Ekonomia reale nuk është si në përrallën e Borëbardhës. Rilindja në sherr me veten…

0
156

Rriten parat e shqiptarve te shpenzuara ne kumar. Rilindja prej kohësh është në sherr me veten. Pasqyra ku ajo, herë pas here shikohet, nuk po i shfaq atë profil politik që dikur i dukej i bukur. Shëmbëlltyra përballë po i tregon se nën trukun e një qeverisje të grimuar si e drejtë ka plot vraga me gabime e deformime. Kjo e acaron dhe e çon në shpërthime që e fusin në të tjera hulli, ca të gabuara e ca të dyshimta.
Kështu ndodhi kur solli propozimin për Paketën Fiskale me disa korrigjime anemike për gabimet që kishte bërë më parë. Kështu ndodhi së fundmi edhe me biznesin e lojërave të fatit dhe basteve sportive. Që në opozitë, Rilindja shpalli se do të kufizonte me dorë të hekurt këtë aktivitet. Por, që prej mandatit të parë, numri i pikave të basteve u qindra fishua. Paratë e shpenzuara nga shqiptarët në kumar u rritën gjithashtu. Gropa informale në buxhet luhatej mes 120 milionëve të deklaruara nga Tatimet dhe rreth 700 milionë eurove të deklaruar së fundmi nga kryeministri.
Në pah dolën fakte se krimi i rrugës ishte zot i një pjese të mirë të këtij biznesi. Por asnjëherë deri në ditën kur u mor vendimi për mbylljen, qeveria nuk pa se gjërat po shkonin keq. Përkundrazi, ajo bëri më të bukur imazhin që shikonte në pasqyrë kur, jo më larg se një muaj, vendosi që këtij biznesi t’i ulte dhe më shumë taksat. Ky vendim ishte me nonsens të theksuar ekonomik, pasi në çdo vend të botës, taksat e kumarit rriten si për ta frenuar aktivitetin, ashtu edhe për të gjetur një mënyrë që qeveritë të përmes shpenzimeve publike të dëmshpërblejnë qytetarët për paratë e humbura në lojëra.
Vendimi kërciste, edhe sepse në vend që qeveria të stimulonte hapjen e vendeve të punës përmes uljes së taksës mbi punën, në fakt lehtësoi argëtimin përmes kumarit. Kur uli taksat për kumarin qeveria u duk se atakoi edhe profilin e saj politik, që u mundua të krijonte kur me hov revolucionar iu tregoi shqiptarëve se do t’i jepte fund kësaj marrëzie që në fillim të mandatit të saj të parë. Kjo dashamirësi krijoi bindjen e thellë se biznesi i lojërave të fatit, jo vetëm që nuk do të mbyllej, por do të lulëzonte dhe do të majmej edhe më shumë financiarisht.

Mirëpo ekonomia reale nuk është si në përrallën e Borëbardhës, ku fundi i lumtur është i paracaktuar me detyrim. E meqë qeverisë nuk i pëlqente më ajo që shikonte në pasqyrë, kërkoi të shikojë një tjetër shëmbëlltyrë, atë të shpëtimtarit të shqiptarëve duke shpallur se do të mbyllë biznesin e kumarit. Ai mund të ketë një bazë shqetësimi të madh, të cilën vetë kjo qeveri e krijoi, por për sa kohë ai është arbitrar dhe i vonuar dhe madje i dyshimtë, mbetet një vendim me kosto të lartë.
Vendimi ekstrem për mbylljen e lojërave të fatit, por befasisht i kundërt me çdo vendim tjetër favorizues më parë ndaj kumarit, ricikloi një precedent të rrezikshëm që nuk prek vetëm bastet, por gjithë sipërmarrjen private në çdo sektorë të ekonomisë.
Për sa kohë biznesi i lojërave të fatit dhe basteve ishte i ligjshëm, ai duhet trajtuar si të gjithë bizneset e tjera, pa mohuar kushtëzimet e rregullat e sektorit. Pa rrëshqitur në këtë vendim arbitrar, qeveria kishte gjithë mundësitë që ta organizonte këtë lloj aktiviteti , sipas të gjitha modeleve më të mira që ka sot bota.
Nga ana tjetër, vetë qeverisë iu desh disa vite që të ndërhynte për të rivendosur kontrollin. Por biznesi, a nuk ka të drejtë që dhe ai të ketë kohën e vet për t’ju përshtatur ndryshimeve? A është investuar te këto biznese dhe tani me një të rënë të lapsit që Rilindja e kishte humbur prej kohësh, duhet që këto para të humbasin dhe jo të investoheshin gjetkë, nëse qeveria nuk do ta kishte lejuar.
Çdo qeverisje e mirë në çdo vend të përparuar të botës nuk do të kishte marrë vendime arbitrare, qoftë edhe për kumarin, pasi kanë respekt për paratë e investuara.
Por sikur nesër një tjetër biznes, koncesion, industri riciklimi, një ndërtim nuk do t’i pëlqejë qeverisë, çfarë do të bëjë ajo? Do ta mbyllë, do ta sekuestrojë, do ta shtetëzojë? Xhanëm të tilla terma i kemi dëgjuar shpesh.
Nga ky parashtrim i gjatë që i bëmë sjelljes së politikës që ka mbajtur qeveria ndaj biznesit të lojërave të fatit, mund të kuptohet qartë se ka shumë kërcitje nga një ekstrem në tjetrin. E vetmja mënyrë që i bën bashkë këto ekstreme për të krijuar një profil të vetëm, mbetet qëllimi i mbrapshtë i projektuar që në fillim. Fakti që edhe drafti i propozuar për kufizimin e lojërave të fatit dhe mbylljen e basteve sportive, përveç një kompanie që operon online të bën të dyshosh, se qeveria ka mbetur e njëjtë, por ka ndryshuar vetëm pasqyra ku ajo kërkon të shihet dhe ëndërron këtë ta besojnë edhe shqiptarët. Sepse ndryshime diametralisht të kundërta, brenda një nate, nuk ka. Kjo ndodh vetëm në përralla.( RD) “Monitor”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here