Liberalizimi shtrenjton çmimin e energjisë, bizneset “refuzojnë” ta paguajnë…

0
141

Në janar, çmimi i energjisë për grupin e bizneseve të liberalizuara, që furnizohen nga Operatori i Shpërndarjes Elektrike, arriti 18.73 lekë/kwh, duke u dyfishuar në raport me 9.5 lekë/kwh që ishte çmimi për këto biznese para se të dilnin në treg të lirë. Situata ka vënë në vështirësi bizneset, të cilat janë përballur me fatura “të kripura” dhe shprehen se nuk do t’i paguajnë. Përballë këtij ekstremi ka edhe nga ato biznese që “liberalizimi” nuk iu ka rezultuar edhe aq problematik. Bëhet fjalë për kompani me një konsum të konsiderueshëm dhe që furnizuesit u kanë trokitur vetë në derë. Përballë ekstremeve me të cilat po përballet procesi, ku një grup shprehet i kënaqur dhe pjesa më e madhe ngurojnë, liberalizimi pritet të vijojë mes pikëpyetjesh, me konsumatorët e lidhur në 20 kv.

 

Nga Nertila Maho

 

Artur Dafa, administrator i kompanisë “Qeramika Apollonia”, në zonën e Fierit, paguan mesatarisht fatura mujore energjie që variojnë nga 5 në 5.8 milionë lekë. Por, faturën e janarit të këtij viti ka vendosur të mos ta paguajë. “Kompania është e lidhur në tension 35 kilovolt dhe duhet të kishim dalë të lirë për ta gjetur vetë energjinë sipas ligjit ose, në të kundërt, nëse nuk gjejmë furnizues, jemi të detyruar ta marrim nga OSHEE me çmimin e tregut që e siguron ajo.

Në janar, fatura nga OSHEE ishte 10.2 milionë lekë, gati dyfishi i asaj që unë paguaj përgjithësisht. Nuk kam në plan të paguaj këtë faturë, e cila më rrit kostot e biznesit dhe më vështirëson të mbaj fabrikën në punë. Për mua është e pamundur të gjej furnizues dhe situata ku na ka vënë shteti po shfrytëzohet nga kompanitë e tregut, dy-tre të tilla, që duan të përfitojnë”, – tregon Dafa.

Ai nënvizon se për këtë problem i ka nisur një letër Kryeministrit, ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Entit Rregullator të Energjisë dhe është në pritje të një reagimi. “Unë kam shkruar për problemin që kam vetë si biznes, nuk e di çfarë kanë bërë të tjerët, por nuk është normale që të paguash dyfish energjinë. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë thotë që unë këtë çmim kam, se e ka miratuar ERE, kjo e fundit, nga ana tjetër, ka një metodologji që llogarit çmimin, por në fund faturën e paguajmë ne dhe çmimi dy herë më i lartë nuk ka asnjë argument ku mbështetet” shprehet Dafa.

“Qeramika Apollonia” është pjesë e grupit prej 90 biznesesh, të cilat, sipas ligjit, duhet të sigurojnë energjinë nga një furnizues privat, duke u shkëputur nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Duke pasur parasysh problematikën, procesi i daljes u ngadalësua në raport me planin fillestar. Në janar 2018, bizneseve iu bë e qartë që, ose do të gjenin furnizues të ri, ose do ta merrnin nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (pjesë e OSHEE) me çmimin e tregut që e siguronte ky i fundit. Për më tepër, periudha tranzitore kaloi nga dy muaj në dy vjet, pra bizneset mund të furnizohen nga FMF për një periudhë dyvjeçare dhe më pas duhet të sigurojnë furnizues tjetër. Për bizneset e lidhura në 35 kilovolt, ky afat mbaron në fund të vitit 2019.

 

Çmimi në janar u dyfishua, bizneset që furnizohen nga OSHEE tarifë 18.73 lekë/kWh

Në janar të 2018-s, kur bizneset u përballën për herë të parë me daljen në treg dhe çmime të parregulluara, ata që u furnizuan nga OSHEE e morën energjinë me 11.6 lekë. Sigurisht më shtrenjtë sesa 9.5 lekë që ishte përgjithësisht çmimi në tregun e rregulluar, edhe pse për kategori të ndryshme biznesi në varësi të tensionit varion edhe çmimi. Gjithsesi këtë janar, çmimi i energjisë për bizneset që furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (OSHEE) arriti një rekord të ri.

