Kandidat i opozitës përballë Veliajt për Tiranën? Shehi: Ju rrëfej se…

0
552

Intervista për “Standard”

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ditën e djeshme u prononcua për “Standard” lidhur me zhvillimet më të fundit politike në vend. Synimi për të ditur rolin e partive të vogla brenda opozitës në platformat e hartuara së fundmi, diferencimet e mundshme, idetë dhe propozimet që këta të fundit kanë, dhe nëse iu janë marrë parasysh apo jo. Vështrimi më tej i partive të vogla, më të distancuara, nën “çatinë” e madhe opozitare, është ajo që sjell edhe dirtëhijet e të gjita zhvillimeve të fundit. Kreu i LZHK-së, Shehi, ishte ai i cili pohoi se pavarësisht diferencimeve që iu bëhet këtyre të fundit, sërish janë të gatshëm të jenë në frontin opozitar, për vetë faktin se qëllimi është i përbashkët, çlirimin e parlamentit dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira e të pavarura, nga ku buron edhe liria e të gjitha institucioneve të shtetit. Më tej i pyetur nga gazeta jonë se cilin sistem elektoral mbështet partia e tij, Shehi nuk ngurroi të kthehej pas në kohë, për t’u ndalur tek sistemi proporcional, si e drejtë e qytetarëve shqiptrë që të mos votojnë më ngjyrën e flamurit partiak por të kenë të drejtën të zgjedhin direkt politikanin. Ky sistem elektoral, zbut ndër të tjera edhe rolin e kryetarëve të partive, të cilët prej 10 vitesh janë aata që zgjedhin kë të votojnë qytetarët, duke i kushtëzuar me lista. Nëse do të hyjë opozita në zgjedhje apo jo, kreu i LZHK-së, tha se duhet në fillim të merren parasysh dhe të hidhen në zbatim e të kthehen në ligj propozimet  tyre, e më pas pjesëmarrja është padyshim. E ndërsa më tej shtoi se është i bindur për një fitore nëse hyjnë në zgjedhje pasi qytetetarët tashmë janë të zhgënjyer nga qeveria. Në fund të intervistës, duke u bazuar në shumë lajme se Dashamir Shehi është një kandidat i mundshëm i opozitës për Bashkinë Tiranë, ky i fundit, i pyetur për këtë çështje, megjithëse e mohoi në fillim, më vonë theksoi se kandidatura e tij është një dëshirë e qytetarëve të Tiranës që shprehet në çdo elektorat, gjersa në fund tha se nuk përjashtohet si mundësi, por që tani për tani, prioritet janë të tjera çështje. Paralajmërimi për protesta  madhështore ishte një tjetër gjë e paralajmëruar nga kreu i LZHK-së.

 

Opozita ka paraqitur platformën e radhës, atë të dekriminalizimit të zgjedhjeve. Cili është qëndrimi dhe roli i partisë suaj në këtë plaformë?

 

Brenda një opozite, nuk mund të ketë qëndrime specifikisht partiake, por është trajtuar si një bllok. Është synuar që propozimi të dalë si një bllok i përbashkët, përtej asaj që mund ta propozonte edhe vetëm PD, pasi padyshim është grupi më i madh politik në opozitë. Ka diferenca lidhur me atë çfarë është nisur, por megjithatë ne e konsiderojmë çështje të përbashkët dhe do të mundohemi që qëndrimet të jenë të përbashkëta, dhe në njëfarë mënyre edhe diferencat që ekzistojnë, të shuhen, ose të bëhen të pakuptueshme. Presupozohet që edhe LZHK-ja të ketë të njëjtat qëndrime me ato që tha z. Basha dje. Kjo është një tezë e përbashkët politike me shpresën që do të shtyjë përpara një proces i cili ka në themel dekriminalizimin e politikës  shqiptare dhe një nga këta është dekriminalizimi i zgjedhjeve.

 

Nisur nga këto propozime dhe platforma, a mendoni ju se opozita është drejt një rruge “suksesi”?

 

