Nuk ka arsye për të qenë i arsyeshëm në kohën e maskarenjve

0
134

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

Para protestës së madhe të opozitës dhe pas saj, ajo që të bënte përshtypje ishin deklaratat para dhe pas kësaj ngjarje. Për ditë me radhë me policia e gjeneralit pa spaleta, i mbushi mendjen popullit, që në rast se do të dilte në shesh, mes tyre do të fshiheshin kriminelët më të regjur të Shqipërisë. Veprimet e policisë pas protestës, “vërtetuan qartësisht” se policia dhe vetë Lleshi kishin “të drejtë”. Një 80 vjeçar dhe i vetëquajturi “ujku i Cërrikut”, në bashkëpunim me një grua 70 e kusur, që u shfaq në dyert e kryeministrisë, me një armë tepër të fuqishme në dorë, siç ishte shkarpa e tharë e një pishe, tronditën rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit. Mes radhëve të policëve, shumë u goditën nga vandalët dhe mes popullit shumë u “trimëruan dhe ju turrën” me pllaka të shkulura nga bulevardi godinës së qeverisë dhe instilacioneve të dhuruar me kaq dashuri për popullin shqiptar nga popujt e Bashkimit Evropian. Por mbi të gjitha më bëri shumë përshtypje deklarata e Ministrit të Brendshëm, Lleshi që mu duk më tepër si deklarata e kreut të OSBE apo të Delegacionet të BE, të ndonjë ambasade të huaj në vend. “Bëj thirrje gjithë drejtuesve politikë që të distancohen nga dhuna që po ushtrohet ndaj institucioneve të Shqipërisë. Ftoj qytetarët të distancohen nga elementët e dhunshëm. Është me shumë vlerë të dëgjohet zëri i arsyeshëm i miqve të mëdhenj të Shqipërisë. Jo dhuna, por arsyeja na afron drejt Europës së vlerave tona!”

Në fakt Lleshi i asistuar nga Fuga ka të drejtë, por…

Duke ditur gjuhën me të cilin fliste i “urti” Lleshi para se të bëhej Ministër i Brendshëm dhe pasi e mori postin, mund t’i drejtohemi me disa pyetjen mbi arsyen, distancimin nga dhuna kundër institucioneve, ruajtjes së vlerave tona, zëri i arsyeshëm e kështu me radhë. Le të nisim dhe të pyesim z. Lleshi, i cili, mund të na iluminoj në lidhje  me paqartësitë e mëdha që kemi.

Si e shpjegon z. Lleshi që një institucion si universiteti dhe studentët u dhunuan prej policëve të tij, pas asnjë arsye të ligjshme dhe në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë dhe ai nuk e dëgjoi zërin e arsyes që së akut ë kërkonte ndjesë e të niste një hetim administrativ.

Cili është shpjegimi që ka z. Lleshi në lidhje me rastin e  Shkodrës. Një polic hyn i armatorësh në mjediset e Universitetit të Shkodrës, i djegur nga dashuria dhe zëri i arsyeshëm e shtyn të mbërthejë një femër nga dora e ta tërhoqi dhunshëm në këto mjedise, për shkakun e vetëm kriminal, se vajza kishte refuzuar propozimin e tij të dashurisë!. Edhe në këtë rast, z. Lleshi nuk na shpjegoi arsyen e veprimit të vartësit të tij, por bëri një deklaratë shumë befasuese: “Nuk ka denoncues”. Pra pamjet me zë e figurë nuk quhen provë. Provë për policinë, me siguri që do të jetë nesër një viktimë e një sulmi që me arsyen e ministrit të brendshëm, mund të quhet i nxitur nga dashuria.

Ministri i Brendshëm, nuk arriti do të na shpjegonte se cili ishte roli i policisë në ngjarjet e Kavajës dhe pse asnjë nga vartësit e tij, nuk mori qoftë përgjegjësi morale. A ka arsye të besojmë se një vend ku njerëzit e dinë se kush e ka macen shtatzënë, njeriu i ligjit nuk merr asnjë informacion për njerëzit që dhunohen në mes të ditës në zonën që ai mbulon dhe zhvishet  nga përgjegjësia që i cakton ligji? A është e arsyeshme që njerëzit të paguajnë taksa dhe të kenë besim tek ata të cilët janë fytyra e shtetit prej metropolit e deri në skajin më të largët? A janë këta, fytyra e Ministrit të Brendshëm sipas deklaratës së tij, apo e dikujt tjetër që ka emëruar Lleshin në atë post.

