Skandali i mburrjeve kryeministrore, SHELL-in në Shqipëri e sollën Berisha-Meta!

0
217

–   Nëse nuk do të kishte qenë projekti TAP, që u sigurua në kohën e qeverisë Berisha-Meta, investimet e huaja në tremujorin e tretë do të ishin vetëm 68 milionë euro, ndërsa, nëse hiqet edhe Devolli, zbresin në 54 milionë euro.

Edi Rama flet shumë rrallë për investimet e huaja, pasi gjatë më shumë se katër vjet e gjysëm pushtet ai nuk ka mundur të tërheqë asnjë investitor të ri në Shqipëri. Maksimumi që ai ka bërë kanë qenë pretendimet sipërfaqësore se kishte përmirësuar kontratën që qeveria e mëparshme kishte lidhur me investitorë të hershëm si ata të gazsjellësit TAP apo hirocentralit të Devollit. Në të njejtën vazhdë, Kryeministri Rama ka ditë që përpiqet që kompaninë e naftës Shell, e cila ka zgjeruar aktivitetin e saj në Shqipëri, ta përdorë për të propaganduar se nën drejtimin e tij investitorët e huaj po gjejnë besim dhe kushte për të investuar në vend. Pak ditë më parë Kryeministri botoi në faqen e tij në Facebok një koment ku shprehej: “Shpirag, Berat – Një kontratë e re për një tjetër investim të madh të huaj në Shqipëri. Kompania e mirënjohur SHELL nis kërkimin edhe në Bllokun 4 dhe vijon programin e zbulimit të naftës, mbi bazën e pritshmërive të larta që janë krijuar nga kërkimet e deritanishme në Blloqet 2 dhe 3” . Më tej, duke kapitalizuar për efekt propagandistik gërmat e emrit të kompanisë, ai shtoi: “Me këtë marrëveshje Shqipëria do të shikohet e plotë kështu siç është dhe jo e pjesshme a thua se këtu ka vetëm krim të organizuar. [..] Prania e një kompanie si SHELL përbën një arsye më shumë për kompanitë e tjera, siç përshkruhet në media të ndryshme në Europë, apo siç ëndërrojnë eksponentë të forcave politike që mendojnë ndryshe. Përderisa SHELL sheh një atmosferë shumë miqësore për të bërë biznes, ka mundësi ta shohë kushdo”.

E vërteta është se Shell ka hyrë në Shqipëri falë politikave dhe marrëveshjeve të qeverisë së mëparshme Berisha-Meta. Fillimisht Shell u fut në Shqipëri në vitin 1994 për të zhvilluar kërkime në dy blloqe naftëmbajtëse në jugperëndim të Shqipërisë. Në vitin 1997, kompania u largua nga vendi për shkak të trazirave, dhe dy blloqet e kërkimit iu dhanë kompanisë Petromanas dhe Bankers Petroleum. 15 vjet më vonë, më shkurt 2012, Shell u rikthye në Shqipëri dhe bleu 50 për qind të aksioneve të kompanisë Petromanas që kishte koncesionin e shfrytëzimit të dy blloqeve që Shell kishte siguruar në fillim të viteve 1990-të. Në qershor të vitit 2013, Shell e rriti pronësinë e saj në Petromanas në 75 përqind të aksioneve. Shell rifilloi kërkimet në dy zonat në qershor të vitit 2012 dhe pasi në nëntor 2013 arriti rezultatet e para pozitive, filloi vlerësimin e depozitave të zbuluara.

Në mars 2016, kompania Shell bleu nga kompania Petromanas pjesën e mbetur të aksioneve duke u bërë pronare e vetme e koncesionit për të drejtën e plotë të shfrytëzimit në dy zonat naftëmbajtëse. Në vitin 2017, Shell dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore firmosën një marrëveshje për kërkimin në një tjetër bllok naftëmbajtës të titulluar Shpiragu 4, në zonën e Nemërçkës, në afërsi të kufirit të Shqipërisë më Greqinë. Investimi në këtë operacion të ri të Shell vlerësohet se do të arrijë në 72 milionë dollarë amerikanë.