Opozita në këtë vjeshtë ka hyrë me një marsh të ri. Ne do të vazhdojmë të denoncojmë krimet, shkeljen, abuzimet, kjo është një ndër detyrat bazë të opozitës. Siç kemi bërë me rastin e drogës, rastin e ish-ministrit Tahiri, apo edhe me rastet më të fundit, djali i deputetit të PS-së, Xhisiela. E reja e kësaj vjeshte, përveç denoncimeve që do të bëjmë, do të jetë edhe ofrimi një alternative, qytetarëve, një shanc dhe një bazë mbi të cilën mund të mbështeten që ata të shikojnë tek ne se mund të bëjmë diçka ndryshe nga qeverisja e sotme, sepse deri dje në fakt, jemi konsideruar të cunguar, sepse përtej kontestimit dhe denoncimit, nuk kishte një platformë. Tani jemi me platforma në katër fushat më të rëndësishme, ekonomia, u të gjithë besoj janë të vetëdijshëm apo të informuar lidhur me ligjet e propozuara antikorrupsion. Paketa e zgjedhjeve, 2 javë më përpara në Vlorë folëm për reformën në drejtësi dhe që në fillim, jemi marrë me çështjen e drejtësisë. Këto katër çështje janë një shans apo një shpresë që edhe në këtë vend, punët mund të ndryshojnë. Dy ditë më parë u prezantua platforma për çlirimin e zgjedhjeve, e funit për nga renditja por e para për nga rëndësia, sepse në fund, po ta kthejmë mbrapsht propozimin tonë politik, në kuadrin e shtratimit të një politike të re, kjo do të jetë e para. Më tej pastaj do të vazhdohet edhe m,e ndryshimin e sistemit, me teknikat zgjedhore, kemi  një sërë problemesh, por ama produkti zgjedhor  kondicionohet nga fryma me të cilën futemi në zgjedhje, nëse përfaqësohemi nga djali i deputetit Rraja, i cili kërcënon publikisht, dhe politikisht kreun e opozitës, Lulzim Basha, kjo tregon deri në ku ka degjeneruar sistemi. Kjo nuk është një sëmundje që e shërojnë serumet e vogla, por një sëmundje që kërkon kirurgji totale. Ky ëstë çelësi i propozimit. Do të dëgjojmë shumë shpejt edhe propozimet e PS-së, sigurisht që platforma që paraqiti Basha dje, është një platformë në të cilën ka akoma për të shtuar, pra është një dokument i hapur mbi të cilin mund të punohet.

 

  1. Shehu, meqenëse jemi tek zgjedhjet, cilin sistem zgjedhor mbështet partia juaj?

 

Përtej kësaj që thamë, pasi kjo është A-ja e zgjedhjeve, dekriminalizimi i Sistemit Zgjedhor. Duhet njëherë të marrë rrugën e zbatimit dekriminalizimi i zgjedhjeve, ndërsa sa i takon sistemit, z. Basha paralajmëroi disa strategji, si të kemi vetëm 100 deputetë, të bëhet me senat, janë strategji relativisht të largëta, dhe shumë të vështira për t’u bërë pasikërkojnë ndryshime kushtetues, dhe një sistem të ri Kushtetues në Shqipëri. Ndërsa propozimet tona, dhurojnë brenda sistemit aktual kushtetues. Unë kam qenë gjithmonë dhe i mbetem deri në fund që qytetarët shqiptarë, brenda sistemit zgjedhor ta kenë të paktën një element maxhroitar. Për dhjetë vjet me radhe, shqiptarët praktikisht kanë votuar listat e kryetarëve të partisë, pra ngjyrën e flamurit partia. Unë mendoj që votuesit kanë të drejtë t’i ofrohet diçka më shumë nga ligji dhe politika, që do të thotë, të kalojë përtej ngjyrës së flamurit partiak, të kalojë përtej listës së kryetarëve dhe të shkojë tek përzgjedhja edhe e individit. Për të arritur këtë duhet një element maxhoritar, që do të thotë ose lista maxhoritare të cilat mund të korrektohen me proporcional, siç ka qenë njëherë e një kohë, sigurisht variantet ndryshojnë, ose lista të hapura. Kjo do ta moralizonte politikën, do të krijonte edhe një elitë  që i ka munguar politikës, por edhe partive në vetvete, pasi numri i votave, me sistemin që unë jam, do të përcaktonte në mënyrë më popullore dhe më objektive, peshën elektorale dhe politike të çdo individi, dhe jo më kryetari i partisë i cili përcakton hierarkinë partiake. Gjykoj dhe ky është një premtim që Basha ia ka bërë elektoratit të vet, shpresoj dhe besoj që do ta respektojë. Nga ana ime do të shtoja edhe një tjetër pjesë që e konsideroj shumë të rëndësishme, që sistem,i aktual elektoral, të dalë nga sistemi rajonal dhe të bëhet kombëtar, qoftë me formulën e korrektimit, por edhe me një element të përbashkët, që sistemi proporcional të jetë bashkë. Pse? Të eleminojmë  në një vend i vogël si i joni diferencat e mëdhaja nga një sistem elektoral diferencues, siç është Tirana nga një  krah dhe Gjirokastra apo Kukësi nga ana tjetër, kërkohet që në njëfarë mënyre të bëhet centralizimi politik. Shqipëria ka goxha ndarje për hir të historisë, kemi jug, veri, fe të ndryshme, mendoj që ai sistem zgjedhor që tenton unifikimin  platformave politike, do të ishte shumë më i mirë sesa këto lloj tentativash që mund të çojnë në të ardhmen në një situatë centrifugale, nga pushteti qendror, dhe të përfundojmë në rajonale, të cilat i bëjnë dëm Shqipërisë. Këto dy teza mendoj se duhet përdorur, Ideja e sistemit maxhoritar dhe ideja e unifikimit të votës politike, kjo është e bërë e lehtë me ndarjen e re administrative, kështu që ska  më nevojë për ndarje të tjera, tashmë politika duhet të jetë e bashkuar. Këto janë idetë e mija të propozuara me kohë dhe të mbrojtura me fanatizëm, dhe shpresoj që pas përfundimit të procesit të dekriminalizimit të zgjedhjeve, që mbetet në thelb shumë më i rëndësishëm, të merret me seriozitet edhe sistemi zgjedhor.