A ka arsye të besojmë kaq shumë tek arsyeja dhe vlerat tona më të mira, kur populli kërcënohet me uri dhe varfëri, policët turren të thyejnë gardhe e prishin shtëpi, papa asnjë arsye ligjore. Unë e di se në të gjithë Shqipërinë, përfshij dhe zonën nga ku vjen z. Lleshi, kur mbetet jashtë, në errësirë dhe pa bukë nuk lihet edhe hasmi, kur të troket në derë, e jo t’ia thyesh derën atij që me mund e gjak e ka ngrit.

Ku është shkruar, në ligj e në Kanun, në zakon e traditë  që fëmija tërhiqet zvarrë e merret e plaset në Komisariatet e Policisë së z. Lleshi me të vetmen arsye të madhe ligjore: Po proteston për që të mos e lënë pa një strehë ku të fusë kokën?

A është arsyeja mjeti më i arsyeshëm në epokën e maskarenjve?

Modestish për aq sa ka fuqi zëri im dhe pa asnjë dorashkë, z. Lleshi po ju them se arsyeja është mjeti më i paarsyeshëm. Nëse i besojmë faktit se “arsyeja në filozofi është aftësia ose ecuria nëpërmjet së cilës vetëm qeniet njerëzore ushtrojnë mendimin kryesisht atë abstrakt  (të nxjerrë) në lidhje me botën dhe kuptimin e saj, të njohjes dhe veprimit në jetën tonë të përditshme”, apo faktit se mendimtarët e lashtë jepnin përkufizimin “Arsyeja është pasuria ë e madhe e njohurisë , që mbikëqyr kuptimin përzgjedhës dhe vendos apo një kufizimet e tij”, a mund të më thotë kush përfshi edhe ish-Gjeneralin Lleshi, se cilat nga ngjarjet e përditshme apo ato të përmendura më lart, janë bërë me një arsyetim të shëndoshë e të qartë?

Në cilat  ngjarje shtetarët që kanë të detyrimin të arsyetojnë shumë më tepër dhe përtej mendimit të popullit, u ndalën një çast ta bëjnë këtë? Si mund të thërresësh në kauzë arsyen, kur gjuha e përdorur, veprimet e atyre që menaxhojnë jetën tonë, kanë kapërcyer të gjitha kufizimet e absurdit. Pra me pak fjalë arsyeja është shkelur me këmbë arsyeja dhe është zëvendësuar nga veprimi i paskrupullt i forcës dhe arrogancës, ndaj popullit që i mban në ato karrige? Kundrejt një populli i cili në demokraci është zhytur në diktaturën e urisë, tërësisht e krahasueshme me mjerimin e diktaturës 50-vjeçare që kaloi. Edhe më hipokrite është thirrja për të ruajtur vlerat, për të demonstruar vlera, për t’u kapur pas vlerave si mbyturi pas fijes së kashtës. Nëse do të kishim pak nderim për vlerat, nuk do të nxirrnim faqen këtij vendi duke e etiketuar “Kolumbia e Evropës”. Nëse do të kishim kaq shumë respekt për vlerat nuk do ta quanim përdhunimin “një ngjarje e zakonshme, me të cilin bëhen filma” dhe as nuk do të kishim nxjerrë të përdhunuarit si reklamë për qeverinë, faqe njerëzve.

A mendon z. Lleshi se është në vlerat tona tradicionale, tërheqja përdhuni e një femre të pambrojtur ndaj një njeriu të armatosur, vetëm se ky i fundit i lyp me dhunë dashuri një vajze e cila e refuzon sistematikisht? A do të ishin dakord miqtë e mëdhenj të Shqipërisë me dhunën seksuale, mentale, fizike, me “përdorimin e arsyeshëm” të lëndëve helmuese kundër një populli, në një shesh, e duke u mburrur se ne “jemi profesionistë”. Kështu që në një vend ku arsyeja e vlerat e një populli janë përdhosur e shkelur me këmbë, nga ata që kanë më shumë për detyrë t’i mbrojnë, nuk na mbetet gjë tjetër veç veprimit. Veprim gjithnjë mbetet i justifikuar e përherë legjitim, sa kohë që përballë nuk ka më as arsye, as logjikë, as vlera e mbi të gjitha janë hedhur në kosh parimet e lirisë, të drejtës së barabartë dhe sundimit të ligjit. Pra me një fjalë të vetme demokracia ka vdekur dhe përmbysja me çdo mjet është detyrë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here