Në vendimin e miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë, ky çmim ishte 18.73 lekë, më i larti i regjistruar për kategorinë e të liberalizuarve që nga nisja e procesit. I ndarë në zëra, rezulton se çmimi fillestar për sigurimin e energjisë ishte 14.33 lekë/kwh. Në fakt, janari ishte një muaj kur edhe vetë OSHEE u detyrua të importonte mbi 35 milionë euro energji për furnizimin e konsumatorëve fundorë që kanë çmime të rregulluara. Situata jo e mirë hidrike në vend detyroi kompaninë publike të shpërndarjes të importonte dhe çmimet kërcyen në mbi 100 euro MW në disa raste.

Në metodologjinë që aplikohet për grupin e të liberalizuarve, si referencë merret çmimi më i lartë me të cilin është siguruar sasia e destinuar për këtë kategori. Referuar dokumenteve, çmimi më i lartë i realizuar për muajin janar 2019 është çmimi prej 114.77 euro/MWh për blerjen e sasisë prej 9,968 MWh nga njëra prej kompanive ofertuese për fashën orare 7:00 – 23:00 në periudhën 18.01.2019-24.01.2019. “Për rrjedhojë, çmimi 114.77 Euro/MWh do të merret në konsideratë për përcaktimin e çmimit për klientët FMF për muajin janar”, – vlerëson ERE.

Mbi këtë çmim shtohen elemente të tjera që përbëjnë koston e përgjithshme sipas metodologjisë së ERE-s, ku ndër të tjera për janarin është shtuar kthimi për riskun 0.43 lekë, kostot administrative të furnizuesit të mundësisë së fundit 1.80 lekë, tarifa e përdorimit të rrjetit të transmetimit 0.75 lekë, tarifa e përdorimit të rrjetit të shpërndarjes 1.5 lekë/kWh. Kjo bëri që në finale, të rezultojë një çmim prej 18.81 lekë, por që nga ERE u fiksua në nivelin 18.73 lekë/kwh, tarifë që u aplikua në faturat e bizneseve që faturohen nga FMF. Në dhjetor, bizneset e lidhura në 35 kilovolt paguan një tarifë 15.22 lekë/kWh, ndërkohë që në tetor dhe nëntor, të njëjtat biznese paguan 16 lekë/kWh. Këto të fundit ishin edhe dy muajt më të shtrenjtë me të cilin bizneset blenë energjinë.
Gjatë korrikut, gushtit dhe shtatorit, çmimi i energjisë për këtë kategori u caktua 12.86 lekë kWh, ndërsa nga janari në qershor u luhat mes 9.5 dhe 9.82 lekë kwh.

Një ndër pikat më të debatuara mes OSHEE dhe ERE gjatë vitit të shkuar ishte ndarja e saktë e kostove dhe llogaritja e çmimit me të cilën aplikohet sipas çmimit maksimal të blerjes. Në janar 2019, duket se Enti ka konstatuar që OSHEE i është përgjigjur kërkesave të lidhura me zërat.

“Vërehet se, në këtë aplikim për çmimin FMF për muajin janar 2019, OSHEE sh.a. ka zbatuar me korrektësi përcaktimet e nenit 8 të Metodologjisë së përcaktimit të çmimit të shitjes së energjisë elektrike nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për sa i përket çmimit maksimal të blerjes. OSHEE sh.a., me email-in e datës 07.02.2019, protokolluar në ERE me nr. 132, informon se, do të vazhdojë të aplikojë koston administrative si në vitin 2018 (1.79 lekë/kWh), për llogaritjen e çmimit FMF-35 kV” thuhet në vendimin e ERE-s.

 

Ana tjetër e medaljes, ndër të liberalizuarit ka edhe nga ata që janë të kënaqur

Liberalizimi në tregun e energjisë, edhe pse ka pasur më shumë skeptikë sesa përkrahës, duket se nuk ka dështuar apo bërë me dhimbje koke të gjithë. Tek-tuk, mes bizneseve që kanë dalë në tregun e lirë për të siguruar të vetëm energjinë, ka edhe raste që shprehen të kënaqur me hapin që kanë hedhur.

