Qeveria e re italiane bllokon projektin e gazsjellësit TAP

0
326

“TAP është një projekt i padobishëm dhe ne do ta rishikojmë atë”, ka deklaruar së fundmi Sergio Costa, ministri i ri i Mjedisit, i cili sapo ka marrë detyrën e re. Sergio Costa vjen nga radhët e 5 Yjeve. Kështu, qeveria e re italiane, e lindur nga bashkëpunimi mes dy partive populiste, “Lega” – “Lëvizja 5 Yjet”, duket se nuk do që të humbasë kohë. Paçka se, projekti i gazsjellësit në Itali do të jetë vetëm 8 kilometra i gjatë, polemikat kanë qenë të shumta gjatë këtyre dy viteve. Çështja ka shkuar deri në gjykata, ndërkohë që këto kanë vendosur në favor të konsorciumit.

Kritikët kanë kundërshtuar projektin për arsye ambientale. Por, gjithsesi, ministri i ri i Mjedisit në Itali e justifikoi vendimin për të rishikuar projektin me faktin se Italia ka prodhim dhe import të mjaftueshëm të gazit dhe për këtë arsye nuk i duhet një gazsjellës tjetër. “Rishikimi i TAP-it është përfshirë edhe në programin qeverisës mes dy partive”, tha ministri. TAP shihet si një projekt strategjik nga Bashkimi Europian, por edhe nga Shtetet e Bashkuara, pasi pritet që të ulë vartësinë e Europës nga gazi rus.

 

Vendimi i qeverisë së re italiane pritet të shkaktojë reagime të shumta nga Brukseli, ndërkohë që mund të interpretohet edhe si një lëvizje në favor të Moskës zyrtare nga Roma. Por, edhe në rast se qeveria e re italiane do të marrë vendimin drastik për të anuluar marrëveshjen me TAP, Shqipëria nuk do të dëmtohet, përkundrazi. Përjashtimi i Italisë do t`i linte të gjithë peshën Shqipërisë dhe gazsjellësi Adriatik-Jonian do të merrte një rëndësi strategjike për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kjo shuplakë përfundimtare vjen pas goditjes që ka marrë nga Prokuroria e zonës jugore të Leçes në Itali, e cila sekuestroi kantierin e ndërtimit të gazsjellësit TransAdriatic Pipeline (TAP) përtej Adriatiku dhe një goditjeje tjetër nga një drejtim tjetër, por shumë më autoritar. Ka qenë vetë Parlamenti Evropian, i cili është shprehur gjatë ditëve të javës së kaluar se ky investim nuk duhej të ishte bërë. Parlamenti Evropian ka shprehur zyrtarisht shqetësimin lidhur me atë se pse Banka Evropiane e Investimeve (BEI) ka financuar një projekt të tillë, të cililn ai e cilëson si shkelës të normave të vendeve të BE, por edhe të Shqipërisë. Parlamenti ka deklaruar shprehimisht se “shpreh shqetësim për financimin nga ana e BEI-t të projektit TAP, në një kohë kur gazsjellësi në ndërtim nuk respekton në mënyra të ndryshme në vendet ku ai kalon (Greqi, Shqipëri dhe Itali) normat minimale mjedisore dhe shoqërore”. Kjo thuhet në relazionin e përvitshëm lidhur me kontrollin e veprimtarive financiare të Bankës Evropiane të Investimeve, që është hartuar nga partia Lëvizja 5 Yjet dhe që është miratuar nga vetë Parlamenti Evropian, i mbledhur në seancë plenare në Bruksel.

Në relacion shprehet një dënim i prerë ndaj TAP-it, “që konsiderohet si i papërshtatshëm për një financim nga ana e Bankës Evropiane të Investimeve. Një projekt ky, thekson Parlamenti Evropian, “nuk duhej të ishte marrë në konsideratë për financime nga asnjera nga bankat që aspiron të kryejë investime të përgjegjshme nga pikëpamja sociale dhe mjedisore”. Në relacion, në vija të përgjithshme, nënvizohet domosdoshmëria për BEI-n që të mbështetë veprimtari financiare të pranueshme, duke synuar më së shumti tek ndërmarrjet e mesme e të vogla. “Më këtë akt, kërkojmë burime më të shumta për ndërmarrjet e mesme e të vogla, më shumë transparencë mbi tenderat dhe një vëmendje më të madhe mjedisore dhe shoqërore për projektet e financuara – u shpreh Marco Valli, eurodeputet italian i partisë 5 Yjet dhe autor i relacionit që u miratua në Parlament – Ndër të tjera, relacioni kritikon drejtpërsëdrejti huanë që është dhënë për gazsjellësin TransAdriatic Pipeline (TAP), projekt ky, që nuk duhej të financohej aspak, sidomos nga një bankë që përdor fonde publike. Shpresojmë që Banka Evropiane e Investimeve të ndjekë më vëmendje atë çka vendosi Parlamenti”.

