Floida Kërpaçi: Edi Rama po mashtron. VKM-të për studentët si mashtrimi për 300 mijë vende pune…

0
114

Floida Kërpaçi gjatë intervistës së saj për televizionin Fax News, shprehet se kryeministri nuk po bën gjë tjetër veçse një propagandë. Kërkon të mashtojë studentët njësoj si mashtrimi për 300 mijë vende pune.

 

Gjithçka që është thënë sot ka qenë thjeshtë një show apo një propagandë e radhës e kryeministrit për të tentuar që ti gënjejë studentët, por unë kam ndjekur disa nga deklaratat që studentët kanë bërë. Ata janë shprehur se do të vazhdojnë me këmbëngulje në protesta në ditët në vijim dhe për rikthimin masiv të tyre në datën 7 janar, deri në plotësimin real të 8 kërkesave të tyre.

Studentët nuk mashtrohen. Kryeministri ka mashtruar në 2013, ku ka thënë se 5% e prodhimit të brendshëm bruto do t’ia japim arsimit dhe nuk e ka realizuar dhe studentët e kanë shumë të qartë se si kryeministri ka mashtruar. Kryeministri ka thënë po ashtu që do të krijojmë 300 mijë vende pune, studentët e kanë sërish të qartë se si ai i ka mashtruar, sepse jo vetëm që nuk janë hapur 300 mijë vende pune, por 97% e të rinjve duan të largohen, sepse janë të pashpresë në Shqipëri. Prandaj studentët nuk pranonin që të dialogonin me të, sepse e dinin që dialogu do të ishte një mashtrim i radhës për mediat dhe për njerëzit, për hir të skenarit se si punon kryeministri.

Nga ana e kryeministrit ka tashmë një pakt nga ana e kryeministrit për universitetet. Është një draft ku adresohen të gjitha kërkesat e studentëve. Marrin zgjidhje në afate të ndryshme. As për ty nuk duhet të dialogojnë studentët?

Ne jemi një vend që ka ligje shumë të mira, por kemi një mangësi shumë të madhe, sepse asnjëherë ligjet tona nuk gjejnë zbatim. Dhe kur flasim për ligje që kanë të drejtën e tyre dhe që duhet të zbatohen, për çështje paktesh dhe për çështje letrash, që janë çështje që sot hidhen dhe nesër grisen, asnjë nuk ka besim. Paktin për universitetin nuk e ka parë askush, nuk e ka askush në dorë dhe nuk e ka askush në dorë. Por politika edhe përgjegjësia e një kryeministri nuk është të bëjë meme dhe të postojë në rrjetet sociale. Është të shkojë në zyrë, të merret me detyra konkrete dhe të punojë për punë konkrete dhe jo për një grusht njerëzish. Nuk është që të ndihmosh një grusht njerëzish duke i dhënë 46% të buxhetit dhe pastaj studentët dhe të gjithë njerëzit e thjeshtë, njerëzit që vuajnë në fund të ditës për ekonomi dhe se si të mbajnë familjen, për këta nuk punon njeri.

Këtu është diferenca! Prandaj dhe këta studentë nuk kanë pranuar të dialogojnë dhe nuk duan të kenë diskutimin më të vogël me kryeministrin, sepse nuk kanë më besim te ai dhe te gjërat që ai thotë. Ndaj çështja ka shkuar më keq se kaq dhe ata kanë thënë se do të kërkojnë me ngulm.

Për sa i përket se çfarë do të bëjnë studentët. Studentët janë shumë të qartë. Ata e dinë shumë mirë që të realizohen 8 kërkesat e tyre, duhet të ketë ndryshim në Buxhetin e Shtetit. Kjo nuk bëhet as me një pakt e as me dy letra. Kjo bëhet me një ndryshim të Buxhetit të Shtetit dhe duhet parë realisht se sa do të ndryshojë, ku do ti marri këto lekë, sepse do ti marri diku dhe do ti çojë diku tjetër. U bënë katër VKM. Ku janë këto VKM? Hapini të gjitha faqet zyrtare që nga faqja e kryeministrit nëse ka ndonjë nga VKM-të e publikuara. Por para 5 minutash nuk ishin publikuar dhe nuk janë transparente.

Pra për sa kohë vazhdojmë të mbetemi në të njëjtën histori të kryeministrit që del bën show dhe pastaj hedh edhe disa meme, në këtë moment studentët janë shumë të qarë dhe e dinë se çfarë duhet të bëjnë dhe se si duhet të vazhdojnë. Kanë 8 kërkesat e tyre, duan ti plotësohen dhe nuk kanë frikë as nga kryeministri, as nga njeri tjetër, por do vazhdojnë të protestojnë për të vazhduar misionin e tyre.

Ju jeni pro idesë së studentëve për të mos pasur dialog?

