Pasurohemi dot shpejt nga Bitcoin? Intervista e ekspertit nga Tirana: Çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë për kriptomonedhat

0
291
Prague, Czech Republic - January 1, 2000: Golden Bitcoins on a gold background .Photo (new virtual money )

Monedha virtuale Bitcoin ka kohë që njihet edhe në Shqipëri. Madje në vendin tonë ka edhe provadera (krijues) që kujdesen teknikisht për krijimin e investimit në këtë monedhë. Ermal B., është njëri prej tyre. Ai jeton jo shumë larg nga qendra e Tiranës dhe në banesën e tij realizon këtë aktivitet. Ai është rreth të 40-tave dhe në profesion inxhinier elektronik. Punon në një kompani private por investimin në Bicoin e ka një punë të dytë e madje më me leverdi se e para. Ermali shpjegon në një intervistë të gjatë se prej disa muajsh e provoi dhe tashmë po i ndjen frytet e saj.  Ermali thotë se për këtë aktivitet duhen disa pajisje, të cilat i bleu së bashku me disa kolegë. Kështu nisi aktiviteti që iu sjell atyre disa të ardhura, fitime që i kthejnë në monedhë reale përmes bankomatit në Kosovë. Ermali nuk është i vetmi provajder i Bitcoin pasi në Shqipëri dhe Kosovë tregu i monedhës virtuale është mjaft aktiv, por i vështirë për t’u matur…..

Si dhe sa njihet Bitcoin në Shqipëri?

Nuk di të them se sa njihet Bitcoin në Shqipëri pasi edhe unë vete deri para disa muajsh kisha dëgjuar vetëm nëpërmjet mediave për këtë fenomen. Ishte një miku im i cili mbasi kishte lexuar mjaftueshëm për monedhat virtuale në përgjithësi na propozoi që të provonim diçka në këtë fushë, kuptohet pa ndonjë risk të madh, thjesht për të parë se si do të ecte. U bëmë disa persona bashkë dhe investuam nga një shumë modeste në blerjen e dy pajisjeve të cilat përdoren për procesin e “Mining” i cili në të vërtetë është thjesht një procesim i avancuar i algoritmeve mbi bazën e të cilëve është ndërtuar struktura e secilës monedhë virtuale. Këto pajisje që në porositëm përdoren për kalkulimin e një algoritmi të ndryshëm nga ai i Bitcoin. Me duhet të pranoj që në aspektin financiar, pritshmëritë fillestare ishin tejet të larta, madje disa herë mbi rrogën mesatare në Shqipëri. Në momentin që këto pajisje mbërritën, fitimi nga përdorimi i këtyre pajisjeve kishte rënë në mënyrë drastike. Ky ishte leksioni i parë që morëm nga bota e “mining”. Pra nuk duhet të synonim thjesht një fitim të menjëhershëm por duhet të investonim në një proces me stabël pavarësisht se fitimi mund të mos ishte shumë i madh. Këtu na u shfaq Bitcoin, jo si një mjet me të cilin në “do të bënim para“ por thjesht si fusha ku duhet të ushtronim procesin e “mining” sidomos me një nga pajisjet shumë të fuqishme të prodhuara për këtë punë.

Çdo të thotë kjo monedhë virtuale e parë nga këndvështrimi i një specialisti të Teknologjisë së Informacionit?

