Petrit Vasili: Shitblerja dhe kapja e shtetit ka shkatërruar sistemin politik

0
106

Kodi Zgjedhor ka mundësuar dhe kandidatë të pavarur që mund të kandidojnë edhe jashtë listave të partive. Asnjë nga njerëzit që ndodhen në Kuvend nuk është një kandidat i pavarur, ka qenë pjesë e një liste partie që ka marrë vendimin e saj politik për arsyet madhore të një Parlamenti të inkriminuar, të dalë përfundimisht nga tavolinat e kriminelëve, jo më sipas opozitës, por edhe sipas Prokurorisë shqiptare dhe medias botërore, shprehet Vasili.

Intervista e ish Kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili për News 24

 

Si e komentoni faktin që 14 deputetë kanë pranuar mandatin? E prisni ju këtë apo është e paparashikueshme?

Dua të sqaroj vetëm pjesën formale të pyetjes. Ne e kemi bërë publik prej kohësh qëndrimin tonë politik, edhe atë formal juridik për këtë çështje. Meqenëse konstatuam vazhdimin e një aksioni antikushtetues nga KQZ-ja, sigurisht në funksion të një shërbimi të vazhdueshëm që i bëhet shumicës, e cila kërkon të shtyjë në një farsë që është pa shërim, që vetëm shtyn orët. Si çdo gjë tjetër që ka bërë kjo mazhorancë tashmë e rënë.

Ky vendim juridik dhe politik njëherazi, duhet pasur sërish në konsideratë për të mos vazhduar në antikushtetuetshmëri dhe në shkelje të plotë të kodit zgjedhor të ligjit.

Pse është shkelje e Kodit Zgjedhor?

Ju e dini shumë mirë që ne kemi votuar në një sistem proporcional të pastër. Të gjithë qytetarët në fletën e votimit me dakordësinë politike, jo të LSI-së, e dini që kemi qenë në 2008 kundra një kodi të tillë. Më shumë se kushdo tjetër, jemi të qartë në qëllimin tonë. Vendimi politik ka qenë ky, që do të ketë votime proporcionale, me lista të mbyllura. Në fletën e votimit do të jetë vetëm emri i partisë dhe emri i kryetarit, nuk janë afishuar listat e kandidatëve, sepse kështu ishte zgjidhur problemi. Pra i jepej autoritet partisë dhe kryetarit përkatës, i jepej përgjegjësia për të ndërtuar listën, për të ndërtuar radhën fituese sipas rezultatit dhe pikërisht për këto arsye nuk konkurron individi, por kanë konkurruar partitë politike, sepse kjo ka qenë zgjedhja e Edi Ramës në radhë të parë që trysni fort për të pasur një sistem spanjoll tipik.

Së bashku me këtë kemi dhe një Kushtetutë që flet qartazi, si është i përbërë Parlamenti që ka sanksionuar pluralizëm politik, që ka sanksionuar që Parlamenti është i përbërë nga mazhoranca dhe opozita. Autoriteti për të përfaqësuar çdo pikëpamje të një force politike ia ka dhënë sipas një sistemi proporcional të partisë. Dikur kemi pasur kandidatë, ku secili kandidonte në çdo zonë zgjedhore. E kemi lënë pas këtë sistem, dy partitë më të mëdha në vend ranë dakord që ky ishte një sistem që krijonte korrupsion, mbante gjallë kriminalitetin për shkak të kandidatëve dhe zgjodhën këtë sistem.

Kjo ishte shumë e qartë dhe e thjeshtë, autoritetin politik e ka marrë partia, autoritetin për të shkuar sërish te zgjedhësit e ka marrë partia. Kodi Zgjedhor ka mundësuar dhe kandidatë të pavarur që mund të kandidojnë edhe jashtë listave të partive. Asnjë nga njerëzit që ndodhen në Kuvend nuk është një kandidat i pavarur, ka qenë pjesë e një liste partie që ka marrë vendimin e saj politik për arsyet madhore të një Parlamenti të inkriminuar, të dalë përfundimisht nga tavolinat e kriminelëve, jo më sipas opozitës, por edhe sipas Prokurorisë shqiptare dhe medias botërore. Kjo gjë është një zgjedhje që është në të mirë jo të KQZ-së, por është në të mirë të gjithë procesit politik për të ruajtur degradimin përfundimtar të një Parlamenti që tashmë është antikushtetues.

