Djali i ish-gjyqtarit me 1 ton kokainë në Spanjë…

0
174

Ndonëse mediat në Spanjë kanë zbardhur emrat e dy bosëve shqiptarë të arrestuar për ngarkesën 1 ton kokainë e ardhur nga Kolumbia në vendin iberik, në vend nuk ka shumë detaje.

Mediat spanjolle i kanë identifikuar dy trafikantët shqiptar si: Dritan Gradica dhe Julian Deblini. 43-vjeçari Dritan Gradica, rezulton lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Ai është djali i ish-gjyqtarit të Apelit, Shaqir Gradica, i cili tashmë ka dalë në pension. Ish-gjyqtari Gradica është një personazh i njohur në sistemin e drejtësisë me një karrierë të gjatë në gjyqësor si pjesë e Gjykatave të Apelit.

Në një deklaratë për median, ish-gjyqtari Gradica ka mohuar që personi i kapur në Spanjë është djali i tij. Dyshimet e ngritura deri më tani janë se një tjetër person të ketë përdorur identitetin e Dritan Gradicës. Sa i përket Julian Deblini, i identifikuar si shqiptari i dytë i arrestuar. Ky emër nuk rezulton i regjistruar në Regjistrin e Gjendjes Civile.

Shqiptarët

Julian Deblini dhe Dritan Gradica nuk kanë prona apo pasuri të tjerë të paluajtshme në territorn e Shqipërisë. Hetime janë duke u zhvilluar edhe në Kolumbi, të cilat udhëhiqen nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, për të zbuluar se si dy shqiptarët kishin arritur të kryenin transportin e kokainës përmes avionëve charter.

Policia spanjolle dhe Europol që arrestuan këtë grup kriminal, besojnë se Deblini dhe Gradica kishin mundur të rekrutonin për llogari të tyre zyrtarë dhe punonjës të një aeroporti në Kolumbi për t’ia lehtësuar kalimin e kokainës. I gjithë operacioni për arrestimin e këtij grupi kriminal është drejtuar nga Njësia Speciale kundra narkotikëve, pranë prokurorisë së Spanjës me bashkëpunimin ndërkombëtar të DEA-s amerikane. Ndërsa EUROPOL pati rol koordinues.

Ndërhyrja finale për arrestimin e bosëve shqiptarë të këtij grupi erdhi momentin kur ata mbërritën në një hotel në Madrid duke mundësuar kapjen e 1 ton kokainë dhe 1.5 milion euro gati për transportuar si pagesë për kartelin kolumbian.

Raporti i Interpol-it

Dje mediet në Spanjë zbardhën raportin e Interpol, për mafien shqiptare që vepron në Europë. Fjalë bëhet për një rrjet të madh të shqiptarëve, të cilët sjellin drogë nga Kolumbia në Europë përmes Spanjës, që shërben si portë hyrëse në kontinentin e vjetër.

“Shumë anëtarë të këtij rrjeti kanë marrë pjesë në luftimet në Ballkan, dhe për këtë arsye ata veprojnë me profesionalizëm ushtarak. Ata njihen për brutalitetin dhe efektivitetin e tyre”, thuhet në raportin e Interpol. Të dhënat e tjera për këtë rrjet mafioz të shqiptarëve tregojnë se si anëtarët fitojnë respektin e pjesëtarëve të tjerë.

“Ky rrjet kriminal që vjen nga vendet e Europës Lindore karakterizohet nga mënyra e tyre e punës, që njihet për besnikërinë e anëtarëve. Besnikërinë e tyre ata e menaxhojnë duke kontrolluar familjet e tyre në Shqipëri përmes pagesave ndaj tyre, por edhe duke i marrë peng, dhe në këtë mënyrë ata zgjerojnë lidhjet e tyre dhe shtrijnë tentakulat në të gjithë Europën”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here