Në përfundim të Konferencës së Kryetarëve, aty ku PD-ja ka kërkuar dorëheqjen e Gramoz Ruçit, në ambientet jashtë kryesisë së Kuvendit, Fatmir Mediu ka deklaruar se dy nga institucionet më të rëndësishme të reformës në drejtësi nuk mund të funksionojnë.
Fjala është për Këshillin e Lartë të Prokurorisë (organi që vendos ndër të tjera për zgjedhjen e kryeprokurorit) dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor (kupolën institucionale që zëvendëson KLD-në e sotme).
Fatmir Mediu i është referuar vendimit të vjetshëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka rrëzuar një sërë nenesh të ligjit që parashikon këto dy institucione, duke sqaruar se jemi në kushtet kur edhe sikur këto struktura të ngrihen, nuk do të mund të funksiononin normalisht. Sipas Mediut, mazhoranca bën të “paditurën” mbi këtë fakt dhe gjen |”sebepe” për të vonuar plotësimin e këtyre vakuumeve ligjore, pasi qëllimi i qeverisë sipas deputetit të opozitës mbetet kapja e reformës.