Nga Prec Zogaj:
Dhjetori i dytë” e kanë pagëzuar studentët e universiteteve publike lëvizjen e tyre të protestës, që sot hyn në ditën e saj të gjashtë. Ajo prezantohet dhe vetëpropozohet kështu si pasuese dhe përngjasuese e lëvizjes së famshme studentore të Dhjetorit 1990 . Të dyja lëvizjet kanë të përbashkëta protagonizmin studentor me gjithë idealizmin, frymëzimin, vendosmërinë çiltërsinë dhe hijeshinë që përbën në çdo kohë vetë mosha dhe statusi i studentëve. Kanë edhe kërkesa konkrete që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të jetesës dhe rritjen e peshës së studentëve në vendimmarrjet e brendshme të universiteteve.
Këto të përbashkëta dhe të tjera të kësaj natyre nuk do të mjaftonin për të bashkërenditur në peshë dhe në vlerë dhjetorin e vitit 1990 me dhjetorin e vitit 2018. “Dhjetori i parë” do të ishte zhdukur me kohë nga kujtesa e vendit nëse do të qëndronte te kërkesat për përmirësimin e kushteve të jetës në qytetin “Studenti”. Ai ka hyrë e do të mbetet në histori sepse shtroi për herë të parë dhe çoi drejt fitores pas një periudhë dyzet e gjashtë vjeçare në diktaturë kërkesën për vendosjen e pluralizmit politik, që ndau epokën dhe ktheu Shqipërinë me fytyrë nga Perëndimi.
Mbyllje kudo! Mbyllje e garave politike brenda partive, mbyllje e garave për zgjedhjen e deputetëve, mbyllje e garave për të fituar vendin e punës në bazë të rezultateve dhe meritokracisë, mbyllje e garave për të fituar projektin e ndërtimit të një rruge, të një shkolle, spitali e deri një kanali, pa llogaritur copën e stërmadhe, Unazën e Re, që s’mund të jepej kurrsesi me garë! Mbyllje, mbyllje, mbyllje. Çdo gjë e paracaktuar, çdo fitues i paracaktuar. Ti heqësh demokracisë konkurrencën! Është njëlloj si t’i heqësh frymëmarrjen. Vetëm një idiot mund të priste e mund të presë zhvillim normal dhe mirëqenie dinjitoze për shumicën e familjeve në këto kushte.
Kërkesat e “Dhjetorit të dytë”, strikte studentore, e reflektojnë deri në inde këtë lëngatë. Studentët kanë fituar një kërkesë, heqjen e tarifës për provimet e përsëritura. Janë në rrugë për të fituar të tjerat. Nuk kanë pranuar interferenca politike, nuk kanë nxituar për të nxjerrë “liderë”, shtrohen çdo ditë anembanë vendit, i shpallin kërkesat dhe i thonë qeverisë “pranoji ose jo” pa u ulur në dialog. Është një protestë pa precedent, një zgjim i jashtëzakonshëm pas një akumulimi si të pazëshëm, që mban në zhvillimin e saj një “enigmë”: Enigmën e vazhdimit dhe destinacionit, të cilën e zbulon ditë për ditë nga pak me kërkesa të reja, gjithnjë të suazës studentore.
Që kjo protestë do të shkojë me tej, këta studentë e kanë bërë të qartë me pagëzimin “Dhjetori i dytë” që i kanë bërë lëvizjes së tyre. “Dhjetori i dytë” ka kuptim duke shkuar përtej tarifave, përtej kushteve, përtej konvikteve dhe auditorëve, përtej vetë reformës në arsimin e lartë, pra, duke i dhënë zë një problematike ektrastudentore, popullore pra, që do të shoqërohej natyrshëm me qëndrime dhe kërkesa politike. Vetë shtrati dhe vlimi i kësaj proteste, ku mezi presin të derdhen me thirrjen me të parë mijëra e mijëra shqiptarë në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, e përmban dhe e paralajmëron një zhvillim të tillë.
Është e drejtë që studentët të jenë të përqendruar te realizmi i kërkesave të shpallura. Ata duhen respektuar edhe për kaq. Por “enigma” sesi do të vazhdojnë e deri ku do të shkojnë, më shumë se një kërshëri, është një pritshmëri e madhe popullore. Meqenëse kjo protestë kaq e rrallë u shfaq si një bekim në shkretëtirën e topitjes, përshtatjes dhe nënshtrimit qytetar ndaj së keqes, pse të mos kërkojë zgjidhje bashkë me qytetarët për probleme konkrete dhe për çështje të mëdha mbarëshoqërore? Kjo është pritshmëria. Administrata në qendër dhe në rrethe është plot me “zyrtarë” me diploma të fabrikuara. Injoranca nuk jep shpresë, vetëm vret. A do të rivendoset në piedestal diploma reale? Kemi infomalitetin me të lartë në rajon. Pse duhet ta kemi? Kemi kostot më të larta të ndërtimit për rrugë dhe vepra të së njëjtës kategori. Pse duhet t’i kemi? Korrupsioni është klasifikuar nga partnerët tanë amerikanë në shkallën “i shfrenuar”. Këtu janë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Janë këtu, janë edhe te tallavaja e sa e sa institucioneve të kushtueshme ineficiente që ekzistojnë për të kopsitur me letra e fjalime apo për t’i bërë fresk, duke marrë pjesën, gjithë këtij shpërdorimi.
Çështjet s’kanë të numëruar. “Dhjetori i dytë” ngjan se është nisur si një lumë i pastër nëpër kënetën e tranzicionit të zgjatur. Diçka ka në mendje. Diçka më të madhe se kërkesat e derisotme. Si për të vërtetuar postulatin e njohur, sipas të cilit demokracia i krijon vetë mjetet e vetëmbrojtjes. “Dhjetori i parë” hyri në histori me pikën e pluralizmit politik që pat ardhur e pat zënë vend si një meteor në listën e kërkesave të studentëve të atëhershëm për drita, dushe apo ngrohje. Kështu fillon. Me dritat atëherë. Me tarifën e provimit të përsëritur sot. Koha ecën. Pika e pluralizmit të “Dhjetorit të parë” mund të ketë si ekuivalente te “Dhjetori i dytë” një pikë që vendos në shënjestër antikorrupsionin në sistem, rikthimin në pluralizmin e vërtetë nëpërmjet shëndoshjes së sistemit politik. “Dhjetori i dytë” i studentëve në një anë, Reforma në Drejtësi në anë tjetër. Në një gjatësi vale.