë para, njerëzit humbasin besimin që vota e tyre vlen. Mospjesëmarrja në zgjedhje e gjysmës së popullsisë, si dhe studimet e ndryshme mbi rënien e besueshmërisë tek institucionet publike, e konfirmojnë këtë shqetësim. Pa harruar këtu se një situatë e tillë e bën publikun më të prirur për të mbështetur liderat autoritarë, ose të paktën më pak të gatshëm për të mbrojtur institucionet demokratike.

Tani imagjino sikur pasi ke lexuar këto rreshta, të hipën delli të kandidosh në zgjedhje, dhe të bësh diçka për 99 % tjetër që nuk ka zë në qeverisjen e vendit. Përpara se të fillosh më ler të të kujtoj se të duhen para për organizuar një fushatë që si fillim votuesit të të njohin, pastaj tu komunikosh atyre ato që ke ndërmend të bësh po fitove. Nga do preferoje t’i merrje paratë? Nga ai pronari i autobuzëve që pret të rrisë prapë çmimin e biletës? Nga kriminelët e drogës që presin të pastrojnë paratë me gradaciela të ngritura mbi gërmadhat e godinave historike? Nga ai biznesmeni që ka monopolizuar burimet natyrore, dhe pret të privatizojë pronën publike? Apo nga zgjedhësit që presin që të paktën ti të mos jesh një qelbësirë si ata që po mbajnë në qafë?

Nëse ti nuk je nga ata kopukët që preferojnë të shiten tek të parët, por je si pjesa më e ndershme e kësaj shoqërie, do preferoje t’i merrje paratë nga votuesit. Por votuesit shqiptarë janë të varfër dhe këtu nuk ka traditë të donacioneve për zgjedhje (sikurse nuk ka as lehtësira fiskale). Prandaj unë propozoj financim të plotë të zgjedhjeve nga buxheti i shtetit, duke ndërmarrë tre hapa:

E para, duhet ndryshuar skema aktuale e financimit të zgjedhjeve nga buxheti i shtetit. Në momentin që flasim, paratë e buxhetit të shtetit iu shpërndahen partive politike që janë në parlament, duke krijuar një cikël të mbyllur të riprodhimit të pushtetit. Unë propozoj që KQZ ta pjesëtojë buxhetin për zgjedhjet me numrin e votuesve në zgjedhjet e fundit, dhe ta ndajë atë në kupona të barabartë. Cdo zgjedhës të ketë një kuotë të cilën mund ta dhurojë tek kandidati apo partia që mbështet. Nga pikëpamja teknike kjo mund të realizohet me kupona, apo në formën e një kodi elektronik që gjenerohet për cdo votues, të cilin ata e përdorin në një sistem online. Kështu zgjedhjet financohen nga buxheti i shtetit, por ama vetëm përmes preferencave të votuesve, të cilët do i çojnë paratë tek kandidatët që gëzojnë besimin e tyre.

Së dyti, duhet vendosur një tavan për shpenzimet e partive politike. Mund të jetë e vështirë të kontrollosh të ardhurat e një partie, por nuk është dhe aq të kufizosh shpenzimet e saj. Vendosja e tavanit për shembull mbi kohën televizive gjatë fushatës apo në numrin e aktiviteteve elektorale, jo vetëm që krijon mundësi më të barabarta për garim në zgjedhje, por i ndihmon partitë që të dalin nga spiralja e konkurencës dhe nga varësia e parave në të cilën janë futur. Programet e rehabilitimit për kumarxhinjtë mund të jenë një shembull inspirues në këtë drejtim.

Së treti, të ndalohen burimet e tjera të financimit dhe të rritet buxheti i shtetit për zgjedhjet, duke iu afruar buxhetit real të shpenzuar aktualisht nga partitë politike. Nëse një grup biznesmenësh shqiptarë që deri dje ishin shoferë e kambistë, paskan aq para sa të financojnë zgjedhjet çdo dy vjet, dhe prap të dalin me fitim, nuk ma mbush dot njeri mëndjen se një shtet i tërë nuk i paska kaq para. E thënë ndryshe, nëse çmimi i përfaqësuesve tanë përballohet nga një dorë biznesmenësh të mbytur në kredi, është e sigurtë që nuk janë shumë të shtrenjtë për xhepin e tre milion shqiptarëve. Prandaj le t’i ri-blejmë përfaqësuesit tanë, dhe t’i çlirojmë ata nga donatorët që i kanë marrë peng.

Përpara se të nxitohesh dhe të më kujtosh histori me shtet, Enver, apo punizëm, po të kujtoj se në SHBA ka disa kohë që po aplikohen modele të financimit të zgjedhjeve nga buxheti i shtetit, apo skema të kufizimit të donacioneve nga subjektet private. Në këto raste, studimet kanë treguar se efekti ka qënë pozitiv. Një studim i Universitetit të Stanfordit ka zbuluar se financimi i zgjedhjeve nga fondet publike ka dy efekte: e para, politikanët që janë në pushtet kanë më pak gjasa për tu rizgjedhur; dhe e dyta, kandidatët fillojnë të premtojnë më tepër politika sociale gjatë zgjedhjeve, duke u bërë më kritik ndaj korporatave të mëdha. Si të thuash, fitojnë lirinë të punojnë për zgjedhësit.

Po ashtu, përpara se t’më thuash se aktualisht biznesmenët i financojnë partitë me paratë e tyre, më ler të të kujtoj se në fakt ato janë paratë tona, të cilat ata na i marrin përmes shfrytëzimit të pushtetit për të krijuar monopole, e duke na rritur koston e jetesës. Prandaj le të zbatojmë më mirë  një skemë tjeter që i financon zgjedhjet po me lekët tona, por në mënyrë direkte, pa qënë nevoja për të fuqizuar biznesmenët dhe kriminelët (apo bizneso-kriminelët).

A ka kjo zgjidhje sfida teknike? Sigurisht që po, por hej, mos më thuaj që në kohën e kartave të kreditit, të biletave të avionit që të vijnë në celular, të certifikatave zyrtare online, dhe të votimit elektronik kjo është një sfidë e pakapërcyeshme. Prandaj le të biem dakord se sfida më shumë se teknike është politike, pasi duhet rimodeluar sistemi që jo vetëm tua heqim pushtetin nga duart matrapazëve, por të krijojmë hapësirë për njerëzit e ndershëm. Kështuqë, në këtë pikë sfida është edhe biologjike, dhe ndodhet në materien gri që gjendet mes dy veshëve. E pikërisht aty duhet të fillojë zgjimi nga makthet e tashme apo dhe ëndrrimi për një të ardhme që s’vjen kurrë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here