Tatimet iu qepen “këmba-këmbës” bizneseve të vegjël

0
247

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pranoi se shtrirja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe tek biznesi i vogël ka shkaktuar pezullimin dhe mbylljen e shumë bizneseve, por sipas administratës tatimore e gjitha kjo është një skemë për t’i shpëtuar taksës. Sipas paketës së re fiskale, nga 1 prilli Tatimi mbi Vlerën e Shtuar do të shtrihet edhe tek 10 mijë biznese të vogla, të cilat kanë xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë. Por, tatimet pretendojnë se për t’i shpëtuar kësaj takse, shumë biznese të vogla janë duke mbyllur aktivitetin, ose duke kaluar në pasiv për t’u rihapur po në të njëjtin vend, por me emër tjetër.

Të dhënat zyrtare tregojnë se nga fillimi i vitit kanë kaluar në status pasiv mbi 2500 biznese me një mesatare prej 50 biznesesh në ditë, ndërkohë që kanë mbyllur fare aktivitetin qindra të tjera. Por, Tatimet thonë se në shumë raste pas pezullimit apo mbylljes së një biznesi, hapet një tjetër po në të njëjtin vend nga njerëz të afërm me pronarin e biznesit të mëparshëm. Administrata thotë se kjo skemë nuk do të tolerohet dhe të gjitha bizneset që mbyllen do të verifikohen në mënyrë të hollësishme. Sipas tatimeve, nëse rezulton se pas mbylljes në të njëjtin vend do të hapet një tjetër biznes nga njerëz të afërm me pronarin, atëherë ai do të regjistrohet automatikisht në skemën e TVSH-së. Madje sipas Tatimeve, biznesit të ri do t’i ngarkohen edhe detyrimet tatimore që mund të ketë patur biznesi i mëparshëm, jo vetëm për taksat e papaguara, por edhe gjobat.

Ja njoftimi zyrtar nga Tatimet:

Në mbështetje të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, si dhe udhëzimin Nr. 24, datë 02.09.2008, i ndryshuar, Nëse pas verifikimit në vend, rezulton e provuar se tatimpaguesi që ushtron aktivitet në atë ambient, ka lidhje familjare me tatimpaguesin, i cili ka aplikuar për mbyllje/pezullim aktiviteti pas ndryshimit të përgjegjësisë tatimore apo konsumimit të kundravajtjes administrative, nga Drejtoria Rajonale Tatimore përkatëse, sipas rastit do t’i komunikohet tatimpaguesit ndërmarrja e hapave administrative të mëposhtëm:

Ndryshimi i përgjegjësisë tatimore, duke e ngarkuar atë me të njëjtat përgjëgjësi tatimore që ka patur tatimpaguesi/personi i lidhur para aplikimit për mbyllje aktiviteti, pavarësisht xhiros së pritshme të deklaruar nga ana e tij. Kërkesa nga ana e Administratës Tatimore kundrejt tatimpaguesit për të shlyer detyrimet tatimore, si dhe aplikimi i masave shtrënguese për vjeljen e detyrimeve të papaguara të tatimpaguesit/person i lidhur, i cili ka ushtruar të njëjtin aktivitet në të njëjtin ambient dhe që aktualisht ka aplikuar për mbyllje/pezullim aktiviteti.

Numërimi i konstatimeve për zbatimin e penaliteteve të përcaktuara sipas pikave 1/a/ii dhe 1/b/ii të nenit 122, të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, do të bëhet duke përllogaritur edhe konstatimet e kundravajtjeve të konsumuara nga ana e tatimpaguesit/person i lidhur, i cili ka ushtruar të njejtin aktivitet në të njejtin ambient dhe që aktualisht ka aplikuar për mbyllje aktivitet/pezullim aktiviteti. Pra, për tatimpaguesit që kanë ndryshuar status (kaluar pasiv,etj.) dhe para se të bënin një gjë të tillë janë konstatuar me një shkelje (shkelja e parë), shkelja e konstatuar pas ndryshimit të statusit, konsiderohet shkelja e dytë në numër. Tatimpaguesit e përfshirë në listën e tatimpaguesve për regjistrim në TVSH më 1 Prill, do të regjistrohen për TVSH-në edhe nëse kanë kaluar me status pasiv gjatë periudhës 1 Janar – 31 Mars 2018.