Përse këto njerëz figuronin në listat partiake? Dhe nëse është kështu siç thoni ju, pse KQZ ia dha mandatin dhe i njohu ata si deputetë të Parlamentit?

Janë konsumuar mjaft arbitraritete në këtë vend, prandaj sistemi ka rënë, prandaj nuk jemi pjesë e atij Parlamenti, sepse mandatet nuk na i ka dhënë KQZ-ja, i kemi fituar vetë. S’na i fali kush, i kemi fituar në një betejë të madhe me kriminelët. Kjo është një detyrë e jona dhe edhe përballjen me kriminalitetin e kemi bërë vetë. Ka qenë një situatë nga më të paparat në historinë e Shqipërisë, porsa i përket negativitetit dhe kriminalizimit të saj ekstrem, i cili tashmë është kryefjalë e medias botërore.

Ju keni qenë korrekt, por në krahun tuaj tashmë qendror dhe e gjithë media prestigjioze e niveleve më të larta, e cila denoncon haptazi kriminalizimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ne kemi marrë një vendim politik, sepse ishte në të mirë të vendit.

Një vendim që nuk u përqafua nga të gjithë tuajët, sepse z. Koka është në Parlament sot…

Nuk ka lidhje fare kjo gjë me ne. Ne kemi një vendim politik.

 

Nj vendim politik duhet të jetë në unison si logjikë,apo jo? Për ju edhe z. Koka është tradhtar?

  1. Koka nuk përfaqëson asgjë për mua. Përfaqëson veten e tij.

Ai tha që është ende në LSI?

Është shumë e qartë dhe nuk lë vend për ekuivoke. Edhe vendim e LSI-së janë shumë të qartë dhe nuk ka nevojë ti komentojë as unë dhe askush tjetër. Ai që zgjedh të jetë kundra vendimit politik të partisë që është vendim shumice, vetë përjashtohet sepse është kundra asaj që kjo parti politike ka vendosur të bëjë.

Në qoftë se partia politike ka vendosur të jetë kundra krimit, korrupsionit, kundra grabitjes së votës së lirë, të cilat janë kushte tashmë për hapjen e negociatave, që kanë penguar hapjen e negociatave dhe në fund duhet ta çlirojmë vendin nga krimi. Kush zgjedh të jetë komod në një Kuvend të kriminalizuar është zgjedhje e tij, por nuk mund të jetë pjesë e LSI-së. LSI-ja është nga me këtë çështje. Nuk do të ketë të bëjë fare dhe asnjë individ që do të bëjë zgjedhjet e tij personale, është personale dhe është në gjykim edhe të opinionit publik, në gjykim të shqiptarëve.

Ka njerëz që zgjedhin të jenë në sallën e vogël të Parlamentit dhe ka të tjerë që zgjedhin të jenë me mijëra shqiptarë që janë nëpër sheshe dhe në rrugë. LSI-ja është atje me mijëra qytetarë. Interesaxhi të vegjël dhe ka pasur dhe do të ketë.

Kur ju vendosët të digjnit mandatet, a e prisnit ju që të tjerë njerëz të pranonin mandatet tuaja apo ishte një situatë e paparashikuar?

Unë besoj që e sqarova përgjigjen time për këtë pyetje dhe sinqerisht iu them me shumë dashamirësi që kam shumë interes të diskutoj me ju për të ndarë situatën politike, në të cilën ndodhet vendi. Nuk kam asnjë lloj pritshmërie tjetër, përveç LSI-së që vendoset në krah të të mirës dhe kundër krimit, në krah të ndershmërive dhe korrupsionit. Që vendoset qartë kundra kriminelëve që vendosin në tavolinë se kush do ta udhëheqë Shqipërinë.