Studentët e kanë shprehur qartë se përse ata nuk duan që të dialogojnë dhe po ta keni dëgjuar me vëmendje, ata i kanë paraqitur me fakte. Unë dua të citoj një ndër ato gjëra që më ka ngelur në mendje nga studentët e gjeologjisë. Ata thanë se kanë pasur një përvojë me kryeministrin. Në 2014 kemi pasur një problem me godinën dhe për probleme të tjera universitare, për të cilat ata kanë dalë në protesta përpara Kryeministrisë. Jemi ftuar nga kryeministri për të pasur dialog, për javë kanë bojkotuar dhe u ftuan në një moment të caktuar për dialog. Të gjithë së bashku vendosëm që të shkojmë për të gjetur zgjidhje. Ama fakti që ata sot jo vetëm që nuk kanë zgjidhje, por janë edhe më keq se ç’ishin më përpara . Atëherë tha ai studenti, pse duhet të dialogojmë, kur ne vajtëm në 2014, dialoguam, na u tha “po pa merak se do të bëhet”, dhe jemi sot në 2018 me të njëjtën fjali, me të njëjtën strategji, me të njëjtën propagandë dhe përsëri kërkohet që të mashtrohen.

Kryeministri nuk mund ti mashtrojë dot studentët. Për këtë gjë duhet të jetë shumë i qartë. Edhe kur thotë për rastin e rritjes së përfaqësimit të studentëve, kur thotë që më thoni një vend në botë ku ka e pse duhet të ketë. Le të shkojë kryeministri të shohë pak universitetin autonom të Barcelonës, le të shohë se sa e kanë autonominë aty. Të mos rrijë e të merret me meme e më gjëra të tjera të këtij lloji dhe me histori e personazhe që nuk ekzistojnë. Por, ai duhet të merret me hallet dhe problemet e vërteta të studentëve për zgjidhjen e pikave të tyre. Ajo që ndodhi sot ishte një shfaqje e shëmtuar e një kryeministri psikik i cili kërkon të gënjejë studentët që janë të vendosur për zgjidhjen e 8 kërkesave të tyre. Por jo vetëm studentët por edhe familjarët e tyre. Janë këto familje të cilat e dinë shumë herë më mirë se kryeministri se çfarë hallesh kanë atje, çfarë kushtesh ka në ato konvikte, apo se si ju duhet të përballojnë jetën studentore të fëmijëve të tyre.

Kemi parë kryeministrin Rama i cili doli live nga një inspektim tek Inxhineria, por menjëherë ka ardhur reagimi i znj. Kryemadhi, e cila ka shkuar atje për të thënë se projekti ishte i qeverisë gjermane dhe jo i asaj shqiptare. Ç’të keqe ka që të restaurohen ambientet e konvikteve, qoftë kjo edhe kur bëhet nga qeveria gjermane?

Ne si LSI gjithmonë kemi folur për projektin e konvikteve, për rritjen e investimeve dhe për mundësimin e kushteve normale për studentët. Dhe duke parë kushtet mjerane në të cilën ndodhen këto godina, u deshën ditë të tëra në protestë nga studentët që kryeministri të kujtohej të shkonte të shihte nga afër se çfarë realisht ndodhte në ato konvikte se në ç’gjendje ishin ato. Ajo që znj. Kryemadhi tha ishte që Rama gënjeu kur tha se ishte projekt i qeverisë shqiptare rikonstruksioni i konvikteve, që kishte ardhur si pasojë e reflektimit dhe reagimit të qeverisë që ai drejton pas kërkesave të studentëve, kjo nuk është e vërtetë, sepse ky projekt ka qenë i qeverisë gjermane. E njëjta gjë ndodhi edhe tek Qyteti Studenti. Mjafton të shkojmë në hyrje të këtyre konvikteve dhe do të shohim një tabelë të madhe që shkruan qartë se kush e financon dhe e realizon projektin. Por, kryeministri ka strategjinë e tij, kur kërkon që të marrë gjërat e të tjerëve dhe ta shesë si punën e tij. Ne e kemi thënë që nuk do ta lëmë rehat, do ta ndjekim këmba – këmbës, do ta demaskojmë dhe do ia nxjerrim të gjitha gënjeshtrat në shesh.

Kur ju si LSI keni bashkë qeverisur me Partinë Socialiste, ju si Floidë keni qenë studente. Sa janë adresuar ankesat tuaja për cilësinë e arsimit në këtë kohë?

Ne vazhdimisht kemi ngritur zërin, jo vetëm kur kemi qenë në qeverisje, por edhe në opozitë për problemet e studentëve, për Maturën Shtetërore, për Kartën e Studentit, për tarifat e larta apo edhe për kushtet e mjerueshme në çdo fakultet, por edhe mbështetjen që duhet t’u japim stafit akademik dhe pedagogëve. Për këto parime LSI ka luftuar gjithmonë dhe i ka ngritur vazhdimisht për t’i realizuar. Kjo sepse duhet që LSI është partia e të rinjve dhe në fokus të veçantë të saj ka pikërisht të rinjtë, duke adresuar problemet e tyre. Për Maturën Shtetërore ne kemi këmbëngulur vazhdimisht edhe në kohën kur kemi qenë në qeverisje, duke u përpjekur maksimalisht për të adresuar në qeveri problemet që vinin nga ky sistem i Maturës, që ishte jo pak problematik për maturantët, të cilët nuk i çonte drejt në sistemi meritë – preferencë. Kemi dërguar disa rezoluta në Ministrinë e Arsimit dhe disa ndryshime të tjera konkrete, një pjesë e të cilave janë marrë parasysh, ndërsa një pjesë tjetër jo për shkak të mungesës së vullnetit të qeverisë për të dëgjuar zërin e të rinjve, por duke u fokusuar pikërisht tek ata pesë njerëz, të cilëve u ka vendosur çdo gjë në dispozicion.

