Frika që ka kapluar kryeministrin. Vasili: Çfarë do të ndodh me protestën?!

0
108

Deklarata për media e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë dhe qytetare,

Dje qeveria e kryeministrit Edi Rama, së bashku me instrumentet e tij tashmë të errëta të policisë së shtetit, kanë penguar një tubim të diasporës shqiptare, duke e motivuar këtë edhe me komunikimin me shkrim të tyre. Pra, për herë të parë kemi reagim të diasporës shqiptare në largim të  saj në një shkresë, të cilën unë po ua vë në dispozicion të gjithë qytetarëve, ku policia e shtetit e pengon këtë kërkesë të ligjshme, me sebepin se u prishka rregulli e qetësia dhe terezia e shtetit dhe e qeverisë në një tubim të tillë.

Çfarë do të thotë kjo?

Do të thotë as më shumë e as më pak se frika e jashtëzakonshme që ka kapluar kryeministrin dhe qeverinë, nuk kurseu as diasporën. Do të ishte një ngjarje shumë e rëndësishme dhe është një ngjarje e rëndësishme, pasi tubimi do të zhvillohet, që diaspora, e cila me gjakun dhe djersën e saj në dhjetëra vjet, në më shumë se 3 dekada, ka qenë një nga kontribuueset vitale në mbijetesën e mijëra shqiptarëve, pasi qindra milionë e gjakut dhe djersës së tyre kanë mbajtur dhe kanë siguruar mbijetesën e kushedi sa mijëra familjeve shqiptare. Remitancat, siç quhen janë raportuar  nga qeveritë shqiptare, vazhdimisht si të ardhurat themelore për mbijetesën shqiptare. Tentohet që t`i hiqet dhe e drejta e reagimit. Pse diaspora shqiptare vendosi një gjë të tillë, në atë të cilën ajo i është drejtuar publikut? Sepse shqiptarët edhe ata që nuk jetojnë në Shqipëri, por që robtohen nëpër Europë dhe botë për të siguruar të ardhurat e tyre, jo vetëm për vete, por edhe për familjet e tyre, shikoi se si qeveria vjedh 40 milionë euro brenda ditës te ‘Unaza e Re’ , shikojnë se si korrupsioni galopant i qeverisë heq rreth 100 milionë euro buxhetit të shtetit nga të ardhurat, siç raportohet tani së fundi. Se si qindra milionë euro grabiten, shpërdorohen me koncesione, se si procedurat e tenderave të mashtruesve korruptiv, kapërcejnë dhe Atlantikun dhe falsifikojnë edhe dokumentet jashtë vendit dhe frika e demaskimit të këtyre aferave pa fund, të këtij shpërdorimi të gjakut dhe djersës shqiptare, kanë shqetësuar me shumë të drejtë dhe diasporën shqiptare, e cila donte të reagonte.

Ne kemi parë një qeveri, e cila ka bërë shou pafund në takime me diasporën. Ka ngritur edhe një ministri të diasporës. Ka folur edhe për votimin e diasporës dhe të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.  Të nderuar qytetarë, ju e kuptoni që të gjitha këto janë thjesht dhe vetëm demagogji. Nuk ka asnjë emër tjetër. Është një qeveri hajdute, demagogjike dhe hipokrite. Ja pranojnë dhe i kanë jetike të ardhurat që vijnë nga diaspora, por kundrejt një tubimi që ishte unikal në 28 vjet, u prish terezia e qeverisë në sheshin përpara Kryeministrisë. Kush e thotë këtë? E thotë një qeveri që dje në opozitë e ka bllokuar me javë të tëra atë shesh me çadra, një opozitë që ka qenë themeluese e konceptit të çadrës në bulevard, ideatore, fondatore e konceptit të çadrës ne bulevard. E cila shtroi në bulevard krahas reagimit, në një vend ku plotësoheshin edhe nevojat biologjike, kjo nuk ishte një prishje e terezisë së qytetarëve, ishte normalitet kur e bënë këta, kurse diaspora shqiptare, njerëz që me mund dhe me gjak kanë ndërtuar jetesën e tyre dhe po mbajnë dhe jetesën e mijëra qytetarëve shqiptarë, nuk i lejohet mundësia për të protestuar. Sigurisht, si në këtë protestë edhe në protestat e tjera, nuk mund ti ndalë, siç donte të ndalte dhe protestat e studentëve, siç kanë dashur të ndalin protesta e fermerëve, siç kanë dashur të ndalin protestat e biznesit të vogël, siç kanë dashur të ndalin të gjitha llojet e protestave të të gjitha formave kudo ku janë, pasi dimensioni i të protestuarit, pra demokracia she kjo qeveri nuk bashkëjetojnë dot me njëra tjetrën, është një pamundësi absolute, sepse kjo është qeveri antidemokratike e prirur nga grabitja, shpërdorimi dhe nga krijimi i një lavatriçe gjigante e parave të pista. Pasi edhe vlera e remitancave bie, kur paratë e pista bëjnë që euro në Shqipëri të rrënohet dhe vlera e atyre parave që dërgojnë të bie gjithmonë e më shumë. Një qeveri e cila është e prirur të grabisë me të gjitha llojet dhe format e grabitjeve, sigurisht është kundër mentalitetit të protestës, të reagimit demokratik, të kërkimit të llogarisë për këtë shpërdorim dhe të kërkesës së madhe që të largohet për ti dhënë fund këtij shpërdorimi, kësaj batërdie ekonomike. Në fund të fundit, sot kemi një ndarje përfundimtare midis qeverisë dhe demokracisë, midis transparencës dhe fshehjes së gjërave. Pra kemi një qeveri antidemokratike, hajdute e madhe, fsheh çdo gjë, lufton dhe mbyll gojën me të gjitha mënyrat, i mbyll gojën diasporës, i mbyll gojën studentëve, i mbyll gojën portaleve, i mbyll gojën medias, ti blejë. Pra përfundimisht kemi një qeveri obskurantiste,  të errët sa më s`ka, e cila ka çdo qëllim në kokën e saj, por asnjëherë qëllim prioritar qytetarët, të ardhmen e tyre dhe jetën e tyre më të mirë. Sot është koha për të nxjerrë konkluzione të mëdha. Qëndrimi nga më negativët, unikal në historinë e pluralizmit në raport me këtë protestë të diasporës është një faqe e zezë, e cila do të mbetet në historinë e kësaj mazhorance, të këtij kryeministri hipokrit,  por njëkohësisht duhet të jetë një moment reflektimi i vazhdueshëm që Shqipëria kurrë më, dhe asnjë mazhorancë kurrë më të mos ti lejojë vetes kurrë dimensionin që të rrëshqasë në këtë profil, në këtë shfaqje, në këtë antidemokraci, e cila vetëm e dëmton, e rrënon këtë vend dhe e kthen në kohët e errëta nga të cilat ai është ndarë. Pasi Shqipëria e avancuar është Shqipëri demokratike, Shqipëri e prosperitetit, nuk ka të bëjë me Shqipërinë e tollonit, të cilën këta pinjollë të rinj kanë një afeksion, kanë një dashuri pafund për të kthyer edhe njëherë Shqipërinë në kohërat e tmerrshme të zisë së bukës, të tollonit, të vështirësive ekstreme ekonomike dhe të izolimit të jashtëzakonshëm të fjalës dhe të lirive. Qeveria e antilirive dhe liritë janë ballë për ballë me njëra-tjetrën. E sigurtë është që liritë dhe demokracia do të fitojnë gjithmonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here