Unë dua dhe LSI do, jo një qeveri që vendoset në krah të kriminelëve, ku të përqafuar janë pushtetarët me kriminelët. Falë jush që keni dhënë pafund me zë dhe në disa raste dhe me figurë, që provon as më shumë e as më pak, një gjë që unë e kam thënë shumë kohë më parë. Në 27 qershor, dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve kam qenë kryetar i LSI-së dhe në daljen time të parë për shtyp, kam deklaruar që këto ishin zgjedhjet më të shëmtuara që pluralizmi shqiptar ka parë ndonjëherë.

Për fat të mirë ne paraqitëm dhe prova se sigurisht nuk mund të kishin kualitetin që siguron një organ hetimesh, si Prokuroria se nuk jemi të tillë. Provat ishin akoma dhe më të rënda nga ato që paraqitëm ne. Neve na mungojnë instrumentat, nuk e bëjmë dot këtë detyrë. Kemi bërë shkëlqyeshëm detyrën për t’i denoncuar, pavarësisht si janë trajtuar. Ju e dini shumë mirë që një denoncim se kryeministri në mënyrë të padëgjuar i bëri thirrje policisë që hidhni kapelet dhe bëni vota. Aq sa e kuptoi dhe vetë dhe kërkon ndjesë në Facebook, ndërkohë që ishte konsumuar një nga veprat më të rënda penale të shkatërrimit të zgjedhjeve dhe rendit kushtetues. Dhe u mbyll nga Prokuroria. Kjo është çështja themelore e kapjes së shtetit. Por hetimet të nisura më përpara në kohë të tjera si duket paskan qenë dhe ka pasur prokurorë dhe të ndershëm të cilët kanë qene të interesuar për të vërtetën, jo kokat e Prokurorisë. Dhe tani kemi disa dosje që janë shumë të rënda dhe pyetja  e madhe para të gjithë shqiptarëve, halli i madh është që si ka mundësi që dosjet mbahen të bllokuara. Nuk hetohen. Gjithmonë kemi pasur hallin se a kemi fakte. Po ja faktet i kemi, grimca të tyre shumë pak kanë dalë publikisht. Si ka mundësi? Çdo shqiptar duhet të ishte i preokupuar.

Pse? Sepse vepra penale juaj penale e shkeljes së rregullave të qarkullit rrugo, shkon atje dhe ju shkoni dhe në burg. Ka pasur kolegë të tuat që s’po zë emra në gojë, që pas nj darke me miqtë kanë përfunduar dhe kanë qëndruar 48 orë në rajon të policisë. Ndërkohë që ka super kriminelë dhe u mbahet dosja qetësisht sepse ka ca emra të rëndë të shtetit, por të lehtë moralisht, dhe qëndrojnë atje dhe nuk gjykohen. Çështja qëndron pikërisht tek kjo, qytetarët janë të barabartë, a kanë të drejtë të gjykohen njëlloj? Drejtësia e re për të cilën bërtitëm e thërritëm ç’drejtësi është? Ajo që 339 dhe 184 i mban të bllokuara? Ndërsa unë dhe ju nëse do të bëjmë shkeljen më të vogël, apo gra të moshuara nga 70 vjeç që riparojnë murin e shtëpisë kanë vajtur në rajonet e policisë. I kam me dëshmi pafund. Por ky është një shtet kriminal në të gjitha pikëpamjet. Pra ky është festë dhe parajsë për kriminelët dhe ferr për qytetarët. Për këtë nuk jemi ne në Parlament dhe me këtë nuk duam të pajtohemi, dhe kushdo që rri në atë Parlament ka zgjedhur të jetë me kriminelët dhe jo me qytetarët. Kjo është e thjeshtë.

Cili do të jetë aksioni i opozitës së bashkuar jashtë Parlamentit për ta zhbërë këtë realitet? Përse vendosët ju të bëheni njësh me qytetarët kur ju e keni parë në realitetin shqiptar sesi qytetarët nuk kanë qenë dot të aftë të zhbënin një realitet të tillë politik, përveç rasti me armët kimike kur pati një protestë të vërtetë qytetarë pa politikanë dhe u ndryshuar historia?