Bitcoin, si pothuajse çdo monedhë virtuale është e mbështetur mbi atë që quhet “Blockchain Technology”. Për ta thënë pak më thjeshtë, në bazën e këtij “Zinxhiri” qëndron një algoritëm tejet i komplikuar i quajtur SHA256 i cili, duke përdorur fuqinë procesuese të rrjetit të “Miners”, pra unë dhe miqtë e mi me pajisjet tona, kalkulon të gjitha transaksionet që ndodhin në këtë monedhë ndërmjet portofolëve virtualë të përdoruesve. Rezultatet e zgjidhjes së algoritmit përmblidhen në atë që quhet “Bllok”. Ky bllok,më pas, shërben si një vlerë fillestare për zgjidhjen e radhës së algoritmit duke shtuar edhe transaksionet e reja që përfshihen në bllokun pasardhës. Duke qenë se zgjidhja e algoritmit është një punë shumë e vështirë, për këtë duhet një fuqi e madhe procesuese e cila ndihmon në shpejtësinë e transaksioneve por edhe në sigurinë e tyre. Kjo nënkupton që rrjeti i miners, i shpërndarë në të gjithë botën dhe i mbështetur nga njerëz të thjeshtë, anonimë, ose dhe kompani të cilat kanë ndërtuar rrjete të fuqishme me pajisje procesuese, është baza pa të cilën Bitcoin apo dhe monedhat e tjera nuk do të ekzistonin. Për këtë arsye, si shpërblim për punën e kryer, këta persona paguhen në portofolet e tyre virtuale me Bitcoin, në bazë të fuqisë procesuese që kanë vënë në dispozicion. Duhet shtuar këtu, që procesi është ndërtuar i tillë, që në çdo bllok krijohen 12.5 Bitcoin të rinj, të cilët ndahen në mënyrë proporcionale e mes personave që kryejnë “Mining”. Gjithashtu këta persona marrin edhe një përqindje shumë të vogël nga çdo transaksion që kryhet. Ky është elementi, i cili mban në jetë këtë proces të komplikuar e të mirëmenduar deri në çdo detaj nga krijuesi i Bitcoin Satoshi Nakamoto.

Si mundësohet krijimi i kësaj monedhe?

Siç edhe e përshkrova më lart, sa herë që krijohet një bllok i ri nga zgjidhja e algoritmit, krijohen edhe 12.5 Bitcoin të rinj të cilët përdoren për të shpërblyer personat që kryejnë Mining. Ndarja e shpërblimit kryhet në mënyrë proporcionale në bazë të fuqisë procesuese të vënë në dispozicion.

Ç’ pajisje përdoren, si bëhet blerja, mirëmbajtja dhe fitimi nga shërbimi i ofruar (mining)?

Në fillimet e veta, atëherë kur kërkesa për fuqi procesuese ishte tejet e vogël krahasuar me sot, mjaftonte edhe një kompjuter për të kryer “Mining”. Më vonë, duke parë kërkesën ne rritje, u shpikën ato që quhen “Mining Rigs” që janë thjesht sisteme të pajisura me shumë Karta Grafike të kompjuterave të thjeshte, por që të lidhur bashkë krijonin makina të fuqishme procesuese. Problematikat që shfaqin këto sisteme janë temperatura e lartë si dhe konsumi i energjisë elektrike. Në vitet e fundit, kompani të specializuara, kanë prodhuara makina shumë të sofistikuara të quajtura ASIC të cilat përbëhen nga një numër shumë i madh procesorësh dhe që janë në gjendje të kryejnë kalkulime me një shpejtësi marramendëse. Këto janë pajisje që tashmë janë përhapur shumë, të cilat për fat të mirë i disponoj edhe unë dhe i kam në përdorim në këtë moment që flasim. Përveç faktit që ato kanë një fuqi proceuese të lartë shfaqin edhe disa disavantazhe për përdoruesin e thjeshtë pasi bëjnë shumë zhurmë, kërkojnë ambient të freskët si dhe konsumojnë shumë energji elektrike. Mirëmbajtja është njësoj si për çdo pajisje që ndodhet në çdo dhomë serverash kudo.

Ku këmbehet, si kthehet në kartëmonedhë Bitcoin?