Kënaqësi ka shprehur, nga ana e saj, edhe eurodeputetja tjetër nga Puglia Rosa d’Amato, sërish e 5 Yjeve: “Prej kohësh i kërkoj Bankës Evropiane të Investimeve të rishikojë zgjedhjet e saj në fushën e financimit për industrinë e hidrokarbureve e qymyreve dhe në veçanti financimet ndaj TAP-it. Por banka deri tani ka ngulur këmbë që ta financojë gazsjellësin, duke u maskuar pas nevojës për furnizimin me gaz natyror, por ky i fundit sigurisht nuk është një burim i rinovueshëm energjie, pa folur pastaj për problematikat sociale, ekonomike dhe mjedisore që krijon, si dhe pa u shqetësuar fare për rreziqet potenciale për popullsinë lokale”.

Kjo goditje erdhi pasi prokurori i Leçes urdhëroi sekuestrimin e kantierit të TAP për shkak se ka abuzuar, duke shkelur ligjet që rregullojnë sektorin mjedisor në Itali. Bllokimi është bërë për arsye se TAP ka arritur të përfitojë një leje mjedisore nga qeveria italiane për punime në një terren prej 60 hektarësh në Melendugno të Lecce-s, duke mos respektuar disa ndalime që ekzistonin në kryerjen e punimeve. Clara Risso, përfaqësuese ligjore e TAP-it, është nën hetim për punime të kryera pa autorizim, shkatërrim dhe shëmtimin e pasurive natyrore, shkatërrimin apo dëmtimin e pemëve drufrutorë dhe ndërtimin pa leje në zona, në të cilat është në fuqi kufizimi për ndërtimet.

Akti i sekuestrimit mban firmën e kryeprokurorit Leonardo Leone De Castris dhe prokurores Valeria Farina Valaori. Bllokimiu krye pas një denoncimi të paraqitur të martën nga tre deputetë të Lëvizjes 5 Yjet, Diego De Lorenzis, Daniela Donno dhe Leonardo Donno, pas vizitës në terren të hënën. Po atë ditë, prokurori publik autorizoi një inspektim të karabinierëve dhe sekuestrimin e dokumenteve. Çështja ka të bëjë me dëmtimin e një peisazhi mesdhetar, burim të ardhurash nga turizmi, të lejuar nga Ministria për Zhvillim Ekonomik, e cila më 14 mars miratoi kërkesën e paraqitur nga kompania për të hequr ullinj shekullorë nga rrënjët dhe për t’i mbjellë ata në vende të tjera, por në një sezon kur pemët dëmtohen nga një ndryshim i vendit të mbjelljeve.

Jo vetëm që kompania i ka spostuar ullinjtë në kohën e gabuar, çka rrezikon që ata të thahen përfundimisht, por, nga ana tjetër, nuk ka respektuar as rregullat e tjera fito-biologjike, sipas të cilave, kur pemët e rritura nxirren nga toka, ato duhet të shoqërohen me shumë dhe nga zona e mbjelljes, ndërkohë që punimet e TAP-it duket se u kanë lënë atyre vetëm rrënjët e zhveshura. Sipas dokumentit të kryeprokurorit të Leçes, duket se në rrezik janë 448 pemë ulliri, që largohen për t’u hapur vend punimeve për ndërtimin e mikro-tunelit të tubacionit në tokë. Konfiskimi u krye nga karabinierët e Leçes.

Për një kohë të gjatë, kompania e gazsjellësit TAP ka fituar betejat me ambjentalistët dhe pushtetin lokal në zonën e Puljes, duke vijuar me projektin. Ndërkohë, gjithë zona e Salentos herë pas here ka organizuar protesta, shpesh të dhunshme, për t’i thënë jo gazsjellësit TAP që parashikohet të lidhë Shqipërinë me Italinë dhe që do të dalë në brigjet e San Foca-s. Qytetarë, anëtarë të shoqërisë civile, eksperte, zyrtarë të Komunës, janë bërë të gjithë bashkë dakord për një “kundër raport”, që thekson të këqijat e këtij projekti. Ata u kanë bërë një apel edhe parlamentarëve të Puglias, të cilëve u kanë kërkuar të “dëgjojnë zërin e tokës”. Pjesmëmarrësit në këtë takim të thirrur nga Qytetarët Aktivë dhe Transparencën e Rajonit të Puglias, kanë theksuar në një letër se, “popullsia ka dhënë edhe një herë fjalën e saj kundër projektit TAP, (gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline), duke demonstruar edhe faktin se, nuk është një vepër strategjike, por që shkatërron ambientin dhe ekonominë e zonës”. Në letër theksohet se turizmi, peshqit, pasuri nënujore dhe kultura e territorit janë jashtëzakonisht nën rrezik për shkak të gazsjellësit, që nga Shqipëri shkon në Itali.  Qytetarët, komitetet, shoqatata, administrata komunale dhe ekspertët në Puglia janë kundër këtij projekti.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here