Vdekja në komisariatin e Korçës, profesori: Shkoi nën dhe, atje policia është..

0
767

Nga Përparim Kabo

Ai lindi në vitin 1991 ose në vitin 1 të erës së re, erës demokratike. Kur ishte fëmijë për të shkuar në shkollë ai pa vitin tjetër të tmerrshëm. Vitin ’97! Vitin që pasuroi një palë dhe fundosi popullin. Ata që zhvatën në atë kohë u bënë biznesmenë, më tej pronarë mediash, deputetë, ministra, kryetar partish. Më tej ai pa vitin 1998 me vrasje, por vitet 2000 e gjetën fëmijë me një histori që vetëm i kishin treguar se duke dalë në rrugë atje bëhesh dikushi.

Dhe ai doli në rrugë, atje u rrit, atje u burrërua ndërtoi familje dhe solli në jetë tre fëmijë. Atje pa sa i fortë dhe sa i dobët ishte, sa i lumtur dhe sa fatkeq. Shkollim nuk kreu. Po në përgjithësi komuniteti i tij i romëve nuk është se ndjek shkollim. Pastaj ç’i duhej shkolla, shkolla nuk hahet. Atij i duhej shtëpi, bukë, para, telefon, makinë. I duhej pak gëzim për fëmijët. Eh, këto nuk gjenden kollaj. Pasuria ishte vjedhur nga lart ndaj duhej ndukur edhe diçka nga poshtë. Dhe ai nisi të bëjë këtë punë. Sigurisht nuk u pasurua, por ja ashtu diçka mundi të shpinte në shtëpi. Ju ngjit dhe policia, se dihet ajo i kap vjedhësit e vegjël, ata s’kanë nga shkojnë. Ahah ata e kanë pisk me policinë!

Deri para tre ditësh kur ai në vitin 2018, ishte vetëm 27 vjeç në një vend të zhvilluar ku priten të hapen negociatat me BE, në një vend të zhvilluar ku në studio televizive të kulturuarit kanë lëshuar hahuret e Avgjisë, në një vend të zhvilluar ku kriminalizimi është realitet dhe është shndërruar në duet politik të sulmeve verbale, në një vend ku fshihet balli me një monedhë 500 euroshe dhe ku në dasma manjatësh hajna mblidhen paratë me tepsi, në një vend të besës dhe të proves, të pashpresës dhe të ikjes. Pra pikërisht në këtë “parajsë” ku të rinj me parti të vogla bëhen sa hap e mbyll sytë milionerë në partinë e madhe. Në një vend ku politikanët zgjohen dhe bien të flenë me një merak të MADH, se si të zbusin hallet e popullit.

pr-6-470x381

Në një vend ku ka, po çfarë nuk ka. Pikërisht në këtë vend ai megjithëse kishte një emër të bukur Enea, ja ashtu si kryevepra e Virgjilit, dhe një mbiemër krejt pagan Ftoji, sivjet nuk do t’i shohi më ftonjtë, as dritën dhe as fëmijët dhe të shoqen më.

Ky njeri vdes në zyrat e Komisariatit të Korçës. Prita të dëgjoja një prononcim të këtij komisariati. Asgjë, heshtje! Të policisë së shtetit… sërish heshtje! Të Ministrisë që merret me çështjet sociale …ahah vetëm heshtje…! Të OJF që merren me (vjedhjen e parave ) popullsinë rome…apo nuk nxorëm me ligj tani edhe nja një dyzinë pakicash…po jo, si mundet?! Po sot është e premte dhe OJF me makina luksoze janë nisur për fundjavë, kanë gjetur një restorant të pa parë buzë detit, andej buzë liqenit disa të tjerë, nëpër male cazë, dhe atje pasi pinë verë, nisin tregojnë dhe si rripen fondet.

Enea Ftoji, i riu 27-vjeçar shkoi sot nën dhé. Atje policia është më e sjellshme dhe integrimi europian është më i lehtë. Atje dhe OJF-të s’kanë shumë punë se s’ka fonde. Atje edhe gazetat nuk shiten se si blen kush. Atje ka qetësi! Këtu lart, këtu mbi dhé, ahh këtu ka jetë, ka hipokrizi, ka dhe shumë gënjeshtra.

Sot në vitin 2018 lindën shumë Enea të tjerë që i pret rruga, pastaj fati i tyre dihet. Historia vazhdon! Turpi ka turp në këtë vend…!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here