Pularia “Aiba”, e cila operon në tregun shqiptar prej vitit 1994 në prodhimin e vezëve, doli në tregun e lirë në tetor të vitit të shkuar. Hezitimi për të hedhur këtë hap që në fillim, në janar 2018, e la atë të furnizohej nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për të paktën 9 muaj dhe të paguante çmimet që ndryshonin muaj pas muaji, në bazë të asaj që sillte OSHEE. Por, edhe dalja në tregun e lirë nuk erdhi si vullnet i plotë i kompanisë.

“Ne furnizoheshim nga OSHEE, edhe pse ishim të lidhur në 35 kilovolt. Por më pas na erdhi një ofertë nga një kompani private për të na furnizuar dhe vendosëm të bënim kontrata 3-mujore. E nisëm në tetor dhe ashtu kemi vijuar edhe tani. Për hir të së vërtetës na është dhënë një çmim shumë i mirë. Po furnizohemi me një tarifë 9.5 lekë/kwh dhe kjo na leverdis po të kemi parasysh çmimet që paguanim më herët. Do të vazhdojmë të njëjtën praktikë të kontratave 3-mujore edhe në vijim, sepse asnjëherë nuk i dihet sesi vijnë kushtet, por mund të themi se jemi të kënaqur me këtë situatë”, – tregon Andi Duka, administrator i kompanisë “Aiba”.

Lidhur me problematikat që hasin fillimisht bizneset me pjesën e parashikimeve, apo avarive, Duka shprehet se këto nuk kanë qenë të pranishme në rastin e kompanisë që drejton ai. “Ne kemi kontratë për të furnizuar tre njësi, ku e para është pjesa e kapanoneve të pulave në Xhafzotaj, e dyta një situatë e ngjashme, por në një zonë tjetër, dhe e treta janë zyrat tona dhe fabrika e ushqimit. Të themi të drejtën, prisnim që të kishim ndonjë problem me rrjetin, por nuk ka ndonjë diçka e tillë të paktën, deri më tani. Nuk e kemi pasur as këtë problemin e disbalancave, pra diferenca me parashikimin dhe konsumin real. Nga kompania që na furnizon, na është kërkuar vetëm që në rast se kemi avari në fabrikë t’i njoftojmë, në mënyrë që teprica e energjisë që injektohet në rrjet të optimizohet prej tyre”, – shprehet Duka.

 

Bregasi: Mënyra si funksionon tregu e bën të pamundur liberalizimin

Pavarësisht avantazheve që janë lakuar lidhur me liberalizimin, biznesi duket se e sheh ndryshe panoramën në raport me institucionet publike. Luan Bregasi, administrator i “Birra Tirana”, shprehet se energjia për industritë prodhuese është kryesore dhe duhet të ketë më shumë vëmendje për ngërçet që ekzistojnë në treg. Sipas tij, liberalizimi është sjellë si një zgjidhje e supozuar për biznesin, pra teorikisht biznesi mund ta marrë ku të dojë energjinë, por praktikisht ka një sërë ngërçesh, që mund ta kufizojnë në këtë nismë.

“Sot, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë është furnizuesi monopol. Në të njëjtën kohë, edhe koncesionarët, një pjesë e të cilëve kanë nisur të prodhojnë, kanë kontratë po me OSHEE çka i bën ata të painteresuar për të hyrë në një marrëdhënie të re me biznesin e para. Së dyti, edhe nëse gjen një furnizues ka kosto shpërndarjeje, që të rrit çmimin final. Kjo do të thotë që, edhe pse tregu është i liberalizuar, infrastruktura dhe fleksibiliteti që biznesi të përfitojë nga ky proces janë të ulëta. Pjesa e liberalizimit po përdoret si parullë më shumë për të mos ulur çmimin e energjisë elektrike, sesa një zgjidhje për sipërmarrjet private sikurse thuhet”, – shprehet Bregasi.

 

OSHEE: Kanë dalë në total 18 klientë nga 90, presim më shumë interes në vijim

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që, aktualisht është edhe vetë në fazë ristrukturimi dhe ndarje të llogarive mes kompanive të reja nën të, duket se po shpenzon një pjesë të mirë të energjive për procesin e liberalizimit. Ky i fundit nuk ka rezultuar aspak i thjeshtë për këtë institucion. Pavarësisht përpjekjeve për të nxitur 90 bizneset e lidhura në 35 kilovolt të dalin në tregun e parregulluar, me një furnizues privat, vetëm 18 biznese kanë arritur të kalojnë këtë hallkë. Pjesa tjetër vijon të mbetet e varur nga shërbimi i OSHEE-së përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, duke preferuar që të paguajnë tarifa të ndryshme muaj pas muaji, mjaft të kenë energji që i furnizon.

