Statistikat zyrtare, 90 milionë euro barrë e re borxhi në vit, ja mashtrimi me PPP-të

0
209

Statistikat zyrtare përgënjeshtrojnë mashtrimin e madh të radhës nga ana e qeverisë Rama me Partneritetin Publik-Privat. Shifrat tregojnë se PPP-të, në ndryshim nga ajo çfarë trumbeton qeveria, e cila i përkufizon ato si “drekë falas”, janë plotësisht një barrë mbi pasurinë e publikut. Sipas Open Data Albania, kontratat koncesionare do t’u kushtojnë qytetarëve shqiptarë vetëm për vitin 2018 rreth 90 milionë euro. Këto kontrata janë me financim direkt nga buxheti i shtetit. Aktualisht janë 12 kontrata koncesionare të cilat financohen nga shteti. Katër kontratat e koncesioneve në shëndetësi me vlerë në total rreth 300 milionë euro, zënë peshën më të lartë në buxhetin e vendit. Ato vlerësohen në mbi 40 për qind të totalit të kostove. Kontrata janë: kontrolli bazë i qytetarëve (Check-Up); shërbimi i Hemodializës; sterilizmi i paisjeve kirurgjikale dhe shërbimi i laboratorëve spitalorë.

Tri kontratat koncesionare të inceneratorëvë të Fierit, të Elbasanit dhe të Tiranës, të cilat janë të përqendruara në një pronar të vetëm, në total do të kushtojnë rreth 236 milionë euro. Inceneratori i qarkut Elbasan me kohëzgjatje 7 vjet nga viti 2015-2022. Në total kjo kontratë ka një vlerë prej 28 milionë euro dhe zbatohet nga kompania Albtek Energy. Inceneratori i Fierit me kohëzgjatje 6 vjet, me vlerë 28 milionë euro. Kontrata zbatohet nga firma Integrated Technology Ëaste Treatment Fier. Inceneratori i Tiranës. Kjo kontratë koncesionare do të zgjasë 30 vjet, nga viti 2018-2047. Në total Inceneratori i Tiranës ka vlerën 180 milionë euro. Firma koncesionare është shoqëria Integrated Energy B.V shpk.

Kontrata e ndërtimit të shkollave me konçesion nga Bashkia Tiranë me kohëzgjatje 8 vjet kap vlerën e 60 milionë eurove. Koncesioni ka filluar në vitin 2017 dhe do të përfundojë më vitin 2024. Dy kontrata e tjera, ajo e Rrugws sw Arbrit, dhe ajo e Autostradës Milot-Morinë do të fillojnë në vitin 2018. Vlera e përbashkët e tyre vlerësohet në rreth 260 milionë euro. Ndërtimi i rrugës së Arbrit vlerësohet në 240 milionë euro për 30 vjet. Kompania konesionare është Gjoka shpk. Autostrada Milot-Morinë vlerësohet në 20 milionë euro. Kohëzgjatja e këtij koncesioni është 30 vjet për periudhën 2018-2047.

Kontrata koncesionare e ndërtimit të HEC-it mbi Devoll është një kontratë që në total kap vlerën e 70 milionë eurove. Kohëzgjatja e e kontratës është 5 vjet, nga viti 2015 deri në vitin 2019. Kontrata zbatohet nga shoqëria Devoll Hydropower shpk. Shërbimi i Skanimit në Dogana (Rapiscan), kontratë koncesionare me vlerë 276 milionë euro, me kohëzgjatje 15 vjet. Kompania koncesionare është S2 Albania. “Kostoja vjetore e përllogaritur për vitin 2018 për këto tetë koncesione apo PPP, që financohen direkt nga buxheti i shtetit, është 9.4 miliardë lekë. Ministritë e linjës që janë lidhur këto kontrata janë: Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale; Ministra e Infrastrukturës dhe e Energjisë; Ministria e Financave dhe Ekonomisë; Ministria e Arsimit dhe Bashkia Tiranë”, theksohen Open Data Albania.

Borxhi publik

Të dhënat e Institutit Europian të Statistikave tregojnë se Shqipëria është vendi me borxhin më të lartë në Europë nga kontratat e Partneritetit Publik Privat. Sipas Eurostat, të gjitha vendet e Bashkimit Europian kanë detyrime për kontratat e PPP-ve që nuk e kalojnë nivelin 3 për qind të Prodhimit Kombëtar, ndërsa në Shqipëri kjo shifër është dukshëm më e lartë dhe po rritet me shpejtësi. Eurostat klasifikon si borxh të qeverive nga kontratat e Partneritetit Publik privat, vetëm ato raste kur qeveria paguan më shumë se 50 për qind të investimit apo kostos së shërbimit, pavarësisht nëse ajo paguhet në vite.