Aksioni ynë ka filluar. Ne jemi vazhdimisht në aksion. Dje keni pasur Kryetaren e LSI-së, të gjithë paraditen ka qenë Kryetari i PD-së. Sot sërish kështu. Dhe kështu vazhdon. Pra aksioni është i përditshëm në të gjithë territorin e vendit. Dhe ka kulmime të jashtëzakonshme.

Dhe me protesta?

Ju keni pasur sot live sesi fermerët derdhin qumështin në rrugë. Kjo është qeveri e rënë. Qeveri që gjakun dhe djersën e fukarait detyrohet ta hedhë në rrugë. Sepse të hedhurit në rrugë është me më pak dëm sesa ta shesë në një mënyrë kriminale, sepse askush nuk e ndihmon. Po ajo është një nga protestat më të rënda, qytetari është ndarë me qeverisjen e vet. Një vend kaq i varfër që nuk mbron dot as ata më të varfrit.

Por kur qeveria nuk tërhiqet, pyes si do të vijoni ju dhe të arrini ju pastaj synimin tuaj? Synimi juaj është që qeveria të bjerë dhe të shkohet në një qeveri tranzitore apo jo?

Shumë e thjeshtë është kjo. Ky është një front i tërë i cili është shumë i gjerë. Nga veriu në jug, të gjithë kanë shumë të qartë që një shumicë dërrmuese kërkon të qeveriset ndryshe dhe nuk do të qeveriset nga kriminelë dhe ata të bërë njësh me krimin, dashuri e cila është bërë publike tani. Nuk ka më nevojë ta provojë më opozita. Opozita është shumë e qetë tani sepse provat tashmë zyrtare janë atje në sy të të gjithëve. Të gjithë shtresat e qytetarëve kanë bërë një pyetje publike kur isha dhe në Parlament. Po e bëjë edhe këtu tek studioja juaj. Kush është i qetë në Shqipëri? Biznesi i vogël nuk është i qetë. Është atje në rrugë. Fermeri nuk është i qetë. Derdh qumështin rrugëve, hedh prodhimet bujqësore. Studentët nuk janë të qetë, ishin atje. Le t’i lëmë këto Paktin për Universitetin e këto dënglat, por ata ishin të tërë në rrugë. Të rinjtë e Shqipërisë duan të ikin nga Shqipëria. S’janë konstatime të opozitës, janë konstatime të institucioneve më të mira ndërkombëtare.

Doja të përmendja një fakt shumë të rëndësishëm. Përveç kësaj pakënaqësie dhe zemërate në të gjitha shtresat, fenomene të tilla ku Shqipëria është vendi i parë në Europë për emigracionin e minoreneve, pra nga mosha 7-14 vjeç, e kam përmendur edhe në shumë studio. Sot duke njohur ndjeshmërinë tuaj po e përmend sërish, 1520 fëmijë më shumë se të gjithë vendet afrikane të marra së bashku, janë vetëm në Itali pa prindër. Pre e pedofilisë, pre e të qenit baby killer, pre e trafikut të organeve dhe një fenomen që nuk verifikohej prej vitesh, absolutisht jo në këtë dimension, por ne dimensione minimale. Që do të thotë që gërryerja e shoqërisë është në këto nivele, pra është nj thirrje alarmi të cilës ose do t’i përgjigjemi sot, ose rrënimi pastaj do të jetë i pandalshëm.