OSHEE konfirmon se ka një lloj hezitimi nga bizneset që vjen edhe si efekt i mungesës së informacionit që kanë bizneset, edhe pse me këto të fundit janë bërë konsultime shumë herë. “Ka biznese që kanë dalë në tregun e lirë dhe kanë parë që u ka rezultuar më mirë si hap. Ka edhe të tjerë që duan që të rrinë tek FMF, sepse janë më të sigurt dhe kanë një marrëdhënie standarde që e dinë si funksionon. Nga 90 biznese në total, vetëm 18 kanë gjetur furnizues tjetër. Kompanitë janë nga më të ndryshmet sa u përket sektorëve, duke nisur nga industria e tullave te shërbime apo prodhim. Për shembull, në fund të 2018-s kanë dalë kompani të tilla si AIBA, Elka, apo MAK Tirana. Duhet të kuptojmë që këto kompani e kanë pasur më të thjeshtë, sepse janë disa biznese në një dhe kanë arritur të sigurojnë kontrata të mira”, – konfirmojnë përfaqësues të OSHEE.

Për ata që duan të dalin në tregun e lirë, kompania ka gati procedurat standarde, në mënyrë që të mos ketë vonesa. Paraprakisht në rast se ndryshohet furnizuesi, biznesi në fjalë duhet të shlyejë faturën korente dhe debinë, në rast se ka pranë furnizuesit publikë. Pasi kalohet kjo hallkë, pjesa e dokumentacionit dhe ajo teknike janë shumë të shkurtra dhe mund të vijohet me procesin e liberalizimit.

Këtë vit, pritet që ky proces të avancojë në një tjetër kategori, që është ajo e daljes në tregun e lirë e konsumatorëve të lidhur në 20 kilovolt dhe që përfshin një grup prej rreth 1100 biznesesh të vendosura kryesisht në autostradën Tiranë-Durrës. Për daljen në tregun e lirë të këtij grupi, duhet të përfundojë pjesa teknike e matësve që po zbatohet nga OST përmes projektit të rimëkëmbjes së sektorit. Gjasat janë që këta konsumatorë të dalin në treg të lirë në 6-mujorin e dytë të këtij viti.

 

OST: Ka përfunduar instalimi i 70% të matësve për konsumatorët në 20 kV

Të paktën 70% e sistemit të matjes për konsumatorët e lidhur në rrjetin e shpërndarjes 20 kV ka përfunduar dhe me këto ritme duket se Operatori i Sistemit të Transmetimit do të mbyllë këtë proces brenda pjesës së parë të vitit. Instalimi i pjesës teknike është kusht i domosdoshëm përpara se klientët e lidhur në këtë nivel tensioni të nxirren në tregun e parregulluar. Të pyetur nga “Monitor”, përfaqësues të Operatorit të Sistemit të Transmetimit konfirmuan se procesi ka pasur një ecuri të mirë sipas parashikimeve të bëra në kontratë.

“Operatori i Sistemit të Transmetimit është në fazën e zbatimit të projektit ‘Furnizim dhe instalim i matësve të transmetimit, Qendra e të Dhënave’, me financim të IBRD dhe OST sh.a. Ky projekt përfshin realizimin e instalimit të sistemit të matjes, së pari për konsumatorët e lidhur direkt në tension të mesëm në sistemin e shpërndarjes respektivisht 35 kV, 20 kV, 10 kV dhe 6 kV. Së dyti, instalimin e këtij sistemi për fiderat e tensionit të mesëm në sistemin e shpërndarjes, respektivisht në nivel tensioni 35 kV, 20 kV, 10 kV dhe 6 kV.

Së treti, sistemin e matjes për prodhuesit e pavarur të energjisë elektrike dhe së katërti, çdo elementi tjetër që lidhet me implementimin e Komponentit 3 të Projektit “Rimëkëmbja e Energjisë” nënvizon OST. Sipas kompanisë publike të transmetimit, kontrata që ka hyrë në fuqi në shtator 2017 përfundon në maj 2020 dhe procesi për instalimin e sistemit të matjes ka qenë në përputhje me pikat që sanksionon kontrata.

