Ligjet që presin mbledhjen e Kuvendit/ Ja çfarë është mbartur nga 2017…

0
140

Kuvendi pritet të shqyrtojë 8 projektligje në kuadër të plotësimit të reformës në sistemin e drejtësisë. Të gjitha nismat janë mbartur nga viti i kaluar. Në axhendën e punimeve të Kuvendit për vitin 2018, janë projektligji për Noterinë, ai për Shërbimin përmbarimor gjyqësor, për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore, projektligji për profesionin e avokatit, ai për Strategjinë e edukimit ligjor, projektligji për provimin e shtetit për profesionin e juristit, për Ekzekutimin e vendimeve penale dhe projektligji për Ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Në axhendën e Kuvendit, po në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi, është edhe konstituimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Kuvendi duhet të miratojë me 2/3 e votave 5 anëtarët jo prokurorë dhe 5 anëtarët jo gjyqtarë të KLP dhe KLGJ. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e parë, të dytë dhe të tretë, kandidatët konsiderohen të zgjedhur.

Sipas përllogaritjeve, bazuar në 14 afate të parashikuara në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor do të ngrihen brenda harkut kohor të 90 ditëve, që do të thotë para pranverës.

Kuvendi rinis punën në 15 janar me Komisionet Parlamentare. Në procedurë të mbartur nga sesioni i shkuar janë 23 projektligje, nga të cilat 15 janë të propozuar nga deputetë, 7 nga Këshilli i Ministrave dhe vetëm një prej tyre është depozituar nga 20 mijë zgjedhës.

Në proces është edhe një draft i propozuar nga ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, aktualisht deputet i thjeshtë, i cili kërkon ashpërsim të Kodit Penal në 6 nene: kryesisht për shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor, dhunimin e kafshëve dhe trafikimin e narkotikëve. Qeveria ka për të mbrojtur në parlament projektligjet për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, strehimin social, energjinë elektrike, për koncesionet, etj. Zgjedhësit kanë propozuar vetëm një nismë gjatë këtij viti.

Ajo synon ashpërsimin e Kodit Penal për të dhunuesit e kafshëve. Nuk ka asnjë projektligj të pezulluar, por janë tërhequr nga depozituesit gjatë vitit që lamë pas 7 projektligje, 4 prej deputetëve propozues dhe 3 nga qeveria. Kjo e fundit ka tërhequr projektligjin për shërbimin veterinar, për arsimin parauniversitar dhe strehimin social, të cilat këshilli i ministrave i ripërpunon.

Vetë deputetët kanë tërhequr projektligjin për gjuetinë, si dhe një propozim për dhënie amnistie i disa deputetëve të Sigurisë Kombëtare të legjislaturës së shkuar për dorëzimin vullnetar të armëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here