Po të flasim me fakte, do të konstatojmë se shtesa e investimeve të huaja në tremujorin e tretë të vitit, që sapo lamë pas, ka qenë minimale, ose dhe negative nga pothuajse të gjitha shtetet, me përjashtim të Zvicrës, që është vendi nga raportohen investimet e TAP. Nga shtetet, ku merrnim investimet tradicionale, si Greqia, investimet janë në rënie, nga Gjermania po ashtu me tkurrje, Kanadaja e ka rritjen minimale, Holanda, Italia dhe Greqia po ashtu. Sipas statistikave për investimet sipas shteteve, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i investimeve të huaja për periudhën korrik-shtator 2017 u rrit me 251 milionë euro në krahasim me tremujorin e mëparshëm, nga e cila 179 milionë euro, ose 71% e totalit të rritjes kanë ardhur vetëm nga një shtet, nga Zvicra, nga i cili raportohen investimet që po bëhen për ndërtimin e projektit të gazsjellësit TAP. 25 milionë euro është shtesa e investimeve nga Turqia, 20 milionë euro nga Italia, 16 milionë euro nga Kanadaja dhe 14 milionë euro nga Holanda. Me kaq lista mbaron. Shtetet e tjera kanë investuar zero në Shqipëri, ose maksimumi në 6 milionë euro (si p.sh. Austria) në tremujorin e tretë të 2017, apo dhe e kanë ulur stokun e investimeve të tyre në Shqipëri, si Greqia (-16 mln euro) dhe Gjermania (-4 mln euro).

Greqia është shteti nga i cili në vite ka ardhur stoku më i madh i investimeve të huaja (kryesisht telekomunikacione), që në fund të tremujorit të tretë arriti në 1.26 miliardë euro, ose 20% e totalit të stokut të investuar në Shqipëri pas viteve 1990. Por, për herë të parë investimet nga Greqia rezultojnë në rënie (-16 milionë euro), teksa sektori i telekomunikacioneve (Vodafone dhe Telecom Albania janë më kapital grek) është në rënie. Kanadaja është shteti që renditet i dyti sa i përket stokut të investimeve direkte, me 826 milionë euro në total (rritje minimale prej 16 milionë euro në tremujorin e tretë), si rrjedhojë e aktivitetit të Bankers Petroleum, që megjithëse është shitur te kinezët e Geo Gade raportohet sërish si investim kanadez.

Në vend të tretë është ngjitur Zvicra, stoku i investimeve nga i cili është 10-fishuar në krahasim me vitin 2014, duke arritur në 826 milionë euro në fund të tremujorit të tretë 2017, si rrjedhojë e aktivitetit të gazsjellësit TAP. Holanda është e katërta, po me 826 milionë euro, ku rolin kryesor e ka kompania Statcraft, që po ndërton HEC-in e Devollit, që ndonëse tashmë është 100% në pronësi norvegjeze, regjistrohet ende si investim holandez. Gjithsesi, ky investim po shkon drejt fundit, teksa shtesa në tremujorin e tretë ishte vetëm 14 milionë euro.

Gjeografia e kufizuar shteteve nga po na vijnë investimet vitin e fundit tregon se sa e varur është Shqipëria nga projektet e mëdha, që ndodhin vetëm një herë dhe më pas efekti i tyre mbaron, por ngre njëkohësisht dhe dilemën se çfarë do të ndodhe me investimet e huaja pas përfundimit të TAP dhe HEC-eve mbi lumin Devoll, teksa nuk po shihen investitorë të tjerë në horizont, madje po ikin dhe ata që janë (rasti i Sheraton që nga 1 janari u largua nga Shqipëria). Nëse nuk do të kishte qenë projekti TAP, që u sigurua në kohën e qeverisë Berisha-Meta, investimet e huaja në tremujorin e tretë do të ishin vetëm 68 milionë euro, ndërsa, nëse hiqet edhe Devolli, zbresin në 54 milionë euro.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here