“Në këtë projekt do të instalohen matës inteligjentë (Smart Meter) të cilët kryejnë dhe dërgojnë në data center matjen online. Deri në këto momente është përfunduar instalimi i sistemit të matjes për rreth 70% të konsumatorëve të lidhur në rrjetin e shpërndarjes 20 kV të përcaktuar në kontratë”.

Paralelisht po vijon instalimi i sistemit të matjes për konsumatorët e lidhur në rrjetin shpërndarjes 6 kV, 10 kV dhe 35 kV (pjesa më e madhe e konsumatorëve të lidhur në rrjetin 35 kV janë instaluar nga OSHEE, në zbatim të ligjit për Sektorin e Energjisë, nr. 43/2015, por ndërkohë janë dhe disa konsumatorë të tjerë që do të përfshihen në këtë projekt).
Gjithashtu po vijon instalimi i sistemit të matjes në fiderat e tensionit të mesëm në sistemin e shpërndarjes, respektivisht në nivel tensioni 35 kV, 20 kV, 10 kV dhe 6 kV. Ndërsa për Prodhuesit e Pavarur të Energjisë është parashikuar që ky proces të fillojë në qershor 2019”, nënvizon OST.

 

Ndryshimi i furnizuesit, forcohen rregullat, zgjidhet çështja e debive

Furnizuesit e licencuar në tregun e energjisë kanë ngritur më herët çështjen e debive e cila, sipas tyre, duhej të zgjidhej nga ERE, duke forcuar kushtet, në mënyrë që të mos krijoheshin detyrime të prapambetura. Kjo do të thotë që kur një biznes ndryshon furnizues, ai duhet të ketë shlyer fillimisht të gjitha detyrimet që ka ndaj furnizuesit të mëparshëm. Së fundmi, Enti Rregullator i Energjisë forcoi pikërisht këtë aspekt, nëpërmjet një ndërhyrjeje në rregulloren për ndryshimin e furnizuesit të energjisë elektrike, një rregullore kjo e hartuar në vitin 2016. Ndërhyrjet e bëra konsistonin në forcimin e masave për rastet e debitorëve, të cilët mund të ndryshojnë furnizues, duke lënë pagesa të parakorduara me furnizuesin paraardhës.

Pas një diskutimi të gjatë me një sërë grupesh interesi, ERE vendosi që të ndryshojë nenin 5 dhe saktësisht pas pikës 1, të shtohej pika 1.2, në të cilën thuhet se kush ka të drejtë të bëjë kërkesë për ndryshimin e furnizuesit të energjisë elektrike, përfshirë çdo klient debitor ndaj furnizuesit të mëparshëm.

Sipas ERE-s duhet të plotësohen kushtet që debia të merret përsipër nga furnizuesi i ri, sipas një marrëveshje të lidhur nga palët. Së dyti, në rast se midis furnizuesit të mëparshëm dhe abonentit ka një marrëveshje për likuidim të vonuar të debisë. Së treti, në qoftë se Klienti nuk respekton afatet e pagesave ndaj furnizuesit të mëparshëm, këtij të fundit (Furnizuesit të mëparshëm) i lind e drejta të kërkojë menjëherë pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për ish- klientin e tij dhe në këtë rast, klienti nuk do të furnizohet me energji elektrike nga asnjë furnizues alternativ. Në çdo rast, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të njoftojë Furnizuesin aktual dhe atë të mëparshëm për ekzekutimin e ndërprerjes së kërkuar brenda 48 orëve.

“Ndryshimet vijnë si një koncept i ri në këtë rregullore, duke vendosur një garanci më shumë, në rastin e klientëve me marrëveshje afatgjata, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për energjinë e konsumuar nga furnizuesi aktual, përpara kalimit te furnizuesit e ri. Kjo shërben për të krijuar mundësinë që, edhe nëse në një kohë të dytë, këta klientë do të shmangen nga detyrimet me Furnizuesin e Mëparshëm, ky i fundit rezervon të drejtën të ndërpresë furnizimin e tyre me energji elektrike, edhe pse kanë ndryshuar furnizues”, argumenton ERE në vendimin e pak ditëve më parë.