Bitcoin zyrtarisht mund të shkëmbehet në ato që quhen Online Exchange. Këto janë portale online ku çdo person mund të regjistrohet duke u identifikuar sipas rregullave dhe aty mund të depozitojë para në monedhë të ndryshme si dhe monedha virtuale në portofolë të gatshëm. Në këto portale, përdoruesit mund të shesin ose të blejnë monedha virtuale duke vendosur çmimin që duan. Sistemi është shumë interesant pasi në pjesën më të madhe është i automatizuar dhe ty të mjafton thjesht të vendosësh limitin e çmimit me të cilin do t’i shesësh apo blesh monedhat dhe pastaj çdo gjë ndodh automatikisht. Variant tjetër janë edhe ATM e Bitcoin. Në shumë vende të BE ose dhe në vendet fqinje me ne, në ambiente publike, sidomos në qendra tregtare, mund të gjeni ATM për shkëmbimin e Bitcoin. Pra mund të ktheni Bitcoin në para ose anasjelltas. Mënyrë tjetër, për sa kam lexuar është duke kontaktuar fizikisht me persona të tjerë të cilët janë të interesuar për të shkëmbyer monedha virtuale. Kuptohet që kjo mënyrë mbart rreziqet e veta.

Çfarë përdorimi dhe sa treg ka aktualisht në Shqipëri dhe Kosovë?

Për sa kam informacion, Bitcoin dhe gjithë monedhat virtuale në Shqipëri nuk trajtohen fare nga ligjet aktuale dhe me sa di unë, as nuk ekziston ndonjë nismë apo prirje për të bërë të paktën një studim mbi qasjen që autoritetet përkatëse duhet të kenë me fenomenin, qoftë edhe duke marrë shembull nga shtetet e tjera që janë përballur më herët me këtë çështje. Kuptohet që në kushtet tona, rreziku i pastrimit të parave nëpërmjet monedhave virtuale, i kthen ato në një tabu për sa i përket pranimit si një mjet shkëmbimi nga autoritetet megjithatë gjykoj që duhet të ketë një qasje tjetër me logjikë se sa thjesht mbyllja e syve si për të mohuar ekzistencën e fenomenit. Personalisht unë nuk di që në Shqipëri të ketë zyrtarisht ndonjë ofrues të shërbimit të këmbimit të monedhave virtuale. Për sa i përket Kosovës, unë di që ka më shumë se një person apo kompani që ofron shërbimin e Exchange apo që ka instaluar edhe ATM. Me sa arrij të kuptoj, autoritetet e Kosovës nuk kanë dalë kundra fenomenit, por mendoj se ndoshta në njëfarë mënyre e mbajnë nën kontroll dhe gjithashtu në këtë mënyrë përfitojnë edhe nga taksat që vilen nga ky proces.

Sa provider mund të ketë Bitcoin aktualisht në Shqipëri?

Jam i sigurt që ka, por nuk mund ta them se sa.

 i parashikohet trendi i kësaj monedhe në vitin 2018?

Duke parë në website të ndryshme që bëjnë analiza të sofistikuara, vihet re që të gjitha bien dakord se Bitcoin do të ketë rritje, por ajo ku ndahen është niveli i rritjes. Ka disa që thonë se e ardhmja e Bitcoin do të jetë zëvendësimi i Lingotave të Arit, për shkak të vlerës gjigande që do të marrë, por ka dhe nga ata që thonë se rritja do të vazhdojë deri në një moment dhe pastaj do të zbehet për shkak të disa mangësive që ka shfaqur kjo monedhë kohët e fundit në krahasim me monedha të tejra që kanë dalë më vonë si DASH, Etherium apo edhe variant i ri i vetë Bitcoin që quhet Bitcoin Cash. Këto mangësi janë koha e zgjatur e transaksionit, e cila është minimalisht 10 minuta dhe mund të zgjasë edhe 1 orë apo më shumë, si dhe kostot e larta të transaksioneve që janë vënë re kohët e fundit të cilat kapin shifra deri 14 apo edhe 20 dollarë për transaksion pavarësisht vlerës së transaksionit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here