Taksa e re

Nga ana tjetër, Tatimet kanë zbuluar edhe se rreth 2.800 biznese ne kryeqytet nuk kanë paguar taksën mbi pronën. Rreth 43.235 subjekte aktive kryesore në kryeqytet janë regjistruar për të paguar taksën e pasurisë gjatë vitit 2017. Shifra e dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatim-Taksave Vendore, ka ardhur në rritje krahasuar me një vit më parë, ku kanë qenë të regjistruar 39.754 subjekte. Megjithatë në total numri i bizneseve aktive kryesore gjatë 2017 ka qenë 45.912, çka do të thotë se rreth 2677 biznese i janë shmangur detyrimit për të paguar këtë taksë.

Po të shikojmë të dhënat zyrtare të gjeneruara nga Bashkia e Tiranës, që nga viti 2012, vihet re një rritje progresive e taksës së pasurisë që paguajnë bizneset, ndërsa  gjatë viteve 2016 dhe 2017 kjo taksë ka arritur nivelin maksimal të arkëtimit . Konkretisht, nga 457 milion lekë që janë arkëtuar gjatë 2012- ës, për 10-mujorin  vitit 2017, janë arkëtuar 1,4 miliardë lekë. Taksa e pasurisë është ndër burimet më me peshë në buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe përbën 18% të totalit të të ardhurave të veta.

Me ndryshimet e fundit ligjore, të cilat marrin efekte nga data 1 Prill e vitit 2018, taksa e ndërtesës do të marrë një tjetër vlerësim, duke u mbështetur tek vlera e banesave dhe përqindjen e caktuar për masën e taksës si për banesat dhe objektet e biznesit. Konkretisht shkalla e taksës e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës për ndërtesat që përdoren dhe shfrytëzohen për veprimtari ekonomike do të jetë në masën e 0.2 për qind. Për këtë qëllim, në bashkëpunim me institucionet qendrore por jo vetëm, ka filluar ngritja e bazës së të dhënave për krijimin e kadastrës fiskale si informacion vendimtar për përllogaritjen dhe mbledhjen e të ardhurave.

Rrënimi

Numri i bizneseve që kanë janë çregjistruar gjatë muajit janar të këtij viti llogaritet të jetë 732. Sipas statistikave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, gjatë muajit të parë të këtij viti ka një rritje me 50 %  të numrit të bizneseve të çregjistruara në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  Sipas këtyre statistikave, numri i çregjistrimeve në janar të 2017 ishte 378 biznese.

Numri më i madh  i subjekteve të çregjistruara e ka qarku i Tiranës me 336, me pas vjen Elbasani  me 80 subjekte, Korça 70, Fieri 48, Durrësi 45 , Vlora  me 42 biznese, Berati me 27, Shkodra me 26,  Lezha 21, Gjirokastra 15, Dibra me 14 subjekte dhe në vend të fundit llogaritet Kukësi  me 8 subjekte të çregjistruara.  Por referuar dhe ndryshimeve ligjore, tashmë është thjeshtuar mjaft dhe procedura e çregjistrimit, edhe pse prej vitesh ishte kthyer në  një “makth” për shumë biznese që donin të mbyllni aktivitetin. Kështu për personat fizik çregjistrimi bëhet për një afat 30 ditor pas aplikimit në QKB, në rastin kur subjekti nuk ka detyrime nga shtetit. Ndërsa  për persona juridikë apo zyra përfaqësimi të shoqërive të huaja, si dhe për ato subjekte që janë në proces likuidimi, parashikohet që  çregjistrimi behet për 90 ditë, nga 120 ditë që ishte më parë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here