Këto janë disa arsye të mëdha themelore, që tregojnë një shoqëri të shpërbërë , një sistem i cili ka rënë. Patëm mundësinë të ndiqnim edhe një sistem që funksionon me portal. Ju e dini që timoni dhe tepsia u morën në vitin 2017, sepse të tjerët na kishin krijuar probleme në hipoteka e të tjerë, i keni dëgjuar dhe s’po i them unë. Dhe korrupsioni në këto dimensione të frikshme dhe një e dhënë jo e imja, por e Transparency International, që nuk është e opozitës, thotë që Shqipëria ka rënë 9 shkallë që nga viti 2017 e këtej. Pyetja ime është: ky timon, kjo tepsi, ky shpartallim qeveritar e të gjitha, çfarë pruri? Pruri një shkarje të tmerrshme drejt një korrupsioni të pandalshëm, i cili u verifikua dhe në studiot tuaja, ku janë identifikuar ngjarje korruptove të pashembullta. Pikërisht në studiot tuaja është evidentuar që korrupsioni nuk kurseu që të falsifikoheshin dokumentat deri në Amerikë. Dhe ku garat zhvilloheshin me konkurrencë zero, dhe ku 30 milion euro i merrte një kompani, e cila ishte pa zyra dhe një përfaqësues recepsionist merrte 30 milion euro. Tani kjo është paraja jonë, paraja ime, paraja juaj, paraja e të gjithë shqiptarëve, çfarë duhet të bëjmë? Duhet të rrimë dhe të duartrokasim? Duhet të rrimë të presim? Duhet të themi shyqyr Zotit, ishalla vjedhin më pak?

Si do ta vazhdoni pra? Sepse ky realitet që ju sapo treguat kështu, qeveria e sheh ndryshe dhe thotë që nuk është kështu…

Unë nuk e shoh kështu, unë po jap fakte. Në qoftë se është falsifikuar firma në Delaaware ky është në fakt. Në rast se 30 milion euro u morën saqë detyruan që projekti të mbetej është një fakt. Në rast se krimi ulet dhe thotë që nëse nuk kanë dhënë votat shko merri lekët dhe del publikisht, është një fakt. Në qoftë se këta 1520 fëmijë ndodhen atje dhe UNICEF Italia dhe Ministria e Jashtme Italiane del dhe i bën publike, këto janë fakte. Nuk janë këndvështrime.

Fakte që nuk merren si të tilla nga mazhoranca. Si do të ja bëni ju që të dëgjohen ashtu siç janë faktet dhe të arrini synimin që ju keni, të rrëzohet kjo qeveri dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme?

Ky është një qëndrim i prerë, i fortë dhe madhor, publik, popullor i pandalshëm. Kjo është një përballje e përditshme. Një përballje ku siç e keni parë në sytë tuaja, ju e keni parë me korrektësi dhe objektivitet, media të tjera të caktuara për shkak të halleve të caktuara që kanë me qeverinë e kanë parë së prapthi. Por nuk ka guxuar dot njeri të mohojë një masivitet popullor, i cili i ka lënë pa gojë të gjithë. Protesta e 16 shkurtit është saktësuar dhe cilësuar nga të tërë, ku kanë qenë objektivë të gjithë, protesta më e madhe e pluralizmit dhe në Shqipërinë më të vogël.

Kjo e 16 marsit mendohet të jetë edhe më e madhe?

Tashmë absolutisht çështja e shifrave dhe e numrave është një çështje që e ka humbur rëndësinë për një arsye shumë të thjeshtë. Masiviteti ka qenë i tillë. Ju e keni parë që brenda dy orëve ka qenë një pjesëmarrje kaq e madhe jo thjesht për meritë të opozitës. Zemërata e qytetarëve ka arritur në këtë pikë që janë përgjigjur.

Ditën kur u vendos në mënyrë të beftë seanca parlamentare  e keni fjalën?

Po sigurisht. Jeni shumë korrekte në atë që citoni. Dhe pikërisht keni parë këtë gjë që thashë. Është pikërisht një zemëratë qytetare, të cilën opozita ka marrë përgjegjësinë qytetare dhe kushtetuese ta udhëheqë, në mënyrë që ajo të ketë drejtim politik, të ketë objektiva të qarta, të ketë elementët thelbësore të programit të saj. Pasi shumë elementë dhe piketa të programit shoqëror dhe ekonomik janë shpalosur në takimet përkatëse, në mënyrë që ta ruajmë Shqipërinë nga kaosi që e ka futur kjo qeveri. Ju e dëgjuat  që qeveria e timonit dhe e tepsisë, ma mundësuat tani live, të jepte nga veriu në jug që korrupsioni bëhej nam, po këta i pengonin të tjerët dhe të korruptuarit ishin tjerët. Këto janë të vërtetat e mëdha që janë thënë dhe demonizimi që janë përpjekur t’i bëjnë të tjerëve, në mënyrë të veçantë partisë që unë përfaqësoj. Pse ramë me 10 shkallë të korrupsionit? 10 shkallë më lart duhej, se të tjerët ishin kompromentuar. Pra çfarë do të thotë? Ky dimension i të qenit korruptiv dhe dimensionit të shesim dhe të blejmë çdo gjë, ky është fundi i sistemit demokratik dhe fundi i pluralizmit.

