Perspektiva e zymtë/ Investimet në pikiatë, bizneset nuk marrin më hua nga bankat

0
164

Bizneset nuk po tregohen aktive për të investuar apo edhe për të pasur likuiditete të tepërta gjatë ushtrimit të aktivitetit të përditshmë. Banka e Shqipërisë ka konstatuar në vrojtimin e fundit të Aktivitetit Kreditues se gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, të gjitha llojet e bizneseve janë paraqitur të tërhequra nga huatë. Një sjellje që dëshmon për një situatë aspak të mirë jo vetëm të sektorit, ku ato ushtrojnë aktivitet, por edhe të ekonomisë në tërësi. “Kërkesa për kredi u raportua më e ulët nga një tremujor më parë, si ajo e bizneseve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe kërkesa e bizneseve të mëdha. Edhe në prizmin e qëllimit të përdorimit të kredisë, kërkesa rezultoi më e ulët, si për kreditë për investime, ashtu dhe për likuiditete”, theksohet në vrojtimin e BSH-së.

Sistemi bankar pret që situata të ndryshojë në tremujorin e fundit të vitit. Bankat parashikojnë rritje të kërkesës për kredi nga të gjitha llojet e bizneseve. “Në tremujorin e fundit të vitit, bankat presin kërkesë të gjallëruar në të gjitha kategoritë e biznesit. Kërkesa më e lartë nga ana e bizneseve në tremujorin e katërt të vitit 2018, pritet të shfaqet si për kredinë me qëllim investimi, ashtu edhe për atë me natyrë likuiditeti”, theksohet në raport.

Banka e Shqipërisë evidenton se faktorët e perceptuar nga ana e bankave si përcaktues të kërkesës më të ulët për kredi ishin: nevoja më e ulët për financimin e investimeve fikse, si edhe inventarëve e kapitalit qarkullues; financimi me burimet e brendshme të vetë biznesit; besimi i biznesit; si dhe situata ekonomike dhe perspektiva e saj. Niveli i përgjithshëm i normave të interesit, si edhe nevojat për rifinancimin e borxhit ishin dy faktorët e perceptuar si nxitës të kërkesës për kredi nga ana e bizneseve.

Por nuk mund të përjashtohet fakti që politikat fiskale të qeverisë kanë dekujaruar shumë biznese, të cilat, në vend që të ndjekin rrugën e zhvillimit, madje, mbyllin fare aktivitetin e tyre. Një një rast tipik: Kjo vjeshtë ka qenë një verë e dytë për bizneset e turizmit në të gjithë vendin për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve, por bujtinat në veri të vendit në zonën e Valbonës kanë vënë drynin. Vizitorë ka ende, por fluksi i lartë tashmë ka kaluar ndaj llogaritë nuk dalin pas përfshirjes në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Nga dhjetëra bujtina dhe hotelet në zonë aktualisht janë të hapura vetëm katër prej tyre që kanë kapacitet të lartë akomodimi.  Disa nga administratorët e bujtinave të mbyllura thanë se nuk hapen para prillit-majit 2019, duke shpjeguar se do të konservojnë në status pasiv aktivitetin. “Tani vizitorët janë më të rrallë dhe kryesisht fundjavave, ndaj bujtina ku punoj u mbyll për të evituar pagesat e energjisë, pagave të punonjësve dhe taksave të tjera” tha Astrit Selimaj banor i zonës i punësuar në një nga restorantet e Valbonës. Ai tha se përfshirja në TVSh dhe aksioni i tatimeve për kuponin tatimor ku u vendosen disa gjoba këtë vit i ka bërë bizneset me racionale në zgjedhjet e tyre. Për momentin zgjidhja më e mirë është mbyllja për 6 muaj. Si rezultat i kësaj gjendje dje turistët nga Tirana e kanë pasur të pamundur të rezervojnë, pasi shumica e bujtinave janë mbyllur edhe pse koha për udhëtime është mjaft e favorshme.

 

Më herët në verë të këtij viti në kulmin e sezonit turistik, shumë bujtina janë penalizuar nga inspektorët tatimore me shumë se sa për taksat për disa rregulla që kanë të bëjnë me mjedisin dhe shërbimet mjekësore ndaj klientëve. Një nga bujtinat mori gjobë se nuk kishte një kontrate me mjek, ndërkohë që numri i turistëve dhe punonjësve ishte shumë i ulët se kërkesat që ka ligji.

Këto biznese e ushtrojnë aktivitetin në skajin më verior të vendit në një terren që krijon kosto për aktivitetin e tyre. Largësia me institucionet e shtrembëron zbatimin e ligjit, ndoshta më shumë se kudo tjetër. Një nga hotelet është gjobitur për moslëshim kuponi, ndërkohë që në zonë nuk ka pasur furnizimin me energji për më shumë se 12 orë. Larg gjykatave dhe pamundësive për të kërkuar drejtësi, ata kanë zgjedhur t’i vënë drynin aktivitetit deri në pranverë. Vite e tjera bujtinat ishin të hapura gjatë gjithë kohës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here