 

Sipas jush sa është mundësia që opozita të hyjë në zgjedhjet vendore dhe sa është mundësia që t’i fitojë ato?

 

Të flasim për shance një vit përpara zgjedhjeve është disi e nxituar, megjithëse unë shpresoj dhe besoj shumë. Që të hyjmë në zgjedhje çfarë duhet? Duhet që një pjesë e këtyre propozimeve të merret në konsideratë, të bëhen ligje, të faktorizohen politikisht, të njihen ndryshimet brenda sistemit të drejtësisë, ato që opozita ka propozuar. E dyta dekriminalizimi zgjedhor, e treta largimi i duarve të oligarkisë nga procesi politik. Me t’u krijuar kjo klimë, sigurisht që ne hyjmë në zgjedhje, pasi mbi të gjitha ne jemi forca më e vjetër e djathtë shqiptare, të lëvizjes së dhjetorit. Gjykojmë që një pjesë e këtyre propozimeve, bashkë me ndikimin e autoriteteve ndërkombëtare, ditën që do të hyjmë në zgjedhje e në Parlement, unë gjykoj që opozita ka shanset më të mëdhaja, jo sepse kemi ndonjë shkëlqim, pasi edhe ne kemi defektet tona, por zullumi qeveritar është bërë aq i keq, saqë në një mënyrë qytetarët do të reagojnë.

 

Z.Shehi, së fundmi është përfolur shumë për kandidatët e opozitës për Tiranën, ku një ndër to, jo pak i përfolur është emri juaj. A është i vërtetë një lajm i tillë, dhe a do të ishit ju i gatshëm për një përballje em Erion Veliajn, pasi me shumë gjasa do të jetë ai emri i PS për Tiranën?

 

Kjo është dëshirë e shumë qytetarëve, e hershme, që sa herë bëhen zgjedhje në Tiranë, unë përflitem. Do ta gjykojmë kur të vijë dita e propozimit. Gjykoj që kemi këto detyra përpara, dekriminalizimi i zgjedhjeve, çlirimin e politikës dhe parlamentit, pasi të mbarojmë këto detyra, që do jenë të qarta deri në fund të këtij viti, pra nuk do të ketë më shumë pritje, pastaj kandidaturat, aleancat nëpër qytete të ndryshme, kemi kohë të mjaftueshme për të gjykuar. Pavarësisht se Tirana është kryeqyteti, do të gjykohet seriozisht, politikisht, përmes sondazheve. Unë mendoj se opozita shqiptare ka shumë njerëz shumë më të mirë se sa unë, më të rinj, dhe ky është një faktor. Nuk përjashtoj asgjë, por sot për sot nuk është diskutuar, as është në prioritetet tona. Prioritetet tona janë të lartpërmendurat. Mbaruar këto detyra që janë shumë të mëdhaja, të cilat do të bëhen me një betejë me këtë mazhorancë, e cila mund të dalë edhe jashtë institucioneve dhe të pushtojë rrugët e piazzat e Shqipërisë. Tezat akoma nuk janë sqaruar. Më duket një ushqim politik sesa një realitet konkret propozimi me emra, pasi kanë shumë njerëz që duan të dalin nga këto.

 

Po paralajmëroni protesta?

 

Nëse nuk pranohen këto propozime, atëherë do të shkohet drejt protestave. Atmosfera është e qartë.

 

Kjo nuk është sëmundje që e shërojnë serumet e vogla, por një sëmundje që kërkon kirurgji totale

Ideja e sistemit maxhoritar dhe ideja e unifikimit të votës politike, janë idetë e mija të propozuara me kohë dhe të mbrojtura me fanatizëm, dhe shpresoj që pas përfundimit të procesit të dekriminalizimit të zgjedhjeve, që mbetet në thelb shumë më i rëndësishëm, të merret me seriozitet edhe sistemi zgjedhor.

 

Intervistoi: Aida Topalli

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here