Dhe ne nuk po mbrojmë interesat e opozitës, po mbrojmë një sistem i cili është ç’bërë, i cili nuk ka më gjyqësor dhe është lënë pa gjyqësor, nuk ka më Parlament. Pra, kemi një republikë antikushtetuese.

 Për ju sepse për ndërkombëtarët ka Parlament, është legjitim thonë ndërkombëtarët…

Neni 64/1 thotë, “Parlamenti ka 140 anëtarë të cilët zgjidhen nga forcat politike të cilët kanë konkuruar në Kuvend, kanë konkurruar dhe janë votuar”. Forcat politike e kanë marrë vendimin e tyre dhe kanë zgjedhur që vendimin që morën nga 100 mijë shqiptarë më 16 shkurt ta çojnë përpara sepse 100 mijë shqiptarë na thanë këtë gjë, “nuk duam të bëheni garnitura e hajdutëve”.

Pasi, asnjë amendament i opozitës nuk u pranua kurrë, kontrolli që ushtron opozita mbi qeverisjen, ky është themeli i republikës kushtetuese dhe i opozitarizmit, ishte, ministrat thonin se nuk mund të vinin dhe ndërkohë vinin në sallë dhe nuk përgjigjeshin as kur fëmijët nëpër rrethet e Shqipërisë mbeteshin pa paguar, edhe fëmijët me handikap të cilët ju keni pasur mundësinë që në raste të caktuara ti trajtoni me shumë dhembshuri edhe në një nga emisionet shumë të rëndësishme që drejtoni. Pra, e tërë kjo veprimtari ku mblidheshin në mënyrë pirateske, ku hiqej e drejta për diskutim. Në seancën e fundit fare në 52 diskutime u vendos mos të kishte asnjë diskutim sepse nuk kishte dëshirë mazhoranca të dëgjonte.

Një Parlament që nuk respekton fjalën dhe kontrollin Parlamentar, kushdo mandat, konsiderohet, s’ka asnjë rëndësi sepse duke patur 74 mandate jemi pronarë të Parlamentit, duke harruar që nuk ka pronë të Parlamentit, Parlamenti është i të gjithë popullit dhe secili deputet ka një mandat të barabartë, mazhorancë apo opozitë ka vetëm një diferencë ku votohet, ka diferencën se dikush ka një mazhorancë e  një tjetër ka opozitë. Por opozita ka një detyrë të madhe të bëjë kontrollin, kur ky kontrolli bëhet zero, i pamundësohet, pasi nuk pranojnë, refuzonin edhe të paraqisnin, e bukura… Ne e shtynim një komision hetimor për çështjen e ish ministrit Tahiri 4 herë sepse nuk paraqisnin dokumentat institucionet. Institucionet e kësaj qeverie, ju jeni njohur që presidenti i republikës kur mori në shqyrtim çështjen e Unazës së Re referoi që institucionet të caktuara i kishin refuzuar ti përgjigjeshin presidentit, kjo është republikë e rënë. Parlamentin nuk e kontrollon dot, presidentit nuk i kthejnë përgjigje, kjo është një gangsterizëm qeveritar i cili sot e do përgjigjen.

 Ju besoni se do të bjerë qeveria më datë 16 mars?

Kjo është një përballje pa kthim, çdo ditë që qeveria shtyn, është një ditë e keqe shumë për Shqipërinë, është një ditë akoma edhe më e keqe për shqiptarët, për qeverinë vetë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here