Në turin e takimeve që keni zhvilluar këto ditë me strukturat, znj. Kryemadhi ka thënë që anëtarësia duhet të hedhë teserat e partisë dhe të bashkohet me studentët në protestën e tyre. Ndërkohë flitet se ka tendencë për përfshirjen e forumeve rinore në këto protesta për t’i përçarë ata. Çfarë mbështetjeje i keni ofruar ju si LSI, qoftë edhe logjistike, protestës së studentëve?

Unë e kam dëgjuar shumë shpesh teorinë e ekzistencës së forumeve rinore, që janë atje, çfarë bëjnë atje e kështu me radhë. Çdo i pranishëm në protestë ka qenë si i ri, ka qenë si student, ka qenë për problemin e tij me përfaqësues të vetëm dokumentin me 8 kërkesa të protokolluar në Ministrinë e Arsimit. Kështu që çdo i ri që ka qenë i LRI-së, i FRPD-së, shumë nga të FRESSH-it, shumë të rinj të tjerë që kanë qenë aty, pa diskutim që kanë të drejtën e tyre për të qenë në protestë si të rinj që ka probleme, që jetën studentore e kanë të papërballueshme. Që iu duhet  të bëjnë nga 2-3 punë për të përballuar tarifën e masterit apo bachelor-it. Që iu duhet të mos shkojnë në shkollë, jo se nuk duan, por i duhet të punojnë sepse ndryshe nuk kanë mundësi sesi të paguajnë shkollën. Apo se iu duhet të përballojnë dhe të ndajnë 5 tualete me 500 vajza të tjera, sepse kështu janë kushtet dhe askush nuk merr përgjegjësi. Por përgjegjësia e vetme që marrin është show dhe propaganda.

Kështu që çdo i ri që ka qenë aty ka qenë me vullnetin e tij, për kauzën e tij dhe për të luftuar për një gjë që është më e madhe sesa kjo që shohim ne. Për të luftuar që të ardhmen e vendit ta mbajmë në Shqipëri, për të punuar dhe luftuar këtu dhe ta bëjmë vendin tonë një vend më të mirë. Duhet të investojmë sot në arsim, për të pasur një arsim cilësor që nesër të kemi një Shqipëri edhe më të mirë, ku të rinjtë të mos ndihen të pashpresë, por ta shohin Shqipërinë si shtëpinë e tyre dhe të punojmë të gjithë bashkë për të ndryshuar këtë realitet të hidhur që sot po jetojmë. Në këtë realitet të pamundur ekonomik, të pamundur për të qëndruar me familjet tona dhe për të mbijetuar në Shqipëri. Dhe jo të shkojmë dhe të endemi rrugëve të Europës. Kështu që pa diskutim që çdo i ri ka shkuar atje përtej teserës së partisë. Teserën e partisë e kanë lënë në shtëpi dhe kanë shkuar atje për të luftuar për kauzat e tyre.

Ashtu siç janë bashkuar familjarët dhe prindërit e tyre, naftëtarët, fermerët e të gjithë shtresat e shoqërisë të cilët i bashkon një kauzë. I bashkon kauza për të ndryshuar sistemin që ka vendosur Edi Rama që është kundër qytetarëve dhe është pro një grushti njerëzish. Sepse këtë sistem ka ngritur Edi Rama, ka ngritur një sistem që i shërben 5 njerëzve dhe nuk i shërben njerëzve të thjeshtë. Ka ngritur sistemin ku antivlera shitet dhe prodhohet si vlerë dhe ku të rinjtë që vërtetë janë me vlera dhe talent, punojnë fort dhe iu duhet të mbajnë dhe familjet e tyre dhe të sakrifikojnë për të mbijetuar sado e vështirë të jetë jeta, këta trajtohen si kriminelë dhe jo si qytetarë të thjeshtë dhe të barabartë të vendit. Kështu që për të gjitha këto probleme dhe për këtë sistem të antivlerave që është propaganduar dhe ngritur nga kryeministri i vendit, pa diskutim që familjarët e tyre janë aty çdo ditë në kundërshtim të kësaj dhe në kundërshtim të pamundësisë ekonomike që kanë ata në familjet e tyre për të qëndruar dhe për të jetuar një jetë me mirëqenie në Shqipëri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here