Me këtë klasifikim, thuajse të gjitha koncesionet e dhëna nga qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit, në ndërtim rrugësh, aeroportesh apo shërbime shëndetësore janë automatikisht borxh publik, pasi do të paguhen në pjesën më të madhe nga buxheti i shtetit. Sipas të dhënave, në Bashkimin Europian, vendi me detyrimet më të larta kontingjente nga kontratat e Partneritetit Publik Privat është Portugalia, ku këto detyrime llogariten në 3.2 për qind e Prodhimit Kombëtar. Në vendin e dytë renditet Sllovakia me 3.1 për qind e PBB.

Këto janë dy vendet me nivelin më të lartë të borxhit nga PPP, ndërkohë që në vendet e tjera shifra e detyrimeve për konçesionet e dhëna është më pak se 1.6 për qind e Prodhimit Kombëtar. Por si krahasohet Shqipëria me vendet e BE. Qeveria shqiptare ka dhënë vitet e fundit një sërë kontratash Partneriteti Publik Privat, kostoja e të cilave paguhet në pjesën dërrmuese ose tërësisht nga buxheti i shtetit.

Vetëm në sektorin e shëndetësisë janë dhënë 4 kontrata, kostoja e të cilave arrin në mbi 300 milionë euro ose rreth 3 për qind e Prodhimit Kombëtar. Këto kosto do të paguhen tërësisht nga buxheti i shtetit, çka i klasifikon ato si detyrime kontingjente ose borxh publik. Së bashku me koston e skanimit të kontenierëve në dogana dhe inceneratorëve borxhi vetëm për kontratat që janë dhënë sakaq arrin mbi 6 për qind. Por kjo shifër po rritet me ritme të shpejta. Këtë vit qeveria ka nisur të firmosë kontratat e para të programit 1 miliardë euro. Kjo do e çojë automatikisht shifrën e borxhit për shkak të koncesioneve në mbi 1.5 miliardë euro ose 13 për qind e Prodhimit Kombëtar. Kjo shifër është 4 herë më e lartë se sa vendi që ka nivelin më të lartë të detyrimeve nga kontratat e PPP-vë që është Portugalia.

Zgjerimi i shpejtë i detyrimeve nga kontratat e PPP-ve ka alarmuar Fondin Monetar ndërkombëtar, i cili i ka kërkuar qeverisë publikisht të përfshijë koncesionet në shifrën e borxhit, por kjo kërkesë është refuzuar.

Borxhet e biznesit

Ndërkohë që miqtë e kupolës qeverisëse po privilegjohen, një pjesë e mirë e kompanive që operojnë në vend po kalojnë ditë të vështira, aq sa nuk po paguajnë dot detyrimet në shtet. Të dhënat e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë për një thellim të borxhit tatimor dhe doganor. Në total, detyrimet e papaguara të biznesit në tatime dhe dogana, si dhe për kontributet e sigurimeve shqoërore e kanë kapërcyer shifrën e 51.1 miliardë lekë ose rreth 430 milionë euro. “Për vitin 2016 rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe skemës së sigurimeve shoqërore është në vlerën 51,175,458 mijë lekë ose 41% më e lartë se viti 2015”, theksohet në raportin e fundit të KLSH-së për vitin 2017.

Ndërkaq Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përditësuar listën e bizneseve debitore, ndaj të cilëve iu është vendosur barrë hipotekore. E thënë ndryshe, tatimpaguesve me detyrime të papaguara tatimore. Lista përmban 18.430 biznese, të cilat janë objekt i sekuestrove të pasurisë dhe bllokimit të llogarive bankare. Në listën e tatimeve rezultojnë biznese me borxhe që prej vitit 2011. Ekspertët e tatimeve shpjegojnë se procesi deri në vendosjen e barrës hipotekore kalon në disa faza. Fillimisht subjektet njoftohen për detyrimin që duhet të paguajnë, në rast se nuk e kanë apeluar atë. Është sistemi tatimor që ua dërgon atë në mënyrë elektronike.

Nëse brenda 10 ditësh nga marrja e njoftimit, tatimpaguesi vazhdon të mos paguajë borxhin e tij tatimor, ndaj tij fillojnë masat ligjore të mbledhjes me forcë të borxhit, një proces që gjithashtu kalon në disa faza: urdhër bllokimi i llogarive bankare, ku i kërkohet çdo banke ku tatimpaguesi ka llogaritë e tij të mbajë shumën e detyrimit të papaguar në rast mosarkëtimi të detyrimeve 10 ditë pas njoftimit të tij; barrë hipotekore mbi pasuritë, 10 ditë pas lëshimit të urdhër bllokimit në rast se nuk është arritur arkëtimi i detyrimit; urdhër për sekuestrim të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 30 ditëve nga data e vendosjes së barrës së hipotekore dhe konfiskimi i pasurisë nga adminisitrata tatimore në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 15 ditëve nga sekuestrimi i pasurisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here