FOTO – Zbulohet projekti i Teatrit të ri Kombëtar/ Nuk ka kullë, por ka …pallate!

0
356

“Ku ka zë, s’është pa gjë”… dhe shprehja duket se i shkon më së miri për shtat projektit të qverisë për Teatrin Kombëtar dhe zërave të shumtë se do të ketë dhe një kullë mbi të.

Por ndryshe nga zërat se kulla do të jetë në Teatrin e ri Kombëtar, rezulton se qeveria e ka gjetur një zgjidhje dhe për këtë çështje.

Këtë të enjte “Shqiptarja.com” ka publikuar projektin për Teatrin, i realizuar nga një arkitekt i famshëm danez, Bjarke Ingels. Përtej godinës së Teatrit, ajo që vihet re është prania e një sërë ndërtimesh përreth vetë Teatrit, që të lejon të mendosh se qeveria është tërhequr me të vërtetë nga ndërtimi i një kulle, porse nuk ka ndërmend që të lërë pallatet jashtë “skemës”.

Ashtu siç edhe shkruan “Shqiptarja.com”, projekti për ndërtimin e Teatrit të ri do të bëhet me shumë gjasa përmes partneritetit publik privat (PPP), një veprim i cili lë hapësira të mjaftueshme për ngritjen e pallateve.

“Sipas informacioneve të Shqiptarja.com Teatri i ri mund të ndërtohet me një Partneritet Publik-Privat, sipas modelit të përdorur për stadiumin “Qemal Stafa”, duke minimizuar kostot për buxhetin e shtetit. Privatët që do të ndërtojnë Teatrin që mbetet pronë shtetërore, do të fitojnë tokën për të ndërtuar pak më tutje pallate. Megjithatë detajet nuk janë ende të përcaktuara.”-shkruhet në artikullin e gazetës.

Pra mesa duket qeveria ka menduar që të “heqë” kullën për t’i lënë vend ndërtimit të një apo disa pallateve, gjë e cila nuk ka kurrfarë ndryshimi me të parën, një element që të bën të vësh në dyshim të gjithë deklaratat e Kryeministrit Rama, Ministres Kumbaro apo kryebashkiakut Veliaj.

Kujtojmë se prej javësh tashmë ka një përplasje të hapur mes aktorëve dhe pushtetit në qeveri, jo vetëm në lidhje me ekzistencën e kullës (apo pallateve) por edhe për faktin se Teatri Kombëtar, një simbol i qytetit, do të hidhet përdhe. Të shumtë kanë qenë ata artistë apo persona publikë që kanë kërkuar nga ana e qeverisë që të mos shembë Teatrin Kombëtar. Një tjetër problematikë ka qenë dhe ajo për Ligjin për Artin dhe Kulturën. Artistët janë shprehur se shumë pjesë të ligjit e bëjnë të qartë qëllimin e qeverisë për minimizimin e pushtetit të artistëve dhe përqendrimin apo kontrollin e financave në duart e qeverisë.

Më poshtë shkrimi i plotë i Shqiptarja.com

“Shqiptarja.com” zbulon për herë të parë projektin për Teatrin e ri Kombëtar.  Këto foto na njohin me projektin e  realizuar nga arkitekti i famshëm danez Bjarke Ingels, i përmendur nga kritika si “një nga arkitektët më frymëzues të kohës sonë”. Në foto duket qartë se cila do të jetë pamja që do të ketë godina e Teatrit të ri Kombëtar. Ndërtesa e Teatrit, sipas këtij projekti do ta ketë hyrjen në krahun e djathtë, ku është aktualisht pishina e Teatrit Kombëtar.

Në barkun e Teatrit do jetë një galeri që do të lejojë kalimin për në krahun tjetër. Pas teatrit duket qartë se ka edhe pallate, por nuk ka asnjë kullë. Përveç skenës së brendshme, Teatri do të ketë edhe një amfiteatër mbi tarracë, pra një skenë verore. Me sa duket ky projekt do të largojë dyshimet e artistëve për ndërtimin e kullave në territorin e Teatrit Kombëtar.

Gjatë ditëve të mëparshme ata kanë pasur në qendër të protestës edhe mungesën e transparencës për projektin e godinës së re. Shqiptarja.com zbulon tashmë se ky është draft-projekti i parë i arkitektit danez, Bjarke Ingels, që tashmë e ka në dorë Ministria e Kulturës për ta studiuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here