Tubimi i thirrur më 28 Dhjetor. Rebelimi kundër keqqeverisjes, çfarë pritet të ndodhë nesër?

0
90

Shqiptarët që jetojnë në emigracion mblidhen në Tiranë më 28 dhjetor në një miting para Kryeministrisë kundër krimit, korrupsionit dhe varfërisë.

Me sa duket, pavarësisht vendimit për të zhdukur fishekzjarret nga qarkullimi, kryeministri dhe qeveria e tij, nuk po gjen qetësi…

Banorët e Unazës së Re dolën edhe në ditën e Krishtlindjeve, por edhe dje pasdite në protestë për të kundërshtuar shembjen e pronave të tyre. Studentët edhe pse shumica që vijnë nga rrethet kanë shkuar pranë familjeve për festa, dje dhe sot ishin sërish në një protestë simbolike para Kryeministrisë.

Kjo është vetëm njëra nga pamjet e kryeqytetit shqiptar në këtë fund dhjetori, pamja tjetër është se mijëra emigrantë që kanë ardhur për festat si çdo vit në Shqipëri, këtë herë kanë vendosur që jo vetëm të festojnë me të afërmit, por edhe të protestojnë.

Nisma për protestën e emigrantëve shqiptarë, ashtu si ajo e studentëve, ka nisur në mënyrë spontane me thirrje në rrjete sociale.

Një nga organizatorët e saj është Genc Sejko, një personazh që njihet gjerësisht në Shqipëri si “Njeriu i memeve”.

I riu që prej vitesh jeton në Londër në pak kohë ka arritur t’i ktheje mesazhet dhe fotomontazhet e tij në Facebook në modelin më të mirë të të bërit opozitë qytetare. Me vetëm pak fjalë ironike dhe një foto të zakonshme të kryeministrit apo të ministrave, Sejko dhe të tjerë si ai, në rrjetet sociale arrijnë të thonë atë që shumë shqiptarë mendojnë për politikën dhe mënyrën sesi po qeveriset vendi.

Është një metodë e re, tepër logjike dhe kreative e reagimit ndaj qeverisë, larg fjalimeve dhe mitingjeve partiake, por që jep efekt në masivizimin e protestave.

Në këtë mënyrë është organizuar dhe protesta e së premtes me 28 dhjetor.

Thirrjes së bërë në rrjetet sociale i janë përgjigjur me qindra qytetarë. Shumica e tyre janë emigrantë që të premten nuk do të protestojnë vetëm për hallet e tyre, por do të shprehin reagimin për mënyrën sesi po qeveriset Shqipëria.

Çfarë pritet të ndodhë nesër?

Nismëtari i kësaj proteste paqësore dhe qytetare, Genc Sejko, të mërkurën në darkë, është shprehur se protesta do të zhvillohet ditën e premte në orën 17:00 para Kryeministrisë, në shenjë rebelimi kundër keqqeverisjes, kriminalitetit, korrupsionit dhe arrogancës që ka mbërthyer vendin.

Veç studentëve dhe kategorive si banorët e “Astirit”, që po protestojnë vetëm kur u shkuan fadromat te shtëpitë, qytetarët e tjerë këto vite nuk janë ngritur në protestë. Nuk kanë protestuar për çmimin e naftës, për taksat dhe as për korrupsionin që i prek të gjithë, si të majtë dhe të djathtë.

Ndaj dhe emigrantët kanë vendosur që të thërrasin në shesh gjithë shqiptarët, për të protestuar për të drejtat e tyre. Një protestë e ngjashme u zhvillua në shtator në Rumani, ku ishin emigrantët ata që protestuan për drejtësinë e kapur dhe korrupsionin qeveritar derisa e detyruan qeverinë të tërhiqet.

Tubimi i thirrur më 28 dhjetor dhe pse ka organizator shqiptarët emigrantë është i hapur për gjithë qytetarët e tjerë. Apeleve në rrjetet sociale u janë përgjigjur me qindra qytetarë, intelektualë dhe njerëz të njohur të skenës publike. Ndërkohë që edhe një pjesë e studentëve që kanë protestuar këto ditë pritet të jenë në shesh, duke e kthyer tubimin në një protestë kombëtare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here