Paralajmërimi i kreut të PAA-së/ Duka: Nëse do kemi sërish “vesh të shurdhët” për kodin zgjedhor, 400 mijë votat e të vegjëlve…

0
111

 

Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka në një intervistë për Gazeten Standard është shprehur se PAA do të ndjekë alternativat e saj politike, ku një nga të cilat është dalja në zgjedhje pa qenë pjesë e një koalicioni parazgjedhor. Për sa i përket  kodit zgjedhor theksoi se është domosdoshmëria ndryshimi i sistemit zgjedhor i vitit 2008 si dhe të marrin fund komisionet zgjedhore të politizuara. Duka e ka cilësuar si aspekt të rëndësishëm futjen e teknologjisë në zgjedhje, si për shembull numërimi elektronik. Ndërsa i pyetur se çfarë do ndodh nësë PD, PS nuk arrijnë konsensusin për ndryshimin e kodit zgjedhor, ai tha se  eksperienca ka treguar se partia që është në pushtet është shumë e favorizuar nga ky sistem. “Nuk pres që PS të këtë vullnetin për ndryshime domethënëse. Unë pres që të jetë PD-ja ajo që lufton për këtë çështje” –dekalroi Duka.

 

Intervistoi: Ermelinda Ndoja

 

1-Në tryezën e partive të vogla është paralajmëruar se mund të ketë një pol të tretë politikë. Cili është qëndrimi juaj?

 

Takimi me partitë jo parlamentare kishte në thelb çështjen e “Reformës Zgjedhore”, dhe nuk u diskutua në asnjë moment për një pol të tretë. Ajo që ka shtyrë mediat drejt këtij interpretimi, ka qenë thirrja ime për t’u bashkuar në zgjedhjet e ardhshme vendore. Unë kërkova nga pjesëmarrësit që të jenë më të vetëdijshëm për forcën e tyre, pasi në zgjedhjet e vitit 2015 këto parti kanë marrë 400 mijë vota. Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, ne do të kemi forcën e nevojshme për të imponuar ndryshimin e kodit zgjedhor. Pra sikurse mund të kuptoni, nuk është një pol i tretë, por një aleancë e bazuar mbi vullnetin e përbashkët për të çuar deri në fund “Reformën zgjedhore”.

 

 

2-Pak ditë më parë keni bërë një deklaratë të fortë lidhur me aleancën me PD, ku keni thënë se PAA mund edhe të ndahet nga koalicioni opozitar.  Cila është arsyeja që qëndron pas kësaj deklarate?

 

Nëse do të shihni në mënyrë të vëmendshme deklaratat e bëra nga ana ime vitet e fundit, do të gjeni se në secilën prej tyre kam vendosur theksin mbi domosdoshmërinë për të ndryshuar  Kodin zgjedhor. Nga momenti që këto kërkesa kanë rënë në vesh të shurdhët, është koha që edhe ne si PAA të ndjekim alternativat tona politike; një nga të cilat është dalja në zgjedhje pa qenë pjesë e një koalicioni parazgjedhor. Gjithsesi ky është një vendim që do të marrim shumë shpejt në formë kolegjiale. Kryesia e PAA-së do të mblidhet në 26 janar, pikërisht për të vendosur mbi këtë çështje.

 

 

3- Ju keni kërkuar ndryshime në kodin zgjedhor, përkatësisht cilat ndryshime dhe sistem elektoral mbështesni?

Thelbi i problemit, nga i cili ndikohet në mënyre negative gjithë jeta politike e vendit jo vetëm paritë alternative, është domosdoshmëria e ndryshimit të sistemit zgjedhor të vitit 2008. Ky sistem ka prodhuar monopolizmin e procesit zgjedhor. Nuk krijon kushtet e ndershme për garën demokratike dhe bllokon konkurrencën midis kandidatëve brenda partive politike, duke krijuar autokracinë e kryetarëve. Kjo duhet të marrë fund, sikurse është momenti që të marrin fund edhe komisionet zgjedhore të politizuara. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është futja e teknologjisë në zgjedhje, si për shembull numërimi elektronik, çështje për të cilën u ngjirëm në Çadër. Për sa i përket sistemit, pavarësisht se ne si parti alternative jemi të tërhequr nga sistemi proporcional me korrektim kombëtarë, gjykojë se kjo pjesë ka nevojë për një debat gjithëpërfshirës.

 

 

4-Cili është hapi juaj i radhës nëse PD, PS nuk arrijnë konsensusin për ndryshimet në kodin zgjedhor?

 

Eksperienca ka treguar se partia që është në pushtet është shumë e favorizuar nga ky sistem, pra unë nuk pres që PS të këtë vullnetin për ndryshime domethënëse. Unë pres që të jetë PD-ja ajo që lufton për këtë çështje, jo vetëm sepse ky kod favorizon partinë në pushtet, por sepse duhet t’u tregojë qytetarëve se është e gatshme të lëshoj nga pushteti i saj për të ndryshuar një sistem që prodhon këtë lloj keqqeverisje. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ne do të ndjekim strategjinë tonë. Jo vetëm duke shkuar në zgjedhje pa asnjë koalicion më paritë e mëdha, por duke u bashkuar me të gjithë ato forca politike që kërkojnë me njëzëri ndryshimin e sistemit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here