 

ERE, Ahmeti: Tregu është i maturuar për të përballuar procesin e liberalizimit

Bizneset, të paktën ato që ende nuk kanë gjetur një furnizues privat për të marrë energjinë, kanë ngritur si problematikë faktin se, për shkak të sasisë së ulët që konsumojnë, furnizuesit nuk janë të interesuar të hyjnë në marrëdhënie bashkëpunimi.

Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, i pyetur nga “Monitor”, u shpreh se liberalizimi në vetvete ndikon pozitivisht pasi krijon mundësi për eliminimin e deformimeve që ka tregu. “Liberalizimi rrit konkurrencën dhe në njëfarë mënyre, gjeneron çmime më të arsyeshme të energjisë elektrike në treg. Këto janë parimet bazë që lidhen me liberalizimin e tregut.

Ne si Ent kemi miratuar pjesën më të madhe të akteve që lidhen me këtë proces, por sigurisht që po punojmë edhe për pjesën tjetër, që ka të bëjë me harmonizimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian. Pritshmëria jonë është që me krijimin dhe funksionimin e bursës, të përmirësohet e gjithë situata, pasi kjo e fundit do të paraqesë në mënyrë më reale të gjithë problematikat e çmimeve të energjisë në treg. Hapja e tregut ka nisur më herët sesa dalja në treg e 35 kilovoltëshit, pasi këtë rrugë e kanë hapur ata që ishin të lidhur në tension të lartë.

Procesi ka pasur vetëm efekte pozitive dhe mendoj se, në të njëjtën rrugë, janë edhe ata që kanë hedhur hapat së fundmi drejt tregut të lirë. Mendojmë që në një kohë shumë të shkurtër, edhe ata që sot po furnizohen nga OSHEE, do të kalojnë drejt furnizuesve apo tregtarëve privatë. Mendoj se tregu ynë i ka të krijuar të gjithë kushtet që procesi të funksionojë. Ajo që diskutohet është ngritja e një sistemi konkurrencë, ku të përballen çmimet që ofron OSHEE dhe çmimet që ofrojnë tregtarët. Kjo është një fazë që do të kalojë si çdo gjë e re në fillimet e saj”, nënvizoi kreu i ERE-s.

 

Në treg 38 furnizues të licencuar, tregtuesit arrijnë në 111

Vështirësia për të gjetur furnizues nga ana e biznesit duket se nuk përputhet me realitetin e shkresave zyrtare. Bizneset nënvizojnë se janë 2-3 furnizues privatë që po përfitojnë nga situata e liberalizimit kur, në fakt, në treg rezultojnë të paktën 38 kompani që kanë marrë licencën për shërbimin e furnizimit me energji elektrike. Viti që duket se ka pasur interesin më të madh për këto licencime është 2015, kur janë dhënë të paktën 12 licenca. Kjo përputhet edhe me vitin kur ndodhën ndryshimet më të mëdha në treg dhe u miratua ligji kyç “Për sektorin e energjisë elektrike”.

Në vitin 2018 janë regjistruar vetëm 6 furnizues, ndërsa në 2017 dhe 2016, të licencuarit e rinj ishin 5 dhe 6. Në grupin e furnizuesve të licencuar rezultojnë kompani të mëdha që kanë aktivitet të grupuar jo vetëm në furnizim, por edhe në prodhim siç janë “Ayen” apo “Devolli”, që kanë investuar në hidrocentrale të mëdha. Afati i licencave për furnizimin e energjisë elektrike është 5-vjeçar dhe rinovohet pranë Entit Rregullator të Energjisë me përfundimin e afatit. Nga ana tjetër, sipas regjistrit të licencimeve, janë të paktën 111 kompani që janë të licencuara në tregtimin e energjisë elektrike. Këto janë të gjitha kompani me kontrata koncesionare për ndërtim hidrocentralesh dhe tashmë kanë nisur prodhimin dhe kanë të nevojshme licencën e tregtimit për të mundësuar shitjen e energjisë që del nga operimi i hidrocentraleve.

 

Industria e çimentos “ngriti” siparin, situata sot, 8 vite pas liberalizimit

Bizneset e para në tregun e lirë nuk dolën në vitin 2018. Në fakt, hapja e tregut ka nisur në vitin 2011 kur konsumatorët e lidhur në tensionin e lartë 220 u nxorën nga sistemi dhe iu kërkua që të siguronin energjinë të vetëm. Në atë kohë ishin kryesisht kompanitë e çimentos apo Kurumi, të cilat ishin të lidhura në këtë nivel tensioni dhe që do të kalonin fazën e tranzicionit.

“Kur dolëm në fillim në tregun e lirë, ne patëm të njëjtat probleme që po has sot biznesi i lidhur në 35 kilovolt, por duhet të kemi parasysh që sot ka të licencuar me dhjetëra furnizues, ndërsa në atë kohë ishin vetëm 3-4 të tillë. Për industrinë e çimentos, por edhe bizneset e tjera, të cilat ishin të lidhura në 220 kv, ekspozimi në pjesën komerciale ishte shumë i lartë. Përveç kësaj, ishte një vendim që u mor papritur me një procedurë të shpejtë, brenda javës, çka nuk u la kohë bizneseve të kishin më shumë informacion. Megjithatë, pasi kaloi viti i parë dhe i dytë, pjesa më e madhe u familjarizua me standardet e shitblerjes, duke mësuar kështu edhe pjesën e leverdisë për blerjen me periudha referencë apo fiks. Një tjetër problem që kemi hasur në atë kohë kanë qenë disbalancat.

Të dhënat nuk ishin shumë të detajuara dhe krijoheshin probleme në sistem. Pra kompanitë kishin diferenca të mëdha në parashikim dhe konsum real. Shkaktimi i këtij lloj hendeku krijonte problem në gjithë sistemin por, me kalimin e kohës, u zgjidh. Sot, pas kaq vitesh, tregu është i maturuar, por që të arrinim në këtë fazë u deshën të paktën 5 vite periudhë tranzicioni. Gjërat janë më të thjeshta sot, qoftë për mënyrën e funksionimit të tregut, ekspozimit ndaj çmimeve apo disbalancat, si dhe pjesa e kontratave”, shprehen përfaqësues të industrisë së çimentos.

Sipas tyre, në atë kohë ishte më e vështirë të lidhje një kontratë me kompanitë private prodhuese, pasi ato kishin një marrëdhënie me shtetin, që ishte i detyruar t’ju blinte energjinë me një çmim të leverdishëm dhe preferonin që të ndiheshin të sigurt në vend që të nisnin eksperimentimin me biznese të ndryshme që nuk i njihnin.

 

Procedura e ndryshimit të furnizuesit hap pas hapi

Bizneset që kanë detyrimin për të dalë në tregun e parregulluar dhe që gjejnë një furnizues privat duhet të ndjekin një procedurë standarde për t’u shkëputur nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.

Por cilat janë hapat që duhet të ndjekë një biznes sipas kuadrit ligjor?

Kjo marrëdhënie përcaktohet në vendimin e ERE Nr.113 date 08/07/2016 “Rregullore mbi ndryshimin e furnizuesit te Energjisë Elektrike” specifikisht nenet 5,6,7. Procedura për paraqitjen e kërkesës për ndryshimin e furnizuesit tek furnizuesi aktual: Klienti që ka nënshkruar një kontratë furnizimi me furnizues të ri, duhet të paraqesë aplikimin jo më vonë se 15 ditë përpara përfundimit të kontratës me furnizuesin aktual.

Për këtë duhet të paraqesë edhe dokumentacionin e nevojshëm. Konkretisht aplikimi ka një format standard që merr parasysh të dhënat e shoqërisë (të dhënat e klientit kërkues), emrin e shoqërisë, adresën dhe datën e dorëzimit të aplikimit. Po kështu numrin identifikues të shpërndarjes (kod kontratën me furnizuesin aktual).

Detaje së kush është furnizuesi i ri dhe periudha e kontratës me të. Pas paraqitjes së dokumentacionit Furnizuesi i Mundësisë së Fundit do të paraqesë të dhënat e matjes për pikën e shpërndarjes tek Furnizuesi i ri si dhe shlyerjen e detyrimeve që ka klienti me furnizuesin aktual. Nëse ka pasaktësi të të dhënave në dokumentacion operatori i sistemit njofton Furnizuesin e ri brenda 3 ditëve për mosplotësim të kushtit për ndryshim furnizuesi. Pas përfundimit të kontratës me furnizuesin në qoftë se klienti nuk ka gjetur një tjetër furnizues, ka të drejtë për të kërkuar rikthimin tek Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) për një periudhe 60 ditore (në bazë të kërkesës së bërë nga klienti brenda 3 ditëve) dhe më pas duhet te rigjejë një furnizues të